TIRANE- “Do shkoj në Turqi për të punuar”. Këto kanë qenë fjalët që shumica e 50 personave që janë dërguar në Siri për të luftuar u kanë thënë familjarëve të tyre. Ata janë detyruar të mbajnë të fshehtë destinacionin e tyre pasi askush nuk duhet të ishte në dijeni se po shkonin të luftonin në krah të opozitës në Siri. Pas arrestimit të dy ditëve më parë në Tiranë të tetë personave, dy prej tyre të vetëshpallur imam dhe shpalljen në kërkim të pesë të tjerëve pasi dyshohet se rekrutonin të rinj për t’i dërguar në Siri, policia ka zbardhur detaje të reja.

Burime nga policia thanë për “Shqiptarja.com” se nga 50 personat e dërguar në Siri gjatë një viti janë identifikuar vetëm rreth 15 prej tyre. “Policia ka një listë me 15 emra të personave që ndodhen në Siri, ndërsa të rinjtë e tjerë janë ende të paidentifikuar. Kjo për shkak se ata e mbanin të fshehtë destinacionin e tyre edhe ndaj familjarëve” thanë burimet policore.

Mungojnë denoncimet
Megjithëse policia dyshon se shumë të rinj janë rekrutuar për të luftuar në Siri, ende nuk kanë mbërritur denoncime nga familjarët e tyre. Sipas policisë, pjesa më e madhe e familjarëve të këtyre djemve nuk janë në dijeni të vendndodhjes së tyre. Kjo për shkak se ata janë detyruar të mos tregojnë destinacionin e vërtetë. Të arrestuarit që rekrutonin të rinjtë, dyshohet se u kërkonin atyre të mos tregonin as në familje se do të luftonin në Siri. Të rinjtë kanë deklaruar se do të shkonin në Turqi për të kërkuar punë.

Sipas policisë ata janë dërguar fillimisht në Turqi dhe pasi kanë qëndruar pak ditë aty, janë dërguar në Siri për të luftuar në krah të opozitës. “Pas një hetimi prej rreth 1 viti, policia bëri të mundur shkatërrimin e një celule terroriste e cila dyshohet se rekrutonte të rinj për t’i dërguar në luftë. Policia parandaloi rekrutime të tjera që ishin ende në proces. Janë të paktën 10 persona të cilët ishin në fazë rekrutimi dhe pritej të dërgoheshin në Siri në ditët e ardhshme.

Policia ka parandaluar dërgimin e të tjerë personave të mundshëm në luftë” thanë për gazetën burimet policore të cilat shtuan se ende nuk dihet asgjë për fatin e personave që janë dërguar në luftë. Të njëjtat burime thanë se aktualisht nuk mund të bëhet asgjë për kthimin e tyre në Shqipëri, ndërsa nuk ka ende një list të plotë me emrat e personave që janë dërguar në Siri.

Arrestimet
Prokuroria për Krimet e Rënda në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, shkatërruan dy ditë më parë një celulë terroriste. Tetë persona, mes tyre dy të vetëshpallur imam në Tiranë, u arrestuan ndërsa pesë të tjerë u shpallën në kërkim, pasi dyshohet se ishin të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri.

Genci Balla i vetëshpallur Imam i Xhamisë tek Unaza e Re, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe Bujar Hysa, i vëtëshpallur Imam i Xhamisë së Mëzezit dyshohet se ishin organizatorët e këtij rrjeti, ku duke ushtruar aktivitet fetar ilegal, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Dhjetëra xhami ilegale në Shqipëri
Komuniteti Mysliman ka njohur rreth 650 xhami, por ka me dhjetëra të tjera në Shqipëri të cilat janë të palegalizuara. Këto xhami ndodhen kryesisht nëpër fshatra. Këto xhami janë ngritur si ndërtime pa leje ndërsa nuk kanë ndjekur procedurën e hapjes, kompetencë kjo e cila njihet nga Komuniteti Mysliman. Kreu i Komitetit të Kulteve, Ilir Hoxholli, u shpreh se duhet ndërhyrë sa më shpejt për të bërë të ligjshme këto objekte kulti, të cilat për shkak të ndjeshmërisë së tyre nuk mund të prishen. Një çëshjte e ndjeshme në funsksionimin e xhamive është ajo e financimit. Aq më tepër për xhamitë e palegalizuara për të cilat nuk ka të dhëna për financimin e tyre. Ndërkohë që edhe për dy xhamitë ilegale të zbuluara gjatë operacionit të dy ditëve më parë, policia ende nuk ka mundur të zbulojë financuesit.
 
Shkrimi u publikua sot (13.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)