Luga boshe e Shëndetësisë

Luga boshe e Shëndetësisë
Ministria jone e shendetesise ‘nxitoi” te bënte analizën vjetore këtë here. Them nxitoi pasi radha e do qe fillimisht bëhen analizat ne institucionet shëndetësore te vartësisë dhe me pas Ministria bën analizën e saj përmbledhëse te arritjeve por edhe te sfidave qe duhen zgjidhur ne te ardhmen. Por këtë vit, krerët e Ministrisë se Shendetesise e panë te udhës (si për shume gjera te tjera) t’i japin drejtim punëve nga lart, pavarësisht se analizat e institucioneve te vartësisë nuk dihet se ne ç’fazë janë.
Por le ti fokusohemi ne përmbajtjen e kësaj analize. Siç edhe pritej, ne këtë analize u shpalosen “arritjet e shkëlqyera” te ndodhura ne sistemin tone shëndetësor “sidomos ne këto dy vitet e fundit” . Unë po mjaftohem te diskutoj vetëm dy nga ato me te spikaturat, qe sipas krerëve te kësaj Ministrie janë:
1. “Evropianizimi i sistemit farmaceutik”; i cila sipas tyre konsiston ne legjislacionin perëndimor ne sistemin farmaceutik, uljen e çmimeve te barnave, rritjen e numrit te medikamenteve ne treg, etj. Si ka mundësi qe të tallen kaq fort me shqiptarët qe çdo ditë e më shume po e provojnë në kurrizin e tyre peshqeshet e këtyre “arritjeve” fantazme qe ekzistojnë vetëm ne mendjen dhe kuletën e disa drejtuese te Ministrisë se Shendetesise. Ne raport citohet: “ Vendosja e TVSH 10 % për ilaçet me 1 Shkurt 2011 ka ulur çmimin e ilaçeve “. Për hir të vërtetës kjo është një mungesë respekti dhe fyerje e rëndë për inteligjencën e një populli të tërë. TVSH e barnave ose ndryshe taksa vetëm për te sëmurët po rrëmben sot nga xhepat e tyre 25.2 milion dollarë për 1 vit. Nëse e paskeni ulur çmimin e barnave dhe po ashtu keni rritur financimin e shendetesise, si shpjegohet qe ne spitalet tona mungojnë dhe barnat me te domosdoshëm? Si shpjegohet qe çmimet e barnave qe blejnë me tenderë “rrjepësit” tuaj qe drejtojnë spitale sot janë rreth 30% ne te larta se çmimet e barnave gjate kohës se qeverisjes socialiste? Xhiro vjetore e shitjes se barnave në Shqipëri është 160 milion euro prej te cilave 45 % rimbursohen prej ISKSH ndërsa 55 % paguhen nga të sëmurët së bashku me TVSH e shtuar. Ulja e marzhit të tregtimit normalisht duhet të sillte uljen e çmimeve të ilaçeve por është pikërisht kjo takse ndjellakeqe qe troket ne derën e çdo te sëmuri dhe e rrit çmimin me 14 % . I njëjti bar me çmimin 10 lekë plus 10% TVSH=11 lekë,plus 10% marzhi i depos=12,1 lekë,plus marzhin e farmacisë 26%=15,2 lekë, në total e çon çmimin e barit në 14% më shumë se më parë. “Evropianizimi i sistemit farmaceutik” sipas modelit te drejtuesve te sotëm te Ministrisë se Shendetesise çoi ne ndryshimin në ligjin “Për shërbimin farmaceutik “ dhe konkretisht pika 2 e nenit 30 te këtij ligji u shfuqizua duke eliminuar kriterin e largësisë ose te dendësisë së popullsisë për hapjen e një farmacie për çdo 3000 banore . Shfuqizimi i këtij neni sot ka sjellë një katrahure të vërtetë në tregun e shpërndarjes se farmacive duke u grumbulluar vetëm rreth spitaleve e ambulancave e duke lënë zona të tera rurale pa shërbim farmaceutik. Ky është me të vërtetë ç’evropianizim i qëllimshëm vetëm për interesa të ngushta duke mos menduar kurrë për qytetarin . Përpara se të diskutohej shfuqizimi ne komisionin parlamentar te PCSSH grupet e interesit të përfaqësuara nga Urdhri i Farmacistëve te Shqipërisë , Shoqata e Farmacistëve insistuan disa herë që të dëgjoheshin propozimet e tyre qe sot tingëllojnë tepër të vërteta por u injoruan nga mazhoranca duke mos pranuar as t’i dëgjojnë ashtu siç u injorua nga e njëjta mazhorancë edhe nisma e PS për heqjen e TVSH për ilaçet e mallrat e konsumit ne seancën plenare te 22 Dhjetorit 2011.
Në programin e Partisë Socialiste te Shqipërisë “ Për një rilindje kombëtare “ është shprehur shumë qartë vendosmërinë për të qenë në shërbim të qytetarit jo duke rritur vetëm numrin e medikamenteve në treg por mbi te gjitha duke i ofruar shërbim farmaceutik cilësor pavarësisht ku jeton, edhe në zonat më të largëta duke shfrytëzuar nëse do jetë nevoja edhe farmacitë publike. Kohezioni territorial dhe social i shoqërisë sonë për ne socialistët merr një rëndësi të veçantë. Ne do t’i kushtojmë vëmendje te veçantë kontrollit të cilësisë së barit që të jetë në përputhje me përcaktimet e principeve aktive. Ky do të jetë vizioni ynë i ri në lidhje me sektorin farmaceutik duke realizuar sa më shpejtë të jetë e mundur njëjtësimin e çmimeve të ilaçeve me vendet e rajonit .

2. “Evropianizimi i sistemit te urgjencave” është “suksesi” i dyte i vitit 2011 për drejtuesit e Ministrisë se Shendetesise. Them për drejtuesit e Ministrisë se Shendetesise sepse kjo është e hidhur dhe tallëse për këdo që e dëgjon ose lexon. Nëse ka sektor shëndetësie që lëngon prej vitesh është urgjenca mjekësore. Katandisjen e sotme nuk ka grant Japonez qe ta mbulojë se nuk është vetëm çështje investimi por mungesat fillojnë që tek burimet njerëzore, profesionalizmi, mungesa e vullnetit për të hequr dorë nga vjedhjet e abuzimet. Pesimizmi nuk vjen rastësisht por eksperienca e hidhur e buron së brendshmi. Sot kjo qeveri mburret me urgjencën e QSUT, të cilën e ka inauguruar të paktën tri herë dhe ende nuk është vënë në eficencë. Asgjë nuk ka ndryshuar nga pritja e stërzgjatur me ditë në urgjencë për t’u shtruar në pavijonet e specializuara. Pse nuk i tregoni shqiptarëve sa vjet ju deshën për të ndërtuar spitalin e urgjencës i planifikuar nga qeveria socialiste që në 2005 kur është firmosur kredia me Bankën evropiane për Zhvillim. Plot 7 vjet për të ndërtuar një spital që sot është katandisur si mos më keq, duke u thyer ne një “Eldorado” për ata qe duan hapësire, me devijime te renda nga projekti fillestar dhe një dështim ne këndvështrimin e eficiences. Në urgjencat e rretheve tona mungojnë pajisjet speciale të urgjencës, pajisjet ekzaminuese, janë të pamjaftueshme mjetet e transportit tek të cilat mungojnë deri edhe barelambajtësit, mungon qendra e ndërlidhjes dhe komunikimit sipas qarqeve dhe ajo qendrore e të tjera ,që në pamje duken më të vogla ,por që të gjitha bashkë bëjnë që ky shërbim të çalojë seriozisht. Po për shërbimin e urgjencave mjekësore ne ndihme te qytezave pse nuk flisni? A e dini ju se ne popull për shpjetesine dhe cilësinë e ndihmës mjekësore qe marrin nga urgjencat tuaja ka edhe anekdota si :”Me shpejt te vjen makina e funeralit se autoambulanca”. E keni llogaritur ndonjëherë se sa banore mbulon një autoambulance sot ne Tirane? Jua themi ne, 100 000. Besoj se kjo se paku për ne vendet evropiane është rekord negativ. E keni llogaritur ju sa kohe mesatarisht i duhet një autoambulance te çoje te plagosurin/sëmurin ne spital? Po raportin transport me autoambulance apo me mjet te rastit për dërgimin e te plagosurit/sëmurit ne spital e keni llogaritur? A i keni krahasuar këto tregues me ato evropiane për te pare ku jemi me “evropianizimin” tuaj? Në programin tonë do ti kushtojmë një vëmendje e veçantë mënyrës së funksionimit të urgjencave, sipas një plani kombëtar e modeleve me te përparuara evropiane, duke kombinuar me shërbimet e tjera publike te lidhura ngushtësisht me urgjencat mjekësore.

Pas 17 vjetësh është vërtetuar se sistemi i sigurimeve shëndetësore ka dështuar e nuk arrin të mbulojë me shërbim shëndetësor pjesën më vulnerabël të shoqërisë. Kontributi që japin të ardhurat e ISKSH në buxhetin e shëndetësisë mbulon vetëm 22 % të këtij buxheti.
Sistemi shëndetësor kombëtar me mbulim universal që nënkupton futjen e të gjithë qytetarëve në këtë skemë mbulimi shëndetësor pavarësisht i punësuar apo jo, i varfër apo i pasur , në fshat apo qytet , është domosdoshmëri në kushtet aktuale. I sigurojmë të gjithë skeptikët se kjo është plotësisht e mundur dhe eksperienca e vendeve të tjera në zhvillim e ka treguar këtë. Sipas raportimeve te OBSH pjesa me e madhe e vendeve ne zhvillim po shkojnë drejt mbulimit universal duke e trajtuar shëndetin si te drejte themelore. Tashme është vërtetuar katerciperisht se sistemi i sotëm i financimit stimulon korrupsionin, burokracinë dhe diskriminim e pamase. Ndaj ne po punojmë intensivisht për te realizuar një ndryshim rrënjësor ne sektorin e shendetesise. Për te do te mbështetemi ne një ekip te gjere bashkëpunëtoresh, specialiste ne fushën e menaxhimit shëndetësor, me eksperience te gjate ne fushën e shendetesise, mjeke, dentiste, farmaciste, infermiere e punonjës te tjerë te sistemit te shendetesise te cilët jo vetëm qe do te furnizojnë çdo dite me idetë e tyre sistemin e ri shendetesor, por mbi te gjitha do te jeni ata qe do te jene pjese shume e rendesishme integrale e ketij sistem . (ne foto QSUT)

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin