Luli Bitri: Partnere me
aktorin e “Gomorra”

Luli Bitri: Partnere me<br />aktorin e “Gomorra”
Luli Bitri ka pasur një vit të mbarë. Fati vijon ta përkëd helë, sepse sapo ka mbaruar xhirimet e një filmi që pritet të dalë në kinematë italiane këtë vjeshtë. Pas rolit të saj tek “Aministia”, të shfaqur në Itali gjatë ditëve të filmit shqiptar, aktorja që ndan jetën e saj artistike mes Tiranës dhe Romës, i ka dhënë mish e shpirt Alinës, një vajze rome protagoniste e filmit “Dimmi che destino avro” të regjisorit Peter Marcias. Ajo interpreton në krah të njërit prej aktorëve kryesorë të filmit “Gomorra”, Salvatore Cantalupos. Nga ana tjetër e detit, Bitri rrëfen për herë të parë dicka më shumë rreth filmit të saj të ri.
Por jo vetëm “Amnistia”, filmi ku interpretoni u shfaq në Itali. Pas një xhiroje të gjatë me projeksione në festivale të ndryshme çfarë vlere ka për ju ky projeksion?
Ky event është shumë i rëndësishëm jo vetëm për mua si aktore që jetoj aty, por për të gjithë kineastët dhe artistët shqiptarë. Fatkeqësisht filmat shqiptarë nuk distribuohen në Itali dhe kjo ishte një mundësi për të prezantuar kinemanë tonë. Unë isha prezent në shfaqjen e të gjithë filmave dhe do thoja që ka pasur shumë interes. Sallat kanë qenë plot me spektatorë në çdo projeksion dhe ka pasur debat pas çdo filmi. Ishin prezent personalitete të kinemasë italiane si Gianni Amelio, Giuliano Montaldo, Micchele Placido etj. Këto takime krijojnë mundësi njohjeje dhe bashkëpunimi. Viti i kaluar ishte mjaft i mbarë në çmime: tre fitore dhe një kandidim. Si e vlerësoni deri tani këtë vit dhe çfarë prisni në gjysmën tjetër të vitit. Vitin e kaluar jam ndier e përkëdhelur nga fati. E para, që mu dha mundësia të punoj në këto projekte të suksesshme dhe pastaj që punova mjaftueshëm për të rikuperuar vitet që lashë bosh nga ikja ime në Itali. Bëra të njëjtën punë si me çdo rol tjetër, por mesa duket ishte momenti im. Edhe ky vit (2012) duket se ka nisur mirë. Para dy muajsh mbarova xhirimet e një filmi me produksion dhe regjisor italian, i cili pritet të dalë në kinematë italiane në vjeshtë dhe po ashtu në kinematë spanjolle .Titullohet “Më thuaj ç’fat do të kem”, ose italisht “Dimmi che destino avro”. Interpretoja rolin e protagonistes Alina, përkrah njërit prej aktorëve kryesorë të filmit “Gomorra”, Salvatore Cantalupos, me regjisor Peter Marcias. Për pjesën tjetër të vitit, nuk kam asgjë konkrete, por jam gjithsesi në pritje të përgjigjeve nga disa casting.

Si u ndjetë në krah të partnerëve dhe stafit të huaj, ku duhet të interpretonit në gjuhë të huaj? Fakti që luanit në rolin e protagonistes ishte në favorin tuaj?
Në fillim të çdo pune ka pak tension, sepse bëhesh pjesë e një grupi pune që nuk e njeh. Në rastin tim, tensioni i vërtetë ishte gjuha e huaj. Edhe pse roli ishte i një të huaje me origjinë rome dhe jo një italianeje, dëshiroja të bëja maksimumin tim‘. Përsa i përket partnerëve dhe ai më kryesori me të cilën pata pjesën më të madhe të skenave Salvatore Cantalupo u tregua gjithmonë i gatshëm të më ndihmonte. Qoftë përsa i përket gjuhës, qoftë edhe për pretendimet e mia për të përsëritur dublat për të bërë më të mirën

Diçka rreth subjektit të filmit dhe dicka më tepër për personazhin tënd...?
Filmi trajton një temë sociale shumë aktuale siç është ai i etnive, përballja e një shtrese të caktuar të kësaj shoqërie me pjesën tjetër. Roli që interpretoj ishte roli i Alinës, një vajze me origjinë rome ,që ka zgjedhur të studiojë dhe të realizohet. Jeton e punon në Paris. Filmi trajton botën e brendshme të këtij personazhi në përballje me pjesën tjetër. Përballja me një komisar policie, i cili nuk është përpjekur asnjëherë të kuptojë se çfarë njeriu qëndron pas përgjithësimit, paragjykimit të një etnie. Njohja me këtë vajzë i hap një botë të re. Ai e sheh dikë që paragjykohet se është i ndryshëm edhe si një baba i një djali homoseksual. Më mirë se ai nuk mund ta kuptojë askush se si mund të ndihet dikush ndryshe. Kjo vajzë është një hibrid i këtyre dy botëve, e lindur në kampet rome duke njohur fundin, rrugën, varfërinë dhe tashmë jeton një jetë normale në një botë si gjithë pjesa tjetër e shoqërisë. Alina është një personazh me një botë shpirtërore të pasur, të mbartur me shumë sakrifica dhe me një dëshirë për të ndryshuar botën. Eshtë e lodhur së qeni ndryshe, gjithmonë e paragjykuar. Do të mbrojë të drejtat e familjes se vet edhe pse nuk është dakort me mënyrat qe ata kanë zgjedhur të jetojnë. Në këtë film ajo është katalizatori i këtyre dy pjesëve të shoqërisë që përballen me njëra- tjetrën dhe sigurisht të gjitha goditjet i merr ajo. Ju permendni goditjet dhe menjëherë krijohet përshtypja se personazhi juaj ka një fund tragjik… Kështu është? Jo, fundi nuk është tragjik, nuk ndodh asgjë e tillë. Goditjet i pëson bota e saj e brendshme,duke qenë se jeton me shpresën për një botë më të mirë, pa paragjykime, ku të gjithë të ndihen njëlloj. Asaj këto goditje të shoqërisë i shumëfishohen duke mos i marrë vetëm në aspektin personal, por duke përfaqësuar gjithë atë pjesë të shoqërisë apo gjithë ata individë që e mendojnë si ajo.Titulli i filmit të bën të kuptosh pak a shumë fundin e filmit dhe udhëtimin e këtij personazhi. Si është të xhirosh në Paris? Kemi xhiruar vetëm një javë në Paris, sepse pjesa tjetër është xhiruar në Sardenja. Parisi është një mit dhe të xhirosh atje ishte sikur të ishe pjesë e historisë të atij qyteti. Të vjen dëshira të jetosh atje dhe të ëndërrosh që mund të bësh të njëjtin profesion edhe atje…..Pastaj me Francën kam një lidhje të veçantë;adhuroj kinemanë franceze, aktorët francezë.

Nëse do t’ju duhej të shkruanit gjërat më të rëndësishme që ju kanë ndodhur në jetë, çfarë do të përfshinit në të?
Si fillim do të thoja: Zgjedhja në kohën e duhur e profesionit të duhur, i cili edhe pse paraqet shumë vështirësi dhe pak siguri, më motivon çdo ditë e më ndihmon të shprehem. E rëndësishme ka qenë edhe fakti që kam takuar në jetë njerëz që më kanë zhgënjyer rëndë, por edhe persona që i kam dashur shumë, sepse pa këto ekperienca nuk do kisha kuptuar se çfarë ishte më e rëndësishme për mua në jetë. Më e rëndësishmja e të gjithave ndoshta ka qenë fakti që kam pasur afër familjen, në çdo rënie apo ngritje timen dhe nuk jam ndier kurrë vetëm. Nga provinca në kryeqytet, nga laborante në aktore. Kështu krijoni imazhin e një vajze mjaft të guximshme.
Keni pasur momente tërheqje dhe ndroje që ju kane stepur apo çdo gjë ka qenë e lehtë për ju?
Nuk ka qenë asgjë e lehtë, përkundrazi. Ia kam dal mbanë e vetme, duke filluar me projektimin e dëshirave e deri në punën për t’i realizuar ato. Kam qenë gjithmonë në transferim, vazhdoj të jem edhe sot... Këto transferime të bëjnë të ndihesh pezull dhe keq ndonjëherë, por mesa duket siguria, stabiliteti, rehati nuk bëjnë për mua. Më është bërë ves të kërkoj sfidat, por ndoshta ky është çmimi që duhet paguar për të arritur ato çfarë dëshiron. Momente tërheqjeje ndoshta kam pasur në vitet e para të ardhjes sime në Itali, kohë në të cilen u dhashë prioritet të tjera gjerave po aq të rëndësishme në jetën time, sa ç’është dhe profesioni. Pastaj kuptova se profesioni im është vetja ime dhe askush tjetër nuk është përgjegjës për dëshirat e mia, kështu që po përpiqem të rikuperoj.
Për ju, peshon me shumë kinemaja apo teatri?
Para disa vitesh do të përgjigjesha e sigurtë se teatri është më i rëndësishmi, por sot nuk e di. Po kuptoj që kinemaja të përkëdhel dhe të bën dembele, por ka favore e kënaqësi të tjera nga ato të teatrit. Teatri është jetë dhe nëse do të flisja për kënaqësi të vërtetë gjatë interpretimit, do të zgjidhja teatrin. (Në foto: Luli Bitri dhe Salvatore Cantalupo në sheshxhirimin e filmit "Dimmi che destino avro" me regji të Peter Marcias Foto nga Alberto Lopez Palacios)
(Intervista u botua ne te perjavshmen FUNDJAVA, të Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Digjen 2 makina, 4 minuta më pas hidhet lëndë plasëse pranë një banese! Identifikohet njëri prej autorëve (EMRAT)

Shkodër/ Digjen 2 makina, 4 minuta më pas hidhet lëndë plasëse pranë një banese! Identifikohet njëri prej autorëve (EMRAT)