Komisioni i Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale u konstituua sot, më 9 nëntor, me Arbjan Maznikun në krye dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila ka paralajmëruar bojkotin. Në mbledhjen e parë, Mazniku i bëri ftesë opozitës të zërë vendet në komision, ndërsa prezantoi edhe hapat e fazës së dytë të reformës, që parashikon rishikimin e tre ligjeve brenda gjashtë muajve. Sipas tij, reforma parashikon kalimin nga 61 në 46 bashki, të cilat do të konstituohen pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Në nisje të mbledhjes, Mazniku theksoi se faza e parë e reformës është përqendruar te territori dhe ndryshimi i numrit të bashkive, ndërsa faza e dytë do të fokusohet te mënyra se si do të funksionojë pushteti vendor.
“Te faza e parë u fokusuam te territori, kaluam nga 61 në 46 bashki. Njësitë administrative ruhen, bashkitë e reja do të konstituohen në zgjedhjet e reja vendore të vitit 2027. Faza e dytë do të ketë katër kolona pune: qeverisja është e para, funksionet, financat dhe realizimi”, tha Mazniku.
Kreu i komisionit bëri të ditur se gjatë kësaj faze do të rishikohen tre ligje që lidhen me organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor. Bëhet fjalë për ligjin nr. 139 për vetëqeverisjen vendore, ligjin nr. 68 për financat e vetëqeverisjes vendore dhe ligjin nr. 102 për zhvillimin rajonal dhe kohezionin.
Sipas Maznikut, bashkitë e reja do të shërbejnë si bazë për ndryshimet ligjore, ndërsa komisioni ka një afat deri në gjashtë muaj për hartimin e projektligjeve.
“Janë tre ligje që duhen rishikuar, njëri është ligji 139 për vetëqeverisjen vendore, ligji 68 për financat dhe qeverisjen vendore dhe tjetri është ligji 102 për zhvillimin rajonal dhe kohezionin që duhet rishikuar. Bashkitë e reja do t'i përdorim si bazë dhe kemi deri në gjashtë muaj për të bërë projektligjet”, deklaroi ai.
Një pjesë të fjalës së tij, Mazniku ia kushtoi edhe mungesës së opozitës në komision. Ai theksoi se një reformë që prek organizimin e shtetit nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse realizohet vetëm nga njëra palë politike dhe garantoi që mazhoranca kërkon një proces gjithëpërfshirës.
"Është e rëndësishme të përmend parimin e gjithëpërfshirjes. Një reformë që prek në mënyrë të qenësishme arkitekturën e shtetit nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ndërtohet nga një palë e vetme. Ftesa është e hapur sot për të gjithë kohëzgjatjen e komisionit, për opozitën që i kërkojmë të zërë vendet sot dhe në çdo mbledhje sipas miratimit të komisionit dhe do të ketë gjithë hapësirën e saj”, shtoi ai.
Ai kërkoi që opozita të prezantojë në Kuvend anëtarët e saj, duke theksuar se komisioni synon të zhvillojë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës.
“Opozita të prezantojë në seancë anëtarët e saj. Kjo është një ftesë e hapur për frymën se si ky komision synon të vijojë punën, në mënyrë të hapur e gjithëpërfshirëse. Kjo detyrë e komisionit është tejet kritike, pasi i jep thelb dhe përmbajtje punës që bëmë në fazën e parë të komisionit, pasi reforma do të quhej e paplotë pa u plotësuar me elementët e tjerë”, tha ai.
Mazniku shpjegoi gjithashtu se puna për fazën e dytë të reformës do të zhvillohet në bashkëpunim me qeverinë, ministritë, agjencitë kombëtare dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor.
Kreu i komisionit u bëri ftesë edhe universiteteve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë që të përfshihen në proces dhe të kontribuojnë me propozime për fazën e dytë të reformës.
“Është një ftesë për universitetet dhe shoqërinë civile që të sjellim zgjidhjet më të mira të mundshme për detyrat e komisionit. Një ftesë për partnerët ndërkombëtarë që merren me pushtetin vendor dhe janë të gatshëm të na ndihmojnë në këtë proces”, tha Mazniku.
Komisioni do të drejtohet nga Arbjan Mazniku, i cili ka mbajtur të njëjtin rol edhe në fazën e parë të reformës. Pjesë e tij nga mazhoranca socialiste janë Blendi Klosi, Briseida Çakërri, Besa Spaho, Ermal Pacaj, Onid Bejleri, Aulona Bylykbashi, Klevis Jahaj dhe Ermal Elezi.








Komente
Komento