TIRANE - Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka vendosur heqjen e rregullimit të tarifave me pakicë të Albtelecom-it. Me një vendim të datës 30 korrik, AKEP ka vendosur të heqë kontrollin mbi tarifat e thirrjeve dhe të pajtimit mujor që kompania aplikon për konsumatorët, duke filluar nga data 1 janar 2014.

AKEP ka gjykuar se në kushtet e tanishme, kompania e ka të vështirë të abuzojë me pozitën dominuese në tregun e pakicës, për shkak të konkurrencës në rritje nga operatorët alternativë fiks, por edhe nga ata celularë.

Kjo masë synon ta bëjë tregun e telefonisë fikse më konkurrues dhe t’ju japë më shumë shanse operatorëve më të vegjël, që falë uljes së tarifave me shumicë do të kenë mundësi të ofrojnë thirrje drejt rrjetit Albtelecom me çmime më të lira.

Që pas mundësimit të bartjes së numrit, konkurrenca në tregun e telefonisë fikse është ringjallur dhe operatorët alternativë po tentojnë të marrin abonentë nga operatori më i madh në treg. Nëpërmjet këtij vendimi, rregullimi i tregut të telefonisë fikse do të bëhet sipas të njëjtave parime të telefonisë celulare: jo më kontroll direkt mbi tarifat.

Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)