Luli Bitri aktorja
rikthehet “në shtëpi’

Luli Bitri aktorja<br />rikthehet “në shtëpi’
TIRANE - Luli Bitri, aktorja shqiptare që u bë e famshme në Itali me vlerësime më të larta për filmin “Dimmi che destino avrò”, gjatë kësaj vere do t’i rikthehet kinemasë shqiptare. Regjisori Kreshnik Saraçi e ka përzgjedhur aktoren Bitri për një rol në filmin e tij artistik “Më në fund në shtëpi”, i cili pas një muaji pritet që të përmbyll të gjithë projektin për xhirimet dhe kastin e aktorëve.

Aktores së njohur Luli Bitri i është propozuar nga regjisori roli i bashkëshortes në një çift që mbart gjithë simbolikën e filmit. Sipas regjisorit ky rol “do ta rikthejë sërish aktoren e njohur shqiptare në Tiranë, jo vetëm për për xhirime, por edhe në vëmendje të publikut. Aktorja Luli Bitri prej vitesh jeton në Torino.

Në filmin e ri shqiptar, Luli Bitri do të jetë në qendër të vëmendjes së skenave filmike, e cila do të shfaqet në një udhëtim familjar me tre pjesëtarë të tjerë të familjes, bashkëshortin dhe fëmijët. Luli në rolin e bashkëshortes, bashkëshorti dhe fëmijët bëjnë një rrugë të gjatë për t’u kthyer në shtëpi.

Ka qenë një udhëtim i lodhshëm për të gjithë, sepse ata po kthehen nga varrimi i babait të burrit të saj. Ndërsa gjatë udhëtimit ata kujtojnë lidhjet e zbehta që kanë pasur, duke iu kujtuar fëmijëve gjyshin e ndjerë, udhëtimi bëhet akoma më i lodhshëm, sidomos për fëmijët.

Nëpërmjet këtij udhëtimi dhe dialogëve me të cilët komunikojnë familjarët, dalin në pah të gjitha problemet e një familjeje bashkëkohore. Konkretisht në këtë familje vihet re se ka një mungesë komunikimi midis brezave dhe gjithashtu në marrëdhëniet mes çiftit. Filmi vijon me këtë tematikë, subjekti i të cilit mbështetet në intrigat dhe ndjesitë njerëzore.

Aktorja Luli Bitri vjen të luajë një film në Shqipëri pas suksesit që pati me filmin “Amnistia” ku mori mjaft vlerësime me rolin e saj. Pasi të ketë bërë edhe pushimet e verës, mësojmë se aktorja do të nis punën për këtë projekt të ri xhirimesh në atdheun e saj. Ndërkohë dimë që aktorja Luli Bitri ka marrë tri çmime në festivale të ndryshme të filmit.

Më i fundit ishte çmimi i marrë në Napoli në edicionin XIII të Festivalit “Napoli Cultural Classic”. Para këtij çmimi, aktorja e njohur është vlerësuar me dy të tjerë për rolin e luajtur të Alinës në “Dimmi che destino avrò”. Filmi “Amnistia” i Bujar Alimanit i ka dhuruar aktores Luli Bitri çmimin “Aktorja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vernon të Francës për interpretimin e rolit protagonist të Elsës.

Ka qenë një film i frymëzuar nga një ngjarje e kronikës shqiptare, e cila sjell në ekran marrëdhënien e vështirë të dashurisë mes një gruaje e një burri të cilët njihen rastësisht gjatë vizitave të përmuajshme në burg ku gjenden partnerët e tyre. Pjesa më e madhe e filmave ku është protagoniste Luli Bitri prekin tema delikate njerëzore.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)