LUSHNJE - Një banesë është djegur plotësisht mëngjesin e sotëm (18 nëntor) në fshatin Golem i Vogël në njësinë administrative Golem bashkia Lushnje.

Sipas zjarrfikësve shkak dyshohet të jetë bërë një shkëndije elektrike në sistemin e banesës. Në ato momente brenda shtëpisë ishin gjyshja dhe mbesa e cila bëhej gati të shkonte me shkollë.

Me ndërhyrjen e komshinjve janë nxjerrë jashtë banesës të dyja. Duke qenë se gjendja e tyre shëndetësore ishte rënduar nga tymi është kërkuar ambulancë për mjekim në frymëmarrje.

Dy zjarrëfikëset e ardhura nga Lushnja kanë shuar zjarrin dhe kanë eliminuar mundësinë e përhapjes në banesat ngjitur.

Kryefamiljari Dashamir Alçani ndër të tjera falenderon zotin që nuk pati dëme në njerëz dhe se tashmë familja e tij prej 7 personash mbeti në qiell të hapur.

Gjithçka në banesë është djegur plotësisht dhe banesa tashmë duhet t'i nënshtrohet rikonstruksionit total.