Fushat ku u zhvilluan ndeshjet e turneut ndërkombëtar FIP Platinum në sheshin "Italia" nuk do të mbeten thjesht një kujtim i atij eventi. Ato janë vendosur tashmë në qendrën e re të Federatës Shqiptare të Padelit në Lundër, e cila do të shërbejë si baza e këtij sporti në vend.

Gjatë vizitës në ambientet e reja, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se ky është një rast konkret kur një aktivitet sportiv ndërkombëtar lë pas një investim që vazhdon të përdoret edhe pas përfundimit të turneut.

"Nuk janë evente që kalojnë dhe nuk lënë asnjë gjurmë. Sot kemi një provë të prekshme që investimi i bërë për turneun FIP Platinum po kthehet në një qendër që do t'i mbetet Tiranës dhe brezave të rinj", tha Gonxhja.

Qendra e re pritet të përdoret për aktivitetet e Federatës Shqiptare të Padelit, por edhe për stërvitjen e fëmijëve dhe të rinjve që duan të merren me këtë sport. Sipas presidentit të federatës, objektivi është zgjerimi i rrjetit të fushave në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e numrit të sportistëve.

“Sa më shumë fusha të hapen, aq më shumë do të rritet pjesëmarrja në këtë sport dhe aq më e madhe do të jetë prania e tij në Shqipëri”, deklaroi ai.

Edhe zv.ministri Endrit Hoxha u ndal te ndikimi që pati organizimi i FIP Platinum, duke thënë se investimi nuk u kufizua vetëm te zhvillimi i turneut, por krijoi edhe një infrastrukturë që do të përdoret në vijim. Sipas tij, raporti përfundimtar i Federatës Ndërkombëtare të Padelit tregon se rreth gjysma e financimit publik të akorduar për aktivitetin u rikthye në ekonomi përmes shpenzimeve të realizuara gjatë turneut.

Gonxhja tha se eventi solli përfitime edhe për turizmin dhe ekonominë, duke përmendur netët e fjetjes në hotele, konsumin dhe promovimin e Tiranës.

“Na ka sjellë netë fjetje në hotele, konsum, ekonomi, promovim dhe imazh. Aktivitetet e tilla i japin shumë vlerë qytetit dhe rrisin interesin turistik”, u shpreh ai.

Qendra e re do të ketë gjithashtu edhe fushën e parë të pickleball-it në Shqipëri. Federata synon që në bashkëpunim me shkollat ta shtrijë padelin edhe te nxënësit, për ta bërë sportin më të përhapur në vitet e ardhshme.