Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës mbajtur sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak:

Ky ka qenë një vit ku Tirana u rikthye në punë me kohë të plotë dhe kur qytetarët kanë patur mundësinë të ndihen të shpërblyer për zgjedhjen që bënë, duke na votuar një vit më parë. Sot është një moment i mirë për të falenderuar secilin prej jush, në mazhorancë dhe në opozitë sepse edhe Këshilli Bashkiak është rikthyer në punë me një energji të jashtëzakonshme, ndoshta të pa precendentë për Këshillat Bashkiak të Tiranës në vitet e fundit. Besoj se gjatë këtij viti ia kemi dalë t’i japim kësaj trupe të zgjedhur nga qytetarët e Tiranës një peshë dhe rëndësi që i kishte munguar prej kohësh. Kemi arritur së bashku të krijojmë një raport të ri, besoj pak më konstruktiv, në marrëdhëniet e punës dhe jam i bindur se zëri juaj realisht ka qenë zëri i shpresave, pritshmërive të qytetarëve, pavarësisht se si kanë votuar në ditën e votimit.
 
Tirana që ne gjetëm 1 vit më përpara nuk ishte një qytet funksional. Sesa ka ndryshuar Tirana në këto pak muaj besoj që të gjithë kanë qenë dëshmitarë. Qytetarët mbi të gjithë. Tirana sot është një qytet më i pastër dhe shërbimi i pastrimit është përmirësuar ndjeshëm në qytetin tonë. Rrugët, pusetat, ndriçimi, gjithçka ka filluar të përmirësohet edhe pse padyshim mbetet një punë jashtëzakonisht e madhe për të bërë për ta çuar Tiranën aty ku të gjithë duam. Tirana sot vjen më në fund era qytet dhe Bashkia era Bashki. Bëmë disa zgjidhje të vështira, duke mos ditur nga duhet filluar një situatë emergjente, fillonim duke prekur qytetarët tanë më të vegjël, fëmijët.
 
Nuk do të ndalemi me rikonstruksionin e plotë të 31 çerdheve dhe 23 kopshteve të kryeqytetit, për t´i dhënë Tiranës fytyrën e fëmijëve të qytetit tonë e për ta kthyer atë në qytet më dashamirës për fëmijët. Përveç këndit të lodrave te parku i liqenit, po punojmë për kënde të tjera lodrash. Sapo mbaruam atë tek Mine Peza, e po vazhdojmë punën tek rr. “Sitki Çiço”, tek Materniteti i Ri, në rr. “Lord Bajron”, Sheshi pranë Piramidës, Sheshi pranë Presidencës, Sheshi pranë Stadiumit Dinamo, Sheshi në zonën e Kombinatit, Kasharit, Oxhakut, Freskut etj. Me një urdhër të Kryetarit të Bashkisë gjatë muajit gusht kopshtet dhe çerdhet e Tiranës do të qendrojnë të hapura, për të prishur një traditë jo të mirë të viteve të fundit, ku gushti bëhej pushim për çerdhet dhe kopshtet sepse besojmë që për shumë prindër, që pushimet i kanë kryer në korrik dhe në gusht i kthehen punës, gjithashtu duhet të gjejnë kopshtet dhe çerdhet e hapura në të 12 muajt e vitit.
 
Më vjen mirë që vendosim të kthenim një traditë të mirë të çekut të bebeve, që filloi nga 1 janari 2016. Sigurisht, me një keqardhje që për 4 vite, 2011-2015, kjo nuk u bë e mundur, por besoj gjithmonë se, është më mirë vonë se kurrë, ndaj dhe më vjen mirë që kemi dhënë një kontribut të mirë si këshill në këto vendim-marrje për fëmijët e qytetit dhe kemi prekur 200-250 mijë fëmijë me vendimarrje që kemi bërë për investime dhe për mënyrën se si kemi shpenzuar. Asnjë nga punët që kemi bërë s’ka qenë e lehtë sepse siç e dini, edhe ju po aq mirë sa unë, jemi penguar në çdo hap të punës tonë. Por pavarësisht tentativave të vazhdueshme për të bllokuar punët në Tiranë, unë besoj se ka triumfuar bonsensi për të ecur përpara dhe për ta kthyer Tiranën në punë. Arsyeja është e thjeshtë: Në çdo moment kemi pasur me vete vullnetin, dëshirën, aspiratën e 1 milion banorëve të Tiranës që duan që qyteti i tyre, gjithmonë e më pak të merret me llafet e politikës të përditshme, gjithmonë e më shumë të fokusohet tek puna konkrete që e bën qytetin më të jetueshëm e më të banueshëm për të gjithë ne.
 
Këtë vit miratuam së bashku buxhetin më ambicioz që ka pasur ndonjëherë Tirana. Një buxhet prej 120 milionë dollarësh. Dua t'ju them që tani që jemi në gjysmë të vitit, tashmë e kemi kaluar gjysmën e kësaj ambicie me të ardhura, edhe në fitimin e projekteve për Tiranën. Për ta vënë në kontekst: Në vitin 2014 u parashikuan 69 milionë dollarë për Tiranën dhe u mblodhën vetëm 46 milionë, në vitin 2015 u parashikuan 74 dhe u mblodhën vetëm 40 milionë dollarë. Ky buxhet është më i madhi që është bërë ndonjëherë i mundur, falë një sërë risive në menaxhimin e financave të qytetit dhe shërbimeve publike ndaj qytetarëve.
 
Sot sipërmarrjet, por edhe qytetarët e Tiranës trajtohen të gjithë njësoj. Taksat nuk janë rritur, por baza e tatimpaguesve është zgjeruar sepse ka marrë fund koha kur disa paguanin, kurse disa që kishin lidhjet e duhura bënin përjashtim. Sot jemi në gjendje të bëjmë më shumë për qytetin, falë kësaj shëndoshje financiare. Miratimi i vendimit, në këtë këshill, që na mundësoi ta përdornim UKT-në, pra ndërmarrjen tonë të ujësjellësit, si agjent tatimor, ka qenë një nga pikat kyçe të këtij transformimi në të ardhurat e Bashkisë. UKT ka bërë një punë fantastike në mbledhjen e taksave dhe ka funksionuar perfekt, deri në 93% mbledhja e taksave në Bashkinë e Tiranës. Kurse më përpara për disa taksa, më e mira që gjetëm ishte 30% dhe më e ulëta që gjetëm, taksa e pronës 7%. Mbledhja e taksave në Tiranë ka shkuar në 93%, kur vjen puna tek taksa e pronës tek familjarët vetëm falë këtij menaxhimi nëpërmjet agjentit tatimor të UKT-së.
 
Është ky buxhet që po na lejon ta kthejmë Tiranën në një qytet të jetueshëm - në një qytet të pastër e të gjelbër, kemi mbjellë në 12 muajt e fundit mbi 12 mijë pemë, por ambicia jonë është shumë më e madhe, me projekte si pylli orbital, ku duam që në 15 vitet e ardhshme Tirana të ketë 2 milionë pemë që e rrethojnë atë. Rrugët nuk janë të mbushura me gropa, sigurisht që ka ende punë për të bërë, por flas për rrugët kryesore, ku trotuaret nuk janë të zaptuara apo të pandriçuara, ku transporti publik është pak më i shpejtë dhe cilësor, ku shërbimet janë gjithëpërfshirëse, ku jeta kulturore e artistike, ku secili prej nesh është dëshmitar, të majtë e të djathtë, është e larmishme dhe ku mundësitë për të investuar e për të bërë biznes janë të mëdha.
 
