Lulzim Basha: Vetingu rrezikon
prokurorët e gjyqtarët e ndershëm 

Lulzim Basha: Vetingu rrezikon<br />prokurorët e gjyqtarët e ndershëm 
Protesta me turne e opozitës shqiptare para Kryeministrisë, me qëllimi krijimin e një qeverie teknike për të garantuar zgjedhje të lira në 18 Qershor, ka hyrë dje në javën e tretë.

Gjatë një fjalimi në çadrën e protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha dje se Vetingu rrezikon gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm.

"Edhe një grusht gjyqtarësh dhe prokurorësh të ndershëm do të vendoseshin menjëherë në shënjestrën e mafies në pushtet dhe kriminelëve të lidhur me ta. E vetmja rrugë është demokracia e vërtetë dhe drejtësia e vërtetë. Shqiptarët e kanë kuptuar ndaj kanë marr një vendim dhe ne jemi këtu për ta zbatuar deri në fund. Zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike që i garanton ato”, u shpreh Basha.

Duke iu referuar lajmeve për hyrjen e 1300 kontenierëve me mbetje, Basha tha se Vetingu nuk e zgjidh këtë problem. Po ashtu, kryetari i opozitës tha se Vetingu nuk ka vlerë në kushtet kur në Parlament kemi kriminelë.

“Problemi i lidhjes me mafien ndërkombëtare të lerave, njësoj si problemi i katapultimit në pozicione drejtuese shtetërore të kriminelëve dhe narkotrafikantëve, nuk janë probleme që i zgjidh Vetingu. Këto janë probleme që i zgjidh vetëm vota e lire e shqiptarëve, vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Edhe nëse Vetingu do të bëhej ashtu siç e kemi përcaktuar ne, çfarë vlere do të kishte kur kemi kriminelë në parlament, kur kemi kriminelë në krye të bashkive, kur kemi milionat e drogës që kërcënojnë votën e shqiptarëve?”, tha Lulzim Basha.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të shoqërisë civile u ndal dje tek disa lajme që qarkullojnë për futjen e disa kontenierëve me mbetje në Shqipëri. Basha tha shkelja e premtimit të parë elektoral të qeverisë, me kthimin e ligjit të mbetjeve përmes Eduard Shalsit, është një shkelje flagrante dhe delegjitimim i një qeverie dhe kryeministrit të saj.

“Nëse lajmi i 1300 kontenierëve me mbetje të rrezikshme të ndodhura në Shqipëri konfirmohet ky është gjenocid ndaj shqiptarëve. Sot që jemi këtu me sa duket lajmet po shpërthejnë nga të gjitha anët, po presim konfirmimin e plotë të tyre, por me sa duket ndodhemi përpara një krimi të përmasave të paimagjinueshme. Bëhet fjalë për 1300 kontenierë, jo fuçi, kontenierë, secili prej tyre me peshë 30 ton, që mund të jenë futur në Shqipëri kundër ligjit, kundër Kushtetutës, kundër vullnetit të qytetarëve shqiptarë dhe që rrezikojnë në mënyrë fondamentale sigurinë dhe shëndetin e shqiptarëve në ato zona ku janë futur”, tha Basha.

Kreu i opozitës i kërkoi prokurorisë të hetojë në mënyrë të plotë këtë çështje. “Unë i kërkoj sot, Prokurorisë, jo vetëm të hetojë me shpejtësi, por të bëjë transparencën e plotë dhe të gjithanshme të çdo hapi të hetimit. Ky nuk është një krim dosido, kjo nuk është një aferë dosido”, tha ai.

Në prani të aktivistëve të shoqërisë civile, Basha bëri dallimin mes atyre që flasin për interes të qytetarëve dhe atyre që shiten për interes të oligarkëve.

“Në Shqipëri ka dy shoqëri civile, njëra është ajo e tendave të paguara me paratë e pista të krimit dhe të korrupsionit, me shoqata të cilat një ditë do të duhet të përgjigjen para shqiptarëve, sa lekë kanë marrë nga taksat tuaja dhe çfarë kanë bërë me ato lekë. Ku ishit kur kjo qeveri ktheu ligjin për importin e mbetjeve duke shkelur zotimin dhe premtimin me të cilin erdhi në pushtet? Në anën tjetër kemi këta djem dhe vajza, këto të reja dhe këto të rinj dhe profesorë të nderuar, njerëz me të ardhura të pakta e shpesh here pa të ardhura, por që kanë një fuqi të mbinatyrshme sa herë që ngrenë zërin kundër padrejtësisë. Këta janë ndërgjegjja e vërtetë e shoqërisë civile dhe këta në Republikën e re do të kenë të gjitha kushtet dhe mbështetjen me një mision, jo për të heshtur, por për të protestuar kundër çdo qeverie e kundër çdo pushteti”, tha Basha.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Ura e Ibrit, Osmani: Sigurohemi që të mos ketë konflikte! I drejtohet Stanos: Kur kalon në urat e tua s’i kërkon kujt leje

Ura e Ibrit, Osmani: Sigurohemi që të mos ketë konflikte! I drejtohet Stanos: Kur kalon në urat e tua s’i kërkon kujt leje