Gati 4.6 miliardë euro po qarkullojnë jashtë sistemit bankar. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar deri më tani e përdorimit të cash në ekonomi, dhe në raport me tetorin e vitit të kaluar kjo shifër është rritur me gati 575 milionë euro.

Sot pagesat për mallra e shërbime bëhen masivisht me para në dorë, duke bërë që qarkullimi i parasë të jetë i pakontrolluar, dhe burimi i tyre të mos gjurmohet, si dhe të shmangen detyrimet tatimore.

Për të kufizuar këtë fenomen që hap shumë shtigje për evazion fiskal, qeveria ka planifikuar që prej vitit 2026 të kufizojë pagesat me lekë në dorë.

Bizneset nuk do të bëjnë transaksione me vlerë më të lartë se 100 mijë lekë në cash me një biznes tjetër, nga 150 mijë lekë që është tavani aktualisht. Gjithashtu për herë të parë në ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, është vendosur që pagesat me lekë në dorë nga qytetarët të jetë jo më shumë se 500 mijë lekë ose deri 5 mijë euro në muaj.

Por ky tavan i caktuar nga qeveria në projektligjin që ka çuar në kuvend si pjesë e paketës fiskale 2026 nuk është mirëpritur nga Shoqata e Bankave, e cila propozon që tavani për blerjet me cash të qytetarëve të jetë jo më shumë se 600-700 euro.

Në komisionin e Ekonomisë, në seancë dëgjimore sekretari i Shoqatës së Bankave Spiro Brumbulli tha se tavani i caktuar nga qeveria është shumë herë më i lartë se ai që aplikohet në vendet e rajonit, dhe se duhet të ulet në nivelin e pagës minimale që ka vendi.