Lë Tiranën për të shkuar në fshat, studentja nga Berati: Shteti të na japë bursat e të paguajë 50% të qirasë

TIRANE - Situata e krijuar nga përhapja e  koronavirus në Shqipëri, ka prekur dhe studentët. Shumica prej studentëve që qëndrojnë në kryeqytet me qira janë larguar nëpër rrethe. Shqetësimi i tyre është se deri kur do të vazhdojnë të paguajnë qira, në kushtet kur nuk e dinë se kur do të nisë procesi mësimor.

Akile Hoxha është studente në vitin e trete tek Fakulteti Ekonomik. Me vënien e Shqipërisë në 'shtetrrethim' pas paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri dhe me mbylljen e shkollave, ajo ka shkuar në fshatin e saj në Berat. Kryente një punë në të zezë duke ndihmuar një biznes në tregun e Medresesë në rrjetet sociale, por tashmë është e papunë përsakohë tregu është mbyllur.

Në një komunikim me Skype për Report Tv, studentja thotë se problem është fakti që qiradhënësit po u kërkojnë pagesat dhe kërcënojnë se do t'i nxjerrin jashtë apo do t'u mbajnë sendet e tyre personale nëse nuk bëjnë pagesën.

Akile Hoxha i jep të drejtë pasi qiradhënësi i saj në Tiranë ka të vetmen mënyrë mbijetese pagesën nga qiraja, por thotë se duhet ndërhyrja e shtetit. Ajo kërkon që në radhë të parë t'u jepen bursat të cilët shprehet se nuk i kanë marrë akoma, ndërsa shton se do duhej që të paguanin të paktën 50% të vlerës dhe pjesën tjetër shteti. Ajo paguan 15 mijë lekë qira në muaj.

"Nuk e marrin fare parasysh situatën ku ndodhemi, nuk i vë faj se qiradhënësi im është një ekonomi mesatare dhe të ardhurat i ka vetëm nga qiratë që merr. Është një situatë e jashtëzakonshme dhe shteti duhet të bëjë ndërhyrjen e tij duke hedhur së pari bursat që nuk i kemi marrë. Dhe të paktën të na jepet një kontribut që  të kemi vetëm 50% të pagesës së qirasë për të bërë. Unë punoj online, jo e punësuar diku tjetër. Tregu është mbyllur, dhe puna jonë është mbyllur gjithashtu. Nuk jam askund e siguruar. Edhe të tjerët gjenden në një situatë të vështirë. Unë jam në fshat, dikush tjetër mund të jetë edhe në qytet, që është më mirë. Por edhe të ardhurat e prindërve të tyre janë ndërprerë, sepse nuk kanë punë se janë mbyllur. Do detyrohemi t'i lëmë shtëpitë me qira dhe kur të fillojë sërish jeta, të futemi në kërkim për shtëpi" , tha për Report Tv studentja Akile Hoxha.

Rigels Xhemollari drejtor i organizatës “Qëndresa qytetare” për Report Tv tha se një negocim mes studentëve dhe pronarëve nuk do të zgjidhte problemin pasi edhe pronarët kanë probleme ekonomike. Xhemollari jep disa opsione se si shteti duhet të ndërhyjë.

“Marrëdhënia e qirasë është marrëdhënie tregtare dhe si e tillë për këtë marrëdhënie nuk kërkohet negociatë me qiradhënësit. Paketa e solidaritetit të qeverisë duhet të përfshinte dhe këtë kategori që është lënë totalisht jashtë nga mbështetja. Duhej nëpërmjet akordimit të një bonusi të qiraje referuar studentëve që nuk janë rezidentë në Tiranë ose nëpërmjet kompensimit duke paguar qiranë”, thotë ai.

Për agjencitë imobilare tregu është në kaos, ndonëse shprehen se studentët ende nuk i kanë lënë banesat e tyre.

“Situata është vërtet kaotike dhe jo vetëm për studentët por edhe për ne. Janë pronarët ata që na njoftojnë nëse janë liruar shtëpitë por kjo nuk është bërë në masë dhe ne ende nuk kemi një informacion të saktë se si do veprohet me ta. Banesat vazhdojnë të mbahen nga studentët, besoj se do gjehet një gjuhë e përbashkët mes studentëve dhe pronarëve. Duhet të ketë një ndërhyrje për studentët, të gjithë jemi të prekur dhe zinxhiri pason njëri-tjetrit, dhe mendoj se studentët duhet të negociojnë me pronarët e banesave dhe qeveria të nxjerrë lehtësira.”, shprehet Arlinda Kora, partnere ne nje agjenci imobilare.

Duket se studentët janë në udhëkryq.  Nga njëra anë nuk dinë se kur do mbarojë situata dhe do fillojë procesi mësimor e nga ana tjetër do duhet të paguajnë qiranë në një banesë që nuk po jetojnë. E vetmja shpresë për këtë shqetësim mbetet ndërhyja nga shteti.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU