Lulzimit, nuk ka kush t’i shkruajë!

Lulzimit, nuk ka kush t’i shkruajë!

Matthew Palmer duke dalë nga Kryeministria

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Europën, Matthew Palmer, nuk është në Tiranë për krizën e opozitës.

Kjo nuk do t’ia vlente të nënvizohej, sikur Lulzim Basha të mos përpiqej ta paraqiste dhe vizitën e tij në rajon, si një efekt të djegies së mandateve.

Po të ishte kështu, do të ishte shumë mirë. Do të ishte mirë për opozitën, mirë për qeverinë, dhe akoma më mirë për Shqipërinë.

Por fatkeqësisht nuk është kështu. Matthew Palmer është në rajon për problemet e SHBA, dhe jo për problemet e Lulzim Bashës.

Dhe kjo për opozitën është shumë më keq se sa të mos kishte ardhur fare. Nëse një zyrtar kaq i lartë amerikan nuk do të shfaqej këto kohë në Shqipëri, njerëzit do të mendonin se SHBA ka punët e saj, por “me mendje e zemër”, është tek problemi që ka prodhuar opozita në Shqipëri.

Ky do të ishte një lloj ngushëllimi dhe një lloj vetëvlerësimi, që opozita mund t’i bënte gjestit të saj prej kamikazi.

Por për të ka ndodhur më e keqja. Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit për Europën, Matthew Palmer, ka ardhur në Shqipëri, ka diskutuar rreth 90 minuta me kryeministrin për rajonin, Kosovën, Marrëveshjen e Prespës etj, dhe për dhjetë minuta, e ka sqaruar kryeministrin se SHBA, ja ka bërë të qartë Lulzim Bashës qysh në muajin shkurt, qëndrimin e ashpër për vendimin që ka marrë, por ai ishte justifikuar se nuk e kthente dot vendimin, se kishte një orë që e kishte vendosur.

Pra nuk jemi më në situatën e çadrës së dy viteve më parë, kur analogu i zotit Palmer paralajmëroi opozitën se do t’i quante legjitime zgjedhjet edhe pa ata. Nuk jemi tek interesi i lart i zotit McAllister, i cili konsumoi dy javë për një marrëveshje mes palëve në Shqipëri dhe në fund, Lulzim Basha nuk ja firmosi.

Për opozitën ka ditë shumë më të zeza. Meqë Tit Vasili quan SHBA, gazetarët e VOA-s, ata e thanë pak a shumë që zoti Palmer ka mbaruar punë me Lulzim Bashën e Kryemadhin qysh në shkurt.

Të dërguarit europianë apo amerikanë që vijnë në Shqipëri, nuk e kanë më në axhendë gjestin e opozitës shqiptare, e jo më aksionin e saj. Ata e konsiderojnë Qeverinë dhe Parlamentin legjitimë, shmangin çdo fjalë që mund të krijojë keqkuptime, ose dy kuptime, lidhur me djegien e mandateve, pasi nuk duan t’i hapin rrugë një precedenti të tillë, dhe flasin për punët e tyre.

Opozita jonë i përngjan tashmë personazhit të famshëm të kolonelit, tek novela e Markezit, që priste që dikush ta kishte marrë në konsideratë jetën e tij dhe t’i shkruant dy gishtë letër. Por… dihet fjala se si e mbyll Markezi novelën./ TEMA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur