Ish kryeministri i Sudanit Abdulla Hamdok ka paralajmëruar se konflikti që ka përfshirë vendin e tij mund të jetë më I ashpër se çfarë ka ndodhur në Siri dhe Libi. Ai tha se luftimet në Sudan mund të kthehen në një makth për botën, nëse vazhdojnë. Sipas ish kreut të qeverisë Sudanese, Hamdok, pavarësisht armëpushimit prej 72 orësh të vendosur mes palëve në konflikt, sulmet kanë vazhduar në pjesë të ndryshme të kryeqytetit Kartoum
Duke folur në një konferencë në Nairobi, në Kenia, z. Hamdok që ka shërbyer si kryeministër I Sudanit në vitet 2019-2022 bëri thirrje për unifikim të përpjekjeve ndërkombëtare për të bindur udhëheqësin ushtarak sudanez dhe kreun e forcave rivale paraushtarake që të ulen për bisedimet e paqes.
"Kjo nuk është një luftë midis një ushtrie dhe një grupi të vogël rebelësh. Janë pothuajse si dy ushtri - të stërvitura mirë dhe të armatosura mire", tha ai
Zgjatja armëpushimit midis fraksioneve rivale pasoi përpjekjet intensive diplomatike nga vendet fqinje, si dhe SHBA,dhe OKB. Luftimet në Sudan shpërthyen më 15 prill si rezultat i një lufte të ashpër për pushtet midis ushtrisë së rregullt dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë. Komandanti i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe shefi i RSF-së, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur më mirë si Hemedti, nuk pajtohen rreth lëvizjes së propozuar të vendit drejt sundimit civil, dhe në veçanti rreth kornizës kohore të përfshirjes së 100,000 trupave të Forcave të mbështetjes së shpejtë në ushtri. Të dy fraksionet kanë frikë nga humbja e pushtetit në Sudan, pjesërisht sepse nga të dyja palët ka njerëz që mund të përfundojnë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës të kryera në rajonin e Darfurit pothuajse 20 vjet më parë.
Për shkak të konfiktit miliona njerëz mbeten të bllokuar në Khartoum, ku ka mungesë të ushqimit, ujit dhe karburantit. Hemedti tha për BBC se nuk do të negociojë derisa të mbarojnë luftimet. Ai tha se luftëtarët e tij po bombardoheshin "pamëshirshëm" që nga zgjatja e armëpushimit. "Ne nuk duam të shkatërrojmë Sudanin," tha ai, duke fajësuar shefin e ushtrisë, gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan për dhunën. Gjenerali Burhan - kreu i ushtrisë së rregullt të Sudanit - ka rënë dakord paraprakisht për bisedime ballë për ballë në Sudanin e Jugut.