PRISHTINË, 4 Dhjetor/ATSH/.- Për ndërrimin e rrjetit të ujësjellësit ekzistues, por edhe rrjetit të ri në komunën e Vushtrrisë dhe në fshatra, do të investohen 1 milion euro donacion nga qeveria e Luksemburgut në bashkëfinancim me komunën.
Sipas KosovaPress, marrëveshja për bashkëfinancimin e këtij projekti është nënshkruar të enjten nga kryetari i Komunës, Bajram Mulaku, dhe përfaqësuesi rajonal i organizatës qeveritare të Luksemburgut Lux-Development, Pascal Rossignol.
Kryetari Mulaku ka vlerësuar mjaft të rëndësishëm këtë projekt.
"Ky investim është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Vushtrrisë, në veçanti në këtë kohë kur po rriten kapacitetet e furnizimit me ujë të pijshëm", ka thënë Mulaku.
Sipas tij, është mirë që ky investim po bëhet paralel me planet e komunës për rregullimin e disa rrugëve në qytet ku do të ndërrohet rrjeti i stërvjetruar i ujësjellësit.
Ndërkaq, Pascal Rossignol, tha se ky projekt shumë i rëndësishëm për qytetarët e Vushtrrisë do të nis së zbatuari në pranverë të vitit të ardhshëm dhe do të zgjas dy vite.
Qeveria e Luksemburgut për këtë projekt ka ndarë 700 mijë euro, ndërsa komuna e Vushtrrisë 300 mijë euro./m.m/