PRISHTINE - Eurodeputetja Lunaçek ishte sot në Prishtinë për të prezantuar Rezolutën për Kosovën, disa ditë pasi Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian e miratoi atë.

Në këndvështrimin e eurodeputetes, Kosova ka bërë progres të madh që nga viti i kaluar, ndërsa vlerësoi gjithashtu presionin që i është bërë Serbisë nga disa vende, për shpërbërjen e strukturave paralele në Veri të Kosovës.

“Është bërë progres i madh në Kosovë që nga viti i kaluar në rrugën drejt BE-së. Jam shumë e lumtur që disa vende të Bashkimit Evropian janë shumë strikte në këtë drejtim. Këto shtete ia kanë thënë Serbisë, që nëse nuk i shpërbën strukturat paralele nga veriu i Kosovës, sidomos ato të sigurisë dhe drejtësisë, atëherë, Serbia nuk do të mund të filloj negociatat për anëtarësim në BE”,-tha Lunaçek.

Eurodeputetja që raporton në Parlamentin Evropian për Kosovën, përmendi edhe shqetësimet në lidhje me disa çështje të veçanta ku duhet bërë progres. Ajo përmendi se autoritete e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)