VLORË - Dy drejtues motorësh uji janë gjobitur përkatësisht me nga 500 mijë lekë dhe 510 mijë lekë të rinj pasi lundronin në afërsi të bregut duke rrezikuar jetën e pushuesve. Gjithashtu, policia njofton se ka bllokuar 2 mjetet lundruese.
Njoftimi i plotë i policisë:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe DVP Fier, kanë evidentuar drejtuesin e një mjeti lundrues tip Jet Ski, i cili kishte lundruar në afërsi të bregut, në plazhin e Semanit, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve, rast i publikuar edhe në portalin JOQ.
Drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E. D., u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj, si dhe me bllokimin administrativ të mjetit lundrues.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë patrullimit në sektor, në vendin e quajtur "Plazhi i Hidrovorit", konstatuan një mjet lundrues tip gomone, që lëvizte në mënyrë të paligjshme në zonën e plazhit, pranë pushuesve.
Mjeti drejtohej nga shtetasi austriak J. H. Nga verifikimet rezultoi se ai nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues.
Për shkeljet e konstatuara, ndaj tij u vendos masë administrative në vlerën 510.000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi administrativ i mjetit lundrues.
Komente






