POGRADEC - Në verë, Pogradecit i dy fishohet popullsia nga pushuesit e shumtë të huaj dhe vendas, që vijnë për të pushuar. Njëkohësisht, ky mbipopullim me pushues, sjell një numur të madh lypsish. Por ka disa ditë që lypsat kanë pushtuar qytetin turistik dhe të thonë me qesëndi: “Ja po e çelim ne sezonin turistik”.

Ata kanë pushtuar qytetin turistik, madje po u bëhen si ferrë nëpër këmbë njerëzve, deri sa ju shkëputin ndonjë monedhë. Ata i has kudo, nëpër shëtitore, tek pikat kyçe të qytetit, në parkun e madh, në kafe, bare dhe restorante, i ndesh madje edhe nëpër korridore institucionesh, të cilët hapin dyert e zyrave, si pa të keq dhe kërkojnë lëmoshë.

Madje i ndesh nëpër pavione spitali dhe në hyrje të varrezave të qytetit, në pikat turistike të Drilonit dhe gjetkë. Lypsit janë kudo. Ata kanë pushtuar Pogradecin. Gjahu i majmë i tyre ngelen autobuzat e turistëve të huaj. Shpesh herë i sheh që grinden për zonat që mbulojnë nëpër kënde të ndryshme të qytetit.

Por lypsit janë të gjitha moshave nga më të moshuar burra dhe gra, deri tek fëmijë të vegjël, romë nga 6 vjeç, deri në 16 vjeç. Por, ka dhe lypsa të moshuar, një pjesë prej tyre muzikantë shëtitës, të cilët interpretojnë pjesë muzikore përgjatë shëtitores së liqenit.

DIKUSH BËN BIZNES

Në krye të rrugës “Rinia” ishin dy lypsa të vegjël, të cilët që nga dialekti që flisnin, dukeshin që nuk ishin pogradecarë. Njëri prej tyre ishte 11 vjeç, quhej Bledi, ndërsa tjetri 13 vjeç dhe quhej Keli. Të dy thanë që janë nga Elbasani dhe vijnë me “profesorin” e tyre. Ai i sjell me furgon nga Elbasani.

Vishen të gjithë me bluza sporti dhe profesori iu thotë, se nëse iu pyet ndonjë polic rrugës kur ndalon furgoni, gjatë ndonjë kontrolli, thoni se jemi klasë sportive dhe shkojmë që të luajmë futboll në Pogradec. Por, sapo mbërrijnë në Pogradec, ata veshin rrobat e tyre zhele-zhele. Madje, ndonjëri fashon krahun për keqardhje.

Ata punojnë gjatë gjithë ditës, deri në orët e vona të natës, kur nisen në drejtim të qytetit të tyre. “Profesori”, siç e quajnë lypsit, iu jep në drekë nga një hamburger, ndërsa kur shkojnë për në shtëpi, nga një 200 lek të reja. Kur i pyet lypsit, të thonë se mesatarisht fiton secili nga 20 mijë lekë të vjetra në ditë.

Dje, thotë Renato, erdhën turistë grekë dhe mua më dha një grua e shëndoshë 20 euro. Avdiu thotë, se ai turisti që i kishte kërkuar lëmoshë i kishte dhënë vetëm 5 euro, këto ishin prej autobusit, ndërsa gjatë ditës, ne fitojmë lekë të tjera. Ata i qëndrojnë besnikë profesorit, nuk na japin emrin e tij, madje nuk pranojnë të dalin në fotografi.

TË ARDHURIT

Por, përveç lypsave të vegjël që vijnë të organizuar nga Elbasani, ka dhe lypsa të tjerë. Tasim Minaj është nga Elbasani dhe thotë, që ka mbi 20 vjet që lyp në Pogradec. Fitoj mire, thotë ai, rreth 20 mijë lekë të vjetra në ditë, madje ai thotë, se iu del përveç ushqimit të mirë, edhe ndonjë birrë në darkë. Për të fjetur fle jashtë në park.

Kur bie shi, vihemi në siklet, pasi shkojme tek ndonjë pallat në ndërtim e sipër. Por, lypsit vendas janë të mëzitur në verë, se siç thonë ata, po na i marrin tregun lypsat jabanxhinj. Ama, ka dhe lypësa të tjerë. Janë shumë orkestrantë nga rrethe të tjera, që shëtitin nëpër rrugë dhe parqe, duke ekzekutuar pjesë të ndryshme orkestrale dhe njëkohësisht këndojnë këngë të njohura.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)