Plot 39% e këtij buxheti po shkon për investime publike. Pra në vitin 2016, po investohen 48 milionë dollarë, ndërkohë që në 2014 investimet publike ishin 15 milionë dollarë ndërsa në 2015 vetëm 13 milionë dollarë. Kemi rritur me 270% investimet publike në qytetin e Tiranës. Besoj se qytetarët po e ndjejnë ndryshimin, edhe nga feedback-u që kemi marrë nga secili prej jush, gjërat po shkojnë pak më shumë për lagjet tona. Vetëm brenda këtij viti po ndërhyhet në plot 50 lagje, pra kemi një ndërhyrje në nivel kapilar dhe jo vetëm në bulevard apo në qendër kryesore të qytetit. Kemi nisur fuqishëm riparimin e rrjetit të ujësjellës kanalizimeve, siç e keni parë Tirana ka disa kantierë të hapura edhe në këtë moment teksa po flasim, në riparime të trotuareve, çlirimin e hapësirave publike, shtimin e hapësirave të gjelbërta, ndriçimin, sinjalistikën e gjithçka tjetër që e bën qytetin më civil.
 
Në të gjitha projektet që kemi zbatuar gjatë kësaj periudhe kemi aplikuar një standard të ri, atë që përputhet me vizionin tonë për zgjidhjen afatgjatë të trafikut dhe transportit në Tiranë, pra t’i japim mundësinë të gjithë mënyrave të lëvizjes të kenë vendin e tyre në rrugë, ku janë pronarë të gjithë.
E filluam me rrugën “Dritan Hoxha” si shembulli i parë se si një rrugë duhet të projektohet, si nga pikëpamja e mobilitetit ashtu edhe e sigurisë rrugore, ndarjen e korsive për autobuzin, biçikletën, mjetet, si dhe sinjalistika bashkëkohore që tregon një standard të ri që kemi vendosur, ku edhe ata që nuk kanë ndoshta makinë duhet të kenë akses në rrugët e Tiranës, po njësoj pronarë si taksapagues të këtij qyteti. Të njëjtin standard po e realizojmë me rrugën në krah të Pallatit të Kongreseve, e të njëjtën gjë po bëjmë në Unazën e Vogël, ku në punë ditësh po fillojmë transferimin e stacionit elektrik, për t'u siguruar që e kemi të hapur totalisht rrugën e Unazës së Vogël.
 
Gjithashtu, jemi duke e projektuar këtë standard në gjithë rrugët e Tiranës, në të gjitha kryqëzimet ku investimet e radhës janë në Rrugën e Dibrës, Rrugën e Elbasanit, Rrugën e Kavajës, Unazën ekzistuese të Tiranës dhe në të gjitha akset e tjera hyrëse duke përfshirë dhe Bulevardin e ri, ku jemi dhe shumë pranë mbylljes së parkingut të parë nëntokësor publik, në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe besoj se deri në Vit të Ri qytetarët do të kenë mundësi të shikojnë 400-500 metrat e para të Bulevardit, për të parë vizionin e ri sesi do të zhvillohet qyteti. Me projektet tona ne po vendosim disa pika kyçe të një infrastrukture moderne që do të zgjidhë problemin e mobilitetit në Tiranë. Do ta kthejë atë në një qytet me mobilitet shumë më të lartë se sot, por edhe më të pastër e më të shëndetshëm duke promovuar mënyrat alternative të transportit publik.
 
Unaza e Vogël dhe Unaza e Madhe sot po ecin me ritme shumë më të  shpejta pas vitesh të tëra neglizhence. Përfundimi i këtyre projekteve do të lehtësojë ndjeshëm fluksin e trafikut në rrugët qendrore të Tiranës. Krijimi i agjencisë sonë, Tirana Parking, një agjenci pronë publike e Bashkisë dhe qytetarëve të Tiranës, filloi shënimin e disiplinimit të parkimit në Tiranë, jo vetëm që po i sjell Bashkisë më shumë të ardhura për të investuar në punë publike, korsi biçikletash apo pemë të mbjella me ato para të parkingjeve, por po jep një kontribut të madh edhe në disiplinimin në përgjithësi të trafikut të Tiranës. Ishte një vendim jo i lehtë, mbaj mend debatet që kemi pasur, hasi në shumë rezistencë, por së bashku arritëm që ta kthejmë në realitet dhe qytetarët po përfitojnë, në një qytet që është shumë herë më i menaxhueshëm. Besoj se ky është treguesi më i mirë i seriozitetit që ky Këshill ka pasur, i cili ka ditur të marrë edhe vendime të vështira për sa kohë që  ka pasur vizion dhe janë përkthyer në të mira materiale për qytetin.
 
Sot, në Tiranë, është fakt, ka shumë më tepër korsi biçikletash sesa kishte një vit më parë. Jam i bindur që s’do të jetë e largët dita kur kjo formë transporti do të përqafohet nga shumë qytetarë duke i dhënë kryeqytetit një përmasë më njerëzore. Ne tashmë kemi trefishin e përdoruesve të biçikletave në Tiranë, por sigurisht që kjo është larg ambicies tonë. Ndryshimi më i rëndësishëm do të prekë transportin urban, i cili është në një proces transformimi e modernizmi, pavarësisht se ende nuk jemi aty ku do të donim. Do të kemi  futjen e biletave elektronike përpara fundit të vitit 2016, do të eliminojmë njëherë e mirë shumë nga abuzimet prej të cilave ende vuan sot sistemi i transportit publik në qytetin e Tiranës. E po ashtu, kontrollet më të shumta nga AMK dhe këmbëngulja për cilësi më të lartë shërbimesh duke shkuar deri tek gjobat, disa herë heqje e licencave, po fillon të japë frytet e veta në një transport publik shumë më të disiplinuar.
 
Po mendojmë edhe për themelimin e një kompanie publike të Bashkisë së Tiranës, në fushën e  transportit publik, që ashtu siç po i sfidojmë operatorët privatë me një kompani publike të Bashkisë që do të fillojë muajin tjetër dhe ndërmarrjen tonë të pastrimit, ashtu do të konsiderojmë edhe fillimin e punës me një ndërmarrje publike të transportit, për t'u siguruar që nuk merremi peng nga privatë që nuk dinë të menaxhojnë interesin publik që u është besuar, ashtu siç na ndodhi në fillim të këtij viti. Me vendimin për përcaktimin e linjave të transportit qytetas dhe rrethqytetës të udhëtarëve në Bashkinë e Tiranës, do të shkojmë në 15 linja qytetase dhe do të konsolidojmë 25 linja rrethqytetëse. Pas miratimit të këtij vendimi, me 15 linjat urbane dhe 500 vendqëndrime autobusi si edhe 25 linjave rrethqytetëse, i gjithë territori i Tiranës do jetë i mbuluar me shërbimin e transportit publik si asnjëherë më përpara.
 
Buxheti i këtij viti na ka lejuar të bëjmë shumë më tepër punë për komunitetin seç janë bërë më përpara. Vetëm në rikualifikime urbane janë investuar 3 milionë dollarë me të cilat janë rikualifikuar blloqe urbane në Njësitë 5, 10 dhe 11. Në total janë shtruar 31 mijë metra katrorë asfalt në 3 blloqe urbane, 8,358 m2 trotuare dhe 10,304 ml tuba për sistemimin e kanalizimeve dhe disa lagje që kanë qenë totalisht baltovinë e denjë për qytetet mesjetare sot janë shumë më dinjitoze duke i rritur vlerën pronën, edhe në nivel kapilar. Në infrastrukturë urbane janë rikonstrukuar 5,000 metra linear rrugë, sistemuar 42,697 m2 asfalt dhe janë shtuar 17 mijë metra katror trotuar. Ndërkohë që në sigurinë rrugore janë vijëzuar 2288 metra2 sinjalistikë rrugore dhe vendosur 259 tabela të reja. Sigurisht sinