Lumi Gjanica në Fier prej disa ditësh është kthyer sërish në shqetësim për banorët. Uji ka marrë ngjyrë të errët, ndërsa një erë e rëndë mbytëse përhapet në zonë, duke rikthyer një problem që qytetarët thonë se i mundon prej vitesh.
Të indinjuar nga situata, fierakët kërkojnë që institucionet përgjegjëse t'i japin fund ndotjes së lumit. Sipas tyre, mungesa e një zgjidhjeje ndër vite po zbeh edhe investimin prej miliona eurosh të bërë për rikualifikimin e qendrës së qytetit, në kuadër të projektit të Rilindjes Urbane.
Si çdo vit në këtë periudhë, dyshimet për ndotjen bien mbi fabrikat e përpunimit të ullirit dhe kompanitë e naftës që operojnë në zonë. Dyshohet se disa prej këtyre kompanive shfrytëzojnë aktivitetin e fabrikave të vajit për të shkarkuar në lumë hidrokarbure në mënyrë të pakontrolluar.
Ambientalisti Qani Rredhi thotë se denoncimet e shumta dhe gjobat e vendosura ndaj kompanive të naftës nuk kanë sjellë asnjë përmirësim. Përkundrazi, sipas tij, ndotja përsëritet çdo vit në nivele gjithnjë e më shqetësuese.
Ndërkohë, sipas informacionit të marrë pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit, fabrikat që operojnë përgjatë shtratit të Gjanicës nuk janë të pajisura me leje mjedisore të tipit B.
Deri në vitin 2020 ato kanë funksionuar me leje të tipit C, por ndryshimet ligjore i kanë detyruar pronarët të përdorin gropa septike. Këta të fundit thonë se janë ankuar për situatën, por deri më sot nuk kanë marrë zgjidhje nga Ministria e Mjedisit.











Komente
Komento