Partizani është ekipi shqiptar pa asnjë dyshim kampion në merkato, por jo vetëm, pasi edhe në Evropë është vështirë që të gjesh ndonjë ekip që ka rinovuar ekipin plotësisht me blerje të reja. Drejtuesit e ekipit të Partizanit me presidentin Lulzim Sallaku në krye deri më tani kanë treguar pretendimet që kanë për edicionin e ardhshëm përmes goditjeve cilësore në merkato nga njëri skaj i trevave shqiptare në tjetrin.

Nga futbollistët e edicionit të kaluar që siguruan ngjitjen në kategorinë superiore janë shumë pak në formacionin që parashikohet të zbresë në fushë në këtë edicion. Revoluconi ka nisur nga porta me gardianin Hoxha për të vazhduar me mbrojtjen që do të iu besohet shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës, por edhe mesfusha. Ndërsa reparti i avancuar, sulmi pritet që të plotësoohet në ditët në vazhdim, pasi drejtuesit e kuq premtojnë të tjera goditje. Por ditët e fundit është lakuar edhe emri i Gjergj Muzakës në merkato, por sa të vërtetë janë këto zëra.

Presidenti Sallaku thotë se mesfushori që luan me Flamurtarin e ka derën e hapur. “Muzaka është një futbollist që ka dalë nga akademia e Partizanit dhe është i mirëpritur që të luajë përsëri këtu. Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe ai e ka derën e hapur në cdo moment. Ndërsa në merkato synojmë edhe tre futbollistë cilësorë, dy sulmues dhe një fantazist. Jemi në trantativa  me disa emra dhe shumë shpejt shpresoj që do të arrijmë marrëveshjet për të nisur punën për edicionin e ardhshëm” deklaron presidenti. Po kush janë pretendimet e Partizanit dhe si i shikon kundërshtarët.

“Partizani synon trofe, prandaj kemi zhvilluar një merkato cilësore me futbollistë me eksperiencë. Kundërshtarët nuk na interesojnë shikojmë ecurinë tonë” përfundon presidenti. Partizani këtë edicion së bashku me numrin më të madh të tifozëve në të gjithë vendin, por edhe trofeve do ta zbukurojë akoma më shumë kategorinë Superiore. Sfida e Partizanit do të jetë kryesore me Skënderbeun për titullin kampion, pasi merkato i ka objektivat e qarta. Tani mbetet për të parë se a do të funksionojë apo jo projekti i nisur nga Sallaku.