Luhen partiturat e Vivaldit, ruajtur
nga familja Durazzo

Luhen partiturat e Vivaldit, ruajtur<br />nga familja Durazzo
Durrësi dhe lidhjet e tij shekullore me muzikën, kanë qenë tema qendrore e mbrëmjeve të Bienales “Netët e muzikës klasike”, që vazhdon prej katër ditësh në qytetin bregdetar. Pas Jan Kukuzelit dhe Gjergj Danush Lapacajës, një mbrëmje iu kushtua Antonio Vivaldit dhe partiturave të tij.

Në Kon-katedralen “Shën Luçia”, orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” dhe instrumensiëtët durrsakë, që vijojnë veprimtarinë e tyre artistike brenda dhe jashtë vendit, ishin protagonistët e muzikës baroke të Vivaldit. Ideatori dhe drejtuesi i Bienales, Florian Vlashi, tha për dëgjuesit e shumtë se, partiturat e mjeshtrit Antonio Vivaldi janë ruajtur për dy shekuj në arkivin e familjes Durazzo në Gjenova. Familja me prejardhje nga Durrësi, i ka dhënë Republikës së Venedikut 9 dogjë (titull i njejtë me atë të kontit) dhe është bërë ruajtëse e një pasurie të madhe muzikore, e cila filloi të njihet nga publiku i gjerë, vetëm pas vitit 1932.

Violinistet Adelina Hasani (Holandë), Mira Ikonomi e Nevila Kalaja (Shqipëri), violonçelisti Moni Kurçii dhe fagotisti Piro Sota (Shqipëri), së bashku me babë e bir; Florian dhe Daniel Vlashi (Spanjë), fituan admirimin e publikut, falë interpretimit mjeshtëror të katër koncerteve përzgjedhur nga krijimtaria e Vivaldit. Solistët i dhanë kënaqësi spektatorëve, kur pas kërkesës së tyre interpretuan një tjetër perlë të muzikës baroke, të veshur me maskat veneciane, duke krijuar një atmosferë të këndshme argëtuese. Mbrëmjen e së shtunës, dy pianistë nga Durrësi, me përvoja krejt të ndryshme, performuan vepra nga autorë klasikë dhe modernë në odeonin “Nikolin Xhoja”.

Aksinja Xhoja, e njohur për veprimtarinë e saj pianistike në Itali dhe më gjerë, i la vendin 12-vjeçarit Erli Lila, fitues i disa çmimeve kombëtare, i cili në edicionin e pestë të Bienales së Durrësit zuri vendin e parë, mes 13 konkurentëve në “Natën e yjeve të rinj”. Të djelën, nxënës të moshave të ndryshme nga Durrësi, Tirana dhe Fieri, zhvilluan master-klasa falas, me pedagogët shqiptarë Florian Vlashi dhe Adelina Hasani. Pasdite vonë, larg syve të medias, pjestarët e familjes Vlashi, Floriani dhe Danieli në violinë dhe Rediana në violonçel, luajtën muzikë nga Moxart dhe Bela Bartok, për fëmijët jetimë të Shtëpisë së foshnjes. Edicioni i 6-të i Bienales “Netët e muzikës klasike”, që kremton në 10-vjetorin e krijimit, do të vijojë deri më 7 gusht, me mbrëmjet kushtuar solistëve të rinj, artit të violinës në Shqipëri, si dhe me koncertin ndërdisiplinor “Matematika dhe muzika”.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.06.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri