Pallati që ndodhet pas hotelit "Tirana Internacional", tashmë ka një fasadë të ribërë dhe po i kthehet funksionalitetit, rreth 11 vite pasi nisi të ndërtohej. Ndërtesa në fjalë ishte, rreth 3 vite me parë arenë përplasjesh mes deputetëve të PS-së dhe policisë së Rendit si dhe objekt për akuza të ndërsjellta mes opozitës dhe qeverisë për sulme selektive ndaj biznesit dhe biznesmenëve, të lidhur me deputetë të PS-së.
Pallati 12-katësh është pronë e biznesmenit Ilir Mataj, kunati i deputetit të PS, Dashamir Peza. Sot, gati 3 vite pas shkatërrimit të dhunshëm të fasadës së 3 kateve të para, Mataj e ka ribërë atë për ta kthyer në funksion ndërtesën e nisur që nga viti i largët 2001. Madje në rindërtimin e pallatit, tre vjet pas prishjes së dhunshme nga ana e Inspektoriatit të Ndërtimit, po marrin pjesë edhe mjete të bashkisë së Tiranës.
Siç duket edhe nga fotot që sjell sot "Shqiptarja.com", një autobot dhe një ekskavator prona dhe me stemën e bashkisë së Tiranës, punonin pak ditë më parë në pjesën e pasme të pallatit, duke ndihmuar në rindërtimin e tij.
Ilir Mataj, biznesmen dhe pronar i pallatit shprehet se ishte një vendim i tij personal për të rindërtuar pallatin e dëmtuar nga ndërhyrja e ndërtimorëve tre vite më parë. "Procesi gjyqësor vazhdon ende dhe prishja u bë pa një vendim gjykate, por unë e ribëra, sepse nuk mund ta lija ashtu të shkatërruar. Procesi është ende në gjykim dhe besoj se drejtësia do të vendosë"-tha Mataj për "Shqiptarja.com".
PRISHJA
Më 7 dhjetor 2009 Policia ndërtimore ndërmori nismën për të rrëzuar ndërtesën e kunatit të deputetit të PS-së, Dashamir Peza, pas pas një urdhri të kryeinspektorit të policisë ndërtimore Hekuran Hoxhaj, se ndërtesa ishte e paligjshme. Sipas tyre pallati është i ndërtuar në një hapësirë publike, duke zënë pjesën tërësore të saj.
Por të nesërmen, Inspektoriati i Ndërtimit e pezulloi, rreth orës 10.30 minuta, shembjen e pallatit 12 katësh, pronë e Ilir Matës, kunati i deputetit socialist Dashamir Peza. Ilir Mata, pronari i pallatit në qendër të Tiranës, të cilit iu shembën tre katet e para, iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës me kërkesën për pezullim të veprimeve të Inspektoriatit Ndërtimor.
3 vite më parë Akuzat për dhunë, deputetët e PS u përleshën me policinë
Në 8 dhjetor 2009, në orën 08.45 minuta deputetë të PS-së tentuan të hyjnë në ambientet afër pallatit, të rrethuara me kordon nga policia, por u lejuan. Momentet e tensionit vazhduan edhe me konfrontime fizike mes deputetëve PS dhe punonjës të inspektoriatit të policisë ndërtimore, që nuk lejuan deputetët të hynin brenda.
Më pas deputetët hynë me forcë në ambientet e rrethuara nga policia, ku ishte e pranishme edhe policia bashkiake, kur ishte kryetar Edi Rama. Ilir Mata, pronari i pallatit 12 katësh, fasada e 3 kateve të cilat u shemb nga Inspektoriati i Ndërtimit dorëzoi në gjykatë një kërkesë për pezullimin e veprimeve të inspektoratit, sepse ishte pronari legjitim i tokës së blerë nga tiranas të vjetër që në 1999 dhe se kishte leje ndërtimi, lejen e sheshit të ndërtimit dhe vendimin e KRRTRSH së Shqipërisë.
Deputeti socialist Dashamir Peza deklaronte se pas shembjes së pallatit ishte skema e presionit politik që kryeministri Berisha bënte ndaj tij, ndërsa kunati i tij ishte viktimë e agresionit politik. Konflikti midis Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë për pallatin 12-katësh, në fakt nisi që në zgjedhjet vendore 2007.
Shkrimi u publikua në numrin e sotëm të Shqiptarja.com
(eç/shqiptarja.com)