LUSHNJE - Një defekt në nënstacionin e elektrikut në qytetin e Lushnjës, i cili furnizon me energji disa lagje dhe spitalin “Ihsan Çabej”, i ka lënë në terr të plotë për më shumë se 12 orë këto të fundit.

Kjo situatë e ka çuar në një kaos të plotë spitalin e Lushnjes, ku shumë pacientë dhe rastet e urgjencës janë drejtuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit.

Nga ana tjetër Banka e Gjakut në Lushnje rrezikohet seriozisht nga mungesa e energjisë prej një periudhe kaq të gjatë kohore.

Sipas shefit të Bankës Rajonale të Gjakut në Lushnje, Mehmet Xhindoli janë 150 flakone gjaku të cilat rrezikojnë të prishen, duke shkaktuar një dëm material prej 6 milion lekësh, si dhe duke rrezikuar mungesën e gjakut për pacientët me talasemi.

Doktor Xhindoli shprehet se gjaku duhet të qëndrojë në temperature të freskëta nga 3-6 gradë dhe mungesa e energjisë elektrike po i ngroh frigoriferët që mbajnë flakonet me gjak.

Në muaj Banka e Gjakut konsumon 300 flakone me gjak ku kurohen 150 të sëmurë talasemikë nga Lushnja, Fier dhe Berati. I kontaktuar me telefon drejtori i spitalit Genci Davidhi është shprehur se shumë shpejt situata do të normalizohet dhe se energjia do të vijë.

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)