Radio Televizioni Shqiptar nuk financohet nga buxheti i shtetit dhe as drejtpërdrejt nga taksat e përgjithshme. Financimi i tij vjen nga një tarifë modeste, më pak se 1 euro në muaj për çdo familje. Këtu nis edhe paradoksi i parë: 10 për qind të kësaj tarife, më e ulëta në kontinent, e mban vetë shteti në rolin e agjentit tatimor. 

Me këto thërrime financiare, ne kërkojmë shërbim publik të nivelit nordik dhe pastaj habitemi pse ky standard nuk arrihet kurrë.

RTSH-ja e ka provuar se reforma është e mundur. Periudha 2016–2021 (drejtimi i Thoma Gëllçit) dëshmoi se institucioni mund të lëvizë, të modernizohet dhe të kapë formatet e kohës.
U hartuan parimet editoriale, u hartua strategjia e zhvillimit dhe plani i biznesit të cilat u hodhën në kosh menjëherë pas ndërprerjes së dhunshme të reformës në RTSH.

(RTSH nuk kishte asnjë qindarkë borxh dhe kishte një pakete te plote sportive- deri edhe champion league)

Edhe pse nuk ishte një sukses absolut, ishte një përpjekje serioze që publiku e ndjeu dhe e mbështeti. Për herë të parë, transmetuesi publik po kthehej në një alternativë dinjitoze.

Megjithatë, në kalimin teknologjik nga analogu në digjital, ndodhi "çudia" tipike shqiptare. Ndërsa qeveria subvencionoi me miliona euro grante transmetuesit kombëtarë privatë, RTSH-ja, që mbante barrën kryesore të këtij transformimi, u ngarkua me një kredi prej 25 milionë eurosh. Sikur të mos mjaftonte kjo, mbi këtë kredi shteti i faturoi edhe rreth 4 milionë euro TVSH, në kundërshtim me frymën e ligjit. Bilanci ishte i qartë: privatët u subvencionuan, ndërsa publiku u faturua.

Goditja e radhës erdhi përmes ndërhyrjes brutale politike - dhe të SPAK, - çështja e famshme "RTSH–Agro" dhe zhurma e krijuar mbi pagesën e një tenderi që u vonua 4 ditë e ktheu transmetuesin një dekadë pas.

Sot, RTSH-ja jeton me një mentalitet mbijetese. Ajo nuk guxon as të mendojë për një raportim kritik ndaj pushtetit. Nuk bëhet fjalë për censurë me shkrim, por për diçka shumë më të rrezikshme: autocensurën. Sistemi e ka trajnuar institucionin që të mos rrezikojë, duke e kthyer heshtjen në mjetin më të lirë dhe më efikas të kontrollit.

Problemi i vërtetë nuk është thjesht vonesa në reformim, por mungesa e një mbështetjeje të sinqertë politike ndër vite. Të gjithë flasin për "reformë", por askush nuk është i gatshëm të mbrojë pavarësinë editoriale. Përkundrazi, politika vazhdon ta shkelë ligjin që në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Vetë Kryeministria e trajton RTSH-në si një infrastrukturë teknike të saj dhe jo si një pasuri kombëtare.

Në një treg mediatik ku interesat e pronarëve privatë mbizotërojnë mbi interesin publik, një media publike e pavarur nuk është luks, por një domosdoshmëri.

RTSH-ja duhet të reformohet, por jo duke e mbyllur në panik, jo duke u privatizuar e as duke u "binjakëzuar" me kulla. Sfida nuk është si t'ua japim privatëve, por si t'ua marrim.
Ajo ka nevojë për një kontratë të re me publikun, të bazuar mbi transparencën, profesionalizmin dhe matjen reale të performancës. (Është vërtet humor se si në RTSH kanë hapësirë gazetarë që luftojnë orë e minute të bindin të gjallë e të vdekur nga një studio tv në tjetrën se mbështesin partinë në pushtet! Për çfarë profesionalizmi dhe besueshmërie flasim?!)

Pa besimin e qytetarëve, edhe 100 lekë në muaj duket tarifë e padrejtë; pa mbështetjen e tyre, çdo reformë do të mbetet thjesht letër.

Mbyllja është një leksion nga historia e teknologjisë. Nokia nuk u shemb sepse i mungonin inxhinierët e zotë, por sepse besoi se emri dhe statusi do ta mbronin nga ndryshimi i kohës. RTSH-ja është sot në të njëjtën pikë: ose do të reformohet me guxim për t'i shërbyer publikut, ose do të mbetet një markë që të gjithë e kujtojnë me keqardhje, por askush nuk e ndjek më./Marrë nga profili i autorit në Facebook