TIRANË- Një kallëzim i bërë kundrejt kreut të IMT-së Shkodër, Ervin Hoxha për shpërdorim detyre dhe korrupsion ka nxjerrë në skenë këngëtarin Luiz Ejlli. Kallëzimi u bë në SPAK në dhjetor 2023 nga ish-Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit Juridik në IMT Shkodër, por dosja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Tiranës në janar 2024. Luiz Ejlli kishte tentuar të ndërhyjë te kreu i IMT-së, Agim Ismaili, që kjo ndërtesë mos të prishej.

Ndërtimi pa leje

Gjithçka ka nisur nga ndërtimi i një objekti pa leje në Zogaj të Shirokës, i cili është konstatuar më datë 12.10.2023 dhe për të ishte marrë vendimi i pezullimit të punimeve dhe gjobitjes. Një ditë më pas, 11.10.2023, janë kryer inspektime dhe ka rezultuar se në këtë objekt vijonin punimet dhe në kallëzimin të cilin Shqiptarja.com e disponon, ishte 10 fishuar sipërfaqja e volumit të ndërtimit të paligjshëm.

Ndërtesa pa leje sipas kallëzimit është konstatuar në zonë të mbrojtur, e kategorizuar ‘Rezervat Natyror i Menaxhuar’. Ndërkohë, gjatë punimeve janë kryer gërmime në terren që është fond pyjor e kullosor dhe kjo përbën shkelje nisur nga fakti që ishte zonë e mbrojtur.

Më pas, drejtori i Inspektimeve, Zambak Gjoni, i është drejtuar me një kërkesë kreut të IMT-së, Agim Ismaili për ta prishur këtë ndërtesë dhe ka miratuar vendimin më datë 17.10.2023. Ndërtesa pa leje figuronte në emër të një 79-vjeçari, Zef Lgataj, për të cilin drejtori i Inspektimeve thotë se i është faturuar vepra penale për ndërtimin pa leje dhe gjoba 30 000 000 lekë. Kallëzuesi thotë se për 79-vjeçarin IMT nuk ka asnjë provë që të jetë autor i shkeljes. Pasi i janë drejtuar OSHEE mbi këtë rast, ka rezultuar se lidhja e paligjshme elektrike i atribuohej 79-vjeçarit Lgataj, i cili është vënë në hetim për “vjedhje të energjisë elektrike”.

‘E kam me ortak’, Luiz Ejlli kërkon që ndërtesa pa leje të mos prishet

Sapo është marrë vendimi për prishjen e objektit, Luiz Ejlli ka marrë me urgjencë kreun e IMT Shkodër, Agim Ismaili dhe i ka kërkuar atij një takim. Takimi është zhvilluar po atë ditë, 17.10.2023, dhe në kallëzim thuhet se Luiz Ejlli ka kërkuar që të mos ndërhyhet për prishjen e këtij objekti, të paktën për disa javë derisa ta legalizonin. Ismaili i ka këkruar edhe Drejtorit që ka bërë kallëzimin q ëtë marrë pjesë në këtë takim.

Në kallëzim, thuhet se në momentin që këngëtarit iu komunikua se nuk ka asnjë hapësirë ligjore që të mos prishet ky objekt, ai ka kryer një telefonatë në prani të zyrtarëve të IMT. Personi me të cilin ka komunikuar nuk dihet, por biseda është zhvilluar me zë të lartë përmes telefonit, dhe sipas kallëzimit personi në fjalë ka lëshuar kërcënime kundrejt zyrtarëve duke u shprehur se “nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse ta zgjidhë me armë”.

Tentativat e Luiz Ejllit për të ndërhyrë te kreu i IMT shkuan dëm dhe më pas në datë 10.10.2023 është prishur objekti. Telefonata e Luiz Ejllit kishte shtuar dyshimet e zyrtarëve të IMT-së se pas ndërtimit të këtij objekti nuk fshihej 79-vjeçari, por persona të tjerë. Kështu, zyrtarët u vendosën në lëvizje për të gjetur ‘kokën’ dhe kanë kryer disa inspektime te fabrikat e betonit me qëllim për të rënë në gjurmët e personit që ka kryer blerjet për këtë godinë.

Në kallëzimin thuhet se IMT nuk e identifikoi asnjëherë se për llogari të kujt po ndërtohej ky objekt, por kallëzuesi ka ngritur pretendime se ndërtesa ishte në të vërtetë e Bajrave, një grup kriminal me influencë në zonën e Shkodrës. Dhe madje në kallëzim thuhet se Luiz Ejlli do të merrte një pjesë nga ky ndërtim.

“Pas këtij operacioni të IKMT dhe veprimeve të tjera verifikuese administrative, kam vijuar detyrat normalisht megjithëse shpeshherë kam dëgjuar se ai ndërtim që prishëm: Është ndërtuar nga anëtar të grupit kriminal të "Bajrave" në Shkodër. Luiz Ejllit i është premtuar një pjesë e atij ndërtimi nëse do arrinte të shpëtonte prishjen e tij.Për prishjen e tij do hakmerreshin ndaj meje e të tjerëve.

Mirëpo këto të dhëna nuk i kam vlerësuar e as marrë në konsideratë për shkak se të gjitha veprimet e kryera prej meje kanë qenë në përputhje me parashikimet ligjore dhe i përgjigjeshin më së miri paligjshmërisë së konstatuar”, thuhet në kallëzim.

Pasi është shembur objekti dhe nisën inspektimet në fabrikat e betonit, në kallëzim thuhet se Luiz Ejlli ka kërcënuar sërish kreun e IKMT, Agim Ismailin, duke i thënë se “Paske dërguar njerëz të fabrikat e betonit”, “është mirë mos me e ndjek këtë çështje, "po e bën personale.”

Skandali thellohet edhe më tej, kur më datë 22.11.2023, kur Agim Ismaili lirohet nga detyra e kryeinspektorit dhe në vend të tij më pas emërohet Ervin Hoxha. Në kallëzim thuhet se pas kësaj lëvizje në IMT, kallëzuesi ka marrë një mesazh në telefon ku shkruhej “Të fala nga objekti në Zogaj shumë. Dhe Luiz Ejlli të çon të fala, do këndoj për ty shumë flm respekt”.

Një ditë pasi ka marrë këtë mesazh, drejtori i Inspektimeve në IMT thotë se në kallëzim se më datë 19.12.2023 Ervin Hoxha ka firmosur lirimin e tij nga detyra.  Nga detyra po ashtu u liruan më pas edhe inspektorët Alban Mustafaj dhe Kolin Laska, të cilët në fakt kishin zbatuar detyrën.