Luka Uqinaku, Një dedikim 
monumental për Marin Beçikemin

Luka Uqinaku, Një dedikim <br />monumental për Marin Beçikemin
TIRANË - Një vend të shquar nderi në raport me Beçikemin zë humanisti shqiptar Luka Ulqinaku  (Lucas Olchinensis por edhe Panaetius) i cili  ka qënë një emër  i pa njohur  në shkencën albanollogjike mes humanistëve shqiptarë.  Veprimtarija e tij është zhvilluar kryesisht  në gjysmën e parë të shekullit të  XVI. Është i njohur si  jurist, foîlolog, editor dhe ka  kujdesur botimin e mbi 15 veprave të ndryshme mes të cilave  bëjnë pjesë autorë të shquar si Tit Livi, Ciceroni, Virgjili, Diomedes, Plautit, Marsilio Ficino, komentet e Shën Tomasos mbi Etiketën e Aristotelit etj..

   Raportet e tij të  bashkëpunimit  me Marin Beçikemin  sipas ngjasave duhet të kenë  nisur shumë herët, ndoshta qysh nga jeta studentore meqënëse që të dy në forma të ndryshme ishin të lidhur me Ulqinin,  të dy kishin studjuar  për drejtësi mirëpo nga  mënyra se si Ulqinaku  i drejtohet humanistit tonë të le përshtypjen se ka qëne disi  më i ri se Beçikemi.  Mundësia për t'i dokumetuar  këto mardhënie për momentin verifikohet  shumë vite më vonë nga jeta e tyre  rinore.

   Më  10 maj 1519 u publikua  në Venedik   një përmbledhje e veprave virgjiliane e cila kishte pasur si kujdestar pikërisht Luka Ulqinakun (Vergilius cum commentariis. Opera Vergiliana... antea corrupta & mendosa... in integrum restituta...Venetiis ... impensis tamen d. Luce Antonii de Giunta, 1519 die X mensis Maii).  Këtë vepër  Ulqinaku  ja dedikon Marin Beçikemit  me që e dinte se ai ishte një studiues i apasionuar i  Virgjilit dhe me këtë  rast,  me një dashamirësi të shquar kundrejt humanistit tonë, tenton  të tërheqë vëmëndjen  me aluzione të ndryshme me qëllim që t'u tregojë lexuesve  se Marini i Shkodrës ishte vetëm një.

  Përsa i përket pasionit e angazhimit të Beçikemit për Virgjilin është një fakt i mirë njohur dhe gjërësisht i dokumetuar nga shumë burime. Dokumetohet në vitet  1492-95 kur nisi profesionin  e profesorit ne Raguza dhe i dedikon sentit raguzan Qortime  dhe vërjtje mbi Virgjilin, Ovidin, Ciceronin,  Servium dhe Prishianin (Castigationes et observationes in Virgilium, Ovidium, Ciceronem, Servium et Priscianum)  (H.M.Allen: Opvs epistolarvm Des. Erasmi Roterodami Tom. VI, 1525-1527, Oxonii 1992, f. 141, n* 83.).

E konfermon huamisti dhe miku i tij shumë i afërt Giovanni Britanico kur Beçikemi bënte profesorin në Breshia dhe kishte gati për botim : Disa vërejtje  Virgjililiane;  Vërejtje mbi Livin e Fabion; Komente mbi Perseun etj (Clough1970). Na e konfermon Marino Sanudo që asisaton gjatë leksioneve të tij në shkollën e kancelarisë në Venedik më 1509 kur ai mbante leksione mbi Plinin, Ciceronin e Virgjilin gjatë mëngjezeve dhe më pas i diskutonte me studentët  gjatë mbrëmjes për të cilat  Sanudo thotë  se ishte një pamje  shumë bukur t'i shikoje (la sera disputano insieme, ch'è bel veder) (M. Sanudo:  Diarii, XII, Col. 296.)

 Mirëpo dashamirësia dhe pasioni për Virgjilin,  për poetin andin,  do të manifestohej edhe në i  ashtuqojturi  Barleti që  nuk mund të kishte  dëshira dhe pasione të ndryshme nga ato të  Beçikemit.

   ...Po të kisha mundësi- shkruan  ai në De Obsidione Scodrensi (1504) - të këndoja edhe unë ashtu si i këndon poeti andin udhëheqsit dardan, kurrë s'do ta kaloja në heshtje dhe me mosmirënjohje një ngjarje kaq të rëndësishme..(M. Barleti: Rrethimi i Shkodrës-T. 1982,  24 e n*  4.)
 Ja pra duke ditur këtë angazhim konstant të  Beçikemit drejt Virgjilit në hyrjen dedikuse në veprën e sipërcituar  Luka do të shkruajë :
...të gjitha korigjimet, cilado qofshin ato, o Marini im, janë rishqyrtuar nën emrin tënd, po ta dërgoj si dhuratë  ty që deri në majat e thonjve ke zbukuruar shpirtin tënd me literaturë greke dhe latine në një mënyrë të tillë që ti ngjan të jesh pothuajse i vetmi ndriçim jo vetëm i Shkodrës të pamposhtëme por edhe i gjithë Italisë...

   Duke lënë mënjanë ekzagjerimet  gjejmë këtu  aludimin e parë ku Ulqinaku  përjashton  të ashtuqojturin Barleti si një figurë qëndrore e Shkodrës. Më pas ai i numuron me radhë Beçikemit  një sërë meritash si humanist e si profesor në Raguza, Breshia e Padova duke qëndruar  tek fakti i mësimdhënjes së tij:
...i je drejtuar studiuesve të literaturës me leksione të një dobie të përgjithëshme deri në atë pikë sa,  falë mësimdhëjeve të tua,  universitete të tërë në Itali kanë mundur të shkëlqejnë lehtësisht...
 
 Në lidhje me këtë komunikim të Luka Ulqinakut njihet  një rast në Romë ku më 1510 u botua një veprë pliniane sipas modelit të veprave të Beçikemit. Autor nër këtë rast  kishte  qënë  Antonio Fabri nga Ferrara që kishte  dhënë mësime si në qytetin e tij të lindjes po ashtu edhe në Romë më 1514.
  Luka  vazhdon  dedikimin me respektin më të madh duke e ngritur  Beçikemin në piedestalin  më të lartë të nderit:
  
   Në fakt pastaj si mund të le në  heshtje meritat e tjera, që në gojë të të gjithëve të lavdërojnë ty  me një adhurim dinjitoz; nuk ka asnjë që të mohojë se sa i zoti je si orator, aq shumë sa në kohët e sotme  mund të shikosh pak veta të barabartë me ty.

Hesht për ndershmërinë, kujdesin  e virtytet  e tua të shumëllojshme dhe lëvdat e shkëlqyera të qytetit të famshëm të Shkodrës, që kur Muhameti, sundues i botës, vendosi një  ushtëri  që zgjati një vit, me dyqindmijë ushtarë, e mundi ta rrethonte me një sulm që nuk ishte dëgjuar kurë më parë, aplikovi  të gjitha llojet e vuajtjeve, që shpirti lebetitet  t'i tregojë, pas një shkatrimi të çdo lloj ndërtese publike dhe private, u hodh në beteja (për  kalanë)  trup me trup më shumë se një herë, dhe u spraps nga një mijë e pesqind shkodranë  me turp  shumë të madh për ata...e nuk mund të merte dot as lavdinë për shkak të largimit vullnetar të qytetarëve. I përshkruan të gjitha këto gjëra  saktësisht në Historitë e tij Marin Barleti i Shkodrës, për të cilat u interesua,  i pa dhe  dha dëshmi, e nga shumë, që takohen  në raportet e ngjarjeve njerzore  , e dimë që paraqiti një dëshmi të vërtetë.

Shtoj për këtë, o Marini im, se Virgjili më parë ishte i gabuar dhe i ndryshuar, është korigjuar nga unë me kujdesin më të madh...
 
  Bie në sy fakti  se  Beçikemi  paraqitet i nderuar dhe i  respektuar prej  të gjithëve  por edhe me  lëvdata shumë të shkëlqyera nga qyteti e qytetarët e Shkodrës duke e vlerësuar si  një nga oratorët e pakët  e më të shquar të kohës. Fill pas këtij prezantimi  përmënd luftën  heroike të  Shkodrës e kalimthi  do përmëndë edhe  Barletin që i ka pasqyruar këto ngjarje në historitë e tij.

    Ulqinaku edhe pse duket njeri  me shumë edukatë nuk mer mundimin,  ashtu si e kërkonte etiketa e kohës, ta cilësojë Barletin :  i ndershmi,  prifti  apo  famulltari Marin Barleti,  meqënëse sipas disa  dokumentave të kohës i ashtuqojturi Barleti mbas 28 shtatorit 1494 duhej të kishte filluar veprimtarinë si prift  në Piovene të Viçencës (P. Gios : Tra l'Astico e il Brenta. Trento 1997, f. 56, 77).  Veç kësaj është edhe fakti i mirëditur se në veprën për të cilën na flet Ulqinaku autori e kishte prezantuar  vehten si:  Marini Barletii Sacerdotis scodrensis. Nga ana tjetër  Ulqinaku nuk i njeh Barletit as ndonjë cilësi si orator  e këtë mjeshtëri kaq të veçantë e të shquar  ndër shkodranët e kishte pasur  vetëm  Beçikemit që e dalloheshe  mbi të gjithë bile  edhe në Itali.

Mirëpo  i ashtuqojturi Barleti na del në veprat e tij  po aq orator sa Beçikemi. Në  Historia e Skëndërbeut gjejmë 108 fjalime dhe letra të ndara në mënyrë të barabartë ku 54 i takojnë Skendërbeut si protagonisti i historisë dhe 54 personave të tjerë. Një  shpërndarje kaq të përsosur  mund ta bënte vetëm një specialit i artit  oratorik. Në një farë mënyre  i vetëqojturi Barleti  zbulon vetvehten edhe pa marë në konsidertatë thënjen e Paolo Giovios kur thotë se ai e shkrojti veprën  me atë elokuencë që zotëronte [Karanxha2010: 17 dhe n* 2, 3] duke nënkuptuar Beçikemin.

    Duke u kthyer tek dedikimi i Ulqinakut vemë re se ai  nuk shtyhet  që ta deklarojë Barletin as si pjesmarës të drejtpërdrejtë në rrethimin e dytë të Shkodrës dhe as si autorin e një tjetër  vepre akoma më të madhe siç duhej të ishte Historia e Skëndërbeut e pretenduar akoma sot prej shumë studiuesish  si një botim i vitit 1510. Kuptohet këtë të fundit nuk kishte si ta deklaronte  se kjo vepër  më 1519  nuk kishte parë akoma dritën e botimit.

  40 vjet pasi kishte ndodhur lufta e Shkodrës dhe 15 vjet pasi ishte botuar ‘De obsidione Scodrensi’, Luka Ulqinaku bën një rikujtesë pranë emrit të Marin Beçikemit  edhe për të vetëqojturin Barleti. Siç shihet me pak fjalë  e në një formë të qortuar por edhe për të treguar  se ajo vazhdonte të ruante akoma  vlerat e saj.  Fill pas këtij  mesazhi ndron menjëherë argumetin e me një thirje plot respekt  e dhimbsuri  për  Marinin  i treguar  se  ka  bërë gjithçka  që mund të bëhej për të  ndrequr  gabimet në veprën e Virgjilit mirëpo nuk përmënd faktin që kalimthi ka  korigjuar edhe veprën e të ashtuqojturit Barletit.

Ai ka  ulur numurin e rrethuesve në 200 mijë  vetë (në vepër shpihet deri në 350 mijë vetë ) dhe duke sugjeruar për të rrethuarit brenda kalasë  1500 veta (në  vepër ka vetëm aludime por nuk jepet asnjë shifër e përgjithshme. Në fakt kanë qënë  1600 ushtarë mercenarë  dhe 1800 vendalinj). Këto shifra  të korigjuara apo të plotësuara Ulqinakut  nuk mund t'ja jepte  askush tjetër veç Beçikemit që i njihte mirë detajt,  gabimet apo mungesat në atë vepër.  Kështu Ulqinaku me nota pezmatimi na komunikon se veç këtyre i mbetet  akoma edhe diçka tjetër  e rëndësishme  që ai kishte mundësinë  ta  ndreqte qoftë edhe me një fjalë të vetme  por  këtë  fakt e le në mirëbesim të lexuesve të mënçur  me shpresën  që ta kuptojnë  vetë mbasi  është “lehtë  të shikohet”.  Dedikimi mbyllet  me fjalët:

Po i le (këtu) mënjane gabimet (e tjera) dhe (gjithë) pakujdesite,  qe jane te pafundme, dhe per ta thene me nje fjale  të vetme, vetëm nje korigjim do të mundnja ta ndreqnja, pikërisht atë, që është e lehte të shikohet.  Qofsh mire o Marini im, dhe do të desha të të bindnja per nder te Atdheut, nga i cili kam pasur  mbi të gjitha  bindjen qe ti je per mua nje Atë  shume i nderuar.
 
  Në qoftë se Ulqinaku ishte ndërgjegjësuar bindshëm  e me kopetencë të plotë për hir  të Atdheut e cilëson atë  si një Atë shumë i nderuar nuk duhet të ketë asnjë arsye që edhe të tjerët të mos ta shikojnë dhe të mos ta nderojnë atë si Babain e kombit shqiptar. Ky ishte dedikimi monumental, jo aq i thjeshtë për ta kuptuar, por që e vendoste Beçikemin, dhe jo Barletin,  në piedestalin më të lartë të historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar.

   Disa  herë në dedikim përdoren  fjalët: patria(Atdhe) dhe  patrem charissimum (Atë i shtrenjtë) të lidhura me emrin e  Beçikemit. Më shumë se kaq  Ulqinaku  nuk mund  të theshte. Ishin të  mjaftueshme aluzionet  mbasi  nuk mund ta shpallte publikisht kush ishte ai Barlet kur  akoma priteshe momenti i përshtatshëm që të dilte në dritë me po këtë pseudonim  kryevepra  e tij   Historia de Vita et gestis Scanderbegi (1522) për të cilën kishte punura gati 18 vjet.

Ulqinaku e dinte mirë këtë gjë e nuk mungoj të jepte kontributin e vet  për botimin e  veprës(I. Karanxha: Dy shqiptarë në fillimet e editorisë veneziane : Luka Ulqinaku, Bernardino de  Vitali.  Tirana observer 20 mars, 2011).   Si konkluzion mund te themi se dedikimi  monumental  dhe disi  i kriptuar i Luka Ulqinakut, që paraprin me gati 30 vjet deklartën  e Paolo Giovios për Beçikemin, ka mbetur i pa njohur në  kulturën evropiane  e po ashtu edhe  në shkencën e kulturën e sotme shqiptare e cila duket pak e intresuar mbi këtë argument.
 
(Nxjerë me shkurtime nga një studim i pabotuar i vitit 2014.)                                                                                
Firenze 17. 03. 2016


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar