LUSHNJE - Përgjaket sërish autostrada Lushnje-Fier në afërsi të fshatit Rrapëz në vendin e quajtur Ura e Nasit. Viktimë kësaj here ka qënë një i moshuar, që tentoi të kalonte autostradën jo aty ku duhej.
 
Për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën,  i moshuari Ilo Gega, 69-vjeç ka përdorur rrugën më të shkurtër, atë të kalimit të barrierave të hekurta të autostradës, por ndërkohë që kryente këtë veprim, një automjet që vinte në korsinë e shpejtësisë nga Fieri për në Lushnje e ka përplasur.
 
I moshuari shoqërohej nga bashkëshortja dhe e bija, por nuk ka qënë i vëmendshëm të kalonte në nënkalimin e improvizuar në atë vend për shkak se mbikalimi tjetër ështe në një largesi prej 400 metrash.
 
Drejtuesi i Benz-it që e ka përplasur të moshuarin, e ka transportuar me urgjencë për në spitalin e Lushnjes, por mjekët konstatuan vetëm vdekjen e të moshuarit.
 
Policia nga ana e saj ka ndaluar drejtuesin e mjetit dhe po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Në këtë vend, ku hyjnë dhe dalin në autostradë banorët e shume fshatrave përreth, u shënua sot viktima e katërt nga kalimi mbi barrierat e autostradës.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)