Lulzim Basha hap
hipotekimin e banesave

Lulzim Basha hap <br />hipotekimin e banesave
Me Udhëzimin e Këshillit të Ministrave të datës 5 tetor të këtij viti i është hapur rruga hipotekimit të disa qindra ndërtesave, me leje të rregullt ndërtimi, por që nuk regjistroheshin për shkaqe të ndryshme. Udhëzimi ka hyrë në fuqi vetëm ditën e djeshme, pasi parashikohej që një gjë e tillë të ndodhte vetëm kur akti nënligjor të dilte në faqet e Fletores Zyrtare. Mendohet që rreth 700 milionë euro do të çlirohen dhe mund të përdoren si kolateral nga hipotekimi i mijëra banesave në kryeqytet. Ky ka qenë një premtim i bërë nga kryebashkiaku aktual Lulzim Basha, pas një ngërçi të vërtetë në këtë drejtim, kryesisht me objektiva të caktuar politike, që u shkaktua nga fërkimet midis qeverisë së djathtë dhe ish-kryetarit të majtë të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

BANESAT
Sipas Udhëzimit, nga dita e sotme do të mund të regjistrohen në mënyrë të rregullt objekte, për të cilat nuk është lëshuar leje shfrytëzimi, dhe pse është paraqitur kërkesë nga subjekti i interesuar pranë zyrës apo seksionit të urbanistikës së organit të qeverisjes vendore, si dhe objekte, për të cilat nuk është lëshuar leje shfrytëzimi dhe nuk është paraqitur kërkesë për leje shfrytëzimi nga subjekti i interesuar pranë zyrës apo seksionit të urbanistikës së organit të qeverisjes vendore. Nga ana tjetër, mund të marrin tapinë edhe objekte pa leje shfrytëzimi, kur kjo e fundit nuk rezulton të jetë përcjellë për regjistrim pranë ZRPP-së dhe, së fundi, objekte, për të cilat është lëshuar leje shfrytëzimi dhe kjo e fundit është përcjellë për regjistrim pranë ZRPP-së, vetëm se procesi nuk është përfunduar ende.

NISMËTARI
Mund të paraqiten për të kryer veprimet, sipas këtij akti, personi fizik apo juridik i përcaktuar si investitor në lejen e ndërtimit, personi fizik apo juridik, i cili paraqet një akt noterial të lidhur ndërmjet tij, në cilësinë e porositësit, dhe subjektit të përcaktuar si investitor në lejen e ndërtimit, me anë të të cilit janë marrë përsipër nga ky i fundit që, në këmbim të pagesës së një çmimi të caktuar, të ndërtojë për llogari të porositësit njësi individualisht të përcaktuara të objektit të ndërtuar me lejen përkatëse të ndërtimit, si dhe personi fizik apo juridik, në pronësi të të cilit figuron i regjistruar trualli, i cili përbën sheshin e ndërtimit mbi të cilin është ngritur objekti me leje ndërtimi.

PROCEDURAT
Kërkesa do të dorëzohet në Bashki. Kur, nga ana e autoriteteve vendore të Tiranës, konstatohet se kërkesa për leje shfrytëzimi nuk është trajtuar për mungesë të dokumentacionit që vërteton kryerjen e pagesave të taksave apo tatimeve për objektin, Drejtoria e Urbanistikës, në Bashkinë e Tiranës, brenda 30 ditëve kryen kontrollin dhe njofton Tatimet për detyrimet e papaguara të objektit. Kur konstatohet se kërkesa për leje shfrytëzimi nuk është trajtuar për shkak të shkeljeve të kondicioneve të lejes së ndërtimit dhe dosja nuk është përcjellë pranë ALUIZNI-t, ajo çohet nga Bashkia te ALUIZNI. Po të ketë kryer aplikim për legalizim, ALUIZNI kthen pa veprim dosjet brenda pesë ditëve në Drejtorinë e Urbanistikës në Bashki, e cila lëshon lejen e shfrytëzimit. Hipoteka brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për regjistrim bën regjistrimin e objektit sipas aktit të kolaudimit, për të cilin është lëshuar leja e shfrytëzimit.

REGJISTRIMI
Regjistrimi i pronësisë së njësive të individualizuara, pjesë përbërëse të objektit, do të bëhet kur ka akt noterial të lidhur ndërmjet pronarit të truallit dhe investitorit, kur pronarët e regjistruar të truallit, në momentin e paraqitjes së akteve për regjistrimin e objektit, janë të ndryshëm pjesërisht ose plotësisht nga pronarët e truallit, kur nuk ka akt noterial të lidhur ndërmjet pronarit të truallit dhe investitorit, por trualli ku është ngritur objekti rezulton në pronësi shtetërore dhe kur trualli ku është ngritur objekti është në pronësi të investitorit.

SHIFRAT
Sipas viteve, gjithnjë numri i objekteve, që kanë marrë leje shfrytëzimi, pas marrjes së lejes së ndërtimit ka qenë më i vogël në Tiranë. Kështu, sipas statistikave të ofruara nga Bashkia, në vitin 2001, nga 91 leje ndërtimi të dhëna, vetëm 29 prej objekteve kanë marrë leje shfrytëzimi. Më 2002, ky raport është 91 me 37, për të kaluar më pas në 104 me 52. Në vitin 2004 janë dhënë nga Bashkia 99 leje ndërtimi dhe, nga këto, deri tani, janë pajisur me leje shfrytëzimi 54 prej tyre, kurse më 2005 këto shifra ishin 120 dhe 47.Më pas vijon viti 2006, kur, nga 56 leje ndërtimi, 14 prej tyre pajisen me leje shfrytëzimi. Viti 2007 shënon një mrënie drastike të lejeve, duke qenë seishte edhe vit i zgjedhjeve të reja lokale, me pesë leje ndërtimi dhe vetëm një leje shfrytëzimi. Më 2008 dhe 2009 këto shifra ishin përkatësisht 89/19 dhe 25/3. Më 2010 dhe 2011, nuk është dhënë asnjë lloj leje në kryeqytet.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?