Luiza Xhuvani “lë” parlamentin
për “Zonjushë Margaritën”

Luiza Xhuvani “lë” parlamentin<br />për “Zonjushë Margaritën”
TIRANE- Deputetja Luiza Xhuvani ka dëshmuar se nuk e ka të vështirë të zbresë sa herë e kërkojnë nevojat e skenës nga plateja e Parlamentit. Gjithmonë e dashuruar pas skenës, ajo nuk e ndryshoi gjatë dy mandateve të saj rutinën e saj si aktore, duke iu nënshtruar provave dhe disiplinës skenike.
Luiza Xhuvanin këtë herë publiku do ta shikojë sërish në skenë me një shfaqje të veçantë, monodramën “Zonjushë Margarita”, me pikënisje veprën e autorit brazilian Roberto Atande (“Mënyra e zonjushë Margaritës”) me regji të Kiço Londos.

E kam ndjekur Luiza Xhuvanin gjatë provave të premierës së kësaj vepre, gati 6 vjet më parë. Përfshirja e saj në një rol të vështirë me një disiplinë interpretimi që i thoshte “ndal lodhjes”, më la në kujtesë një mesazh; se karriera në art nuk mund të fitohet pa derdhur mund dhe djersë. Kaq mjaftonte për të parë atë që s’mund ta shohim dot nga salla, përveç emocioneve që na jep roli para publikut, kur Luiza Xhuvani shfaqet me oratorinë energjike të monodramës së personazhit, mësuese Margaritës, gjë që i jep edhe një profil shumë modern si aktore. Vepra e Roberto Atandea-s trajton temën e dhunës dhe të diktatit.

Në qendër të veprës është një mësuese, Margarita, e cila në orën e biologjisë dhe të matematikës iu flet nxënësve për vdekjen dhe për seksin. Regjisori Kiço Londo ia ka besuar aktores Xhuvani këtë vepër si një sfidë. Kjo vepër është luajtur shumë rrallë nëpër botë, për shkak të vështirësive të mëdha që ka ajo kryesisht artistike, teknike, por edhe kontekstit psikologjik që mbart .

Për këtë rol aktorja Xhuvani, ka fituar çmimin “Kult”, ndërkohë që ka udhëtuar në disa festivale, siç është Festivali i Athinës në vitin 2009. Vepra ka udhëtuar edhe drejt Festivaleve në Beograd dhe Egjipt dhe në këto festivale Xhuvani ka marrë shumë vlerësime pozitive nga kritika. Aktorja-deputete nuk ka përtuar ta ngjis këtë vepër në skena të mëdha e të vogla të vendit, siç janë Teatri i Metropolit në Tiranë, si dhe teatrot e rretheve. “Zonjushë Margarita” është një rol i bukur në repertorin e personazheve të artit dramatik shqiptar, ndaj regjisori Kiço Londo ka synuar rikthimin e tij në skenë. Shfaqja “Zonjushë Margarita” do të jepet në datat 8 dhe 9 shkurt në Teatrin Alternativ “Kujtim Spahivogli” (ish-Teatri i Komedisë) Tiranë.
 

Shkrimi u publikua sot (04.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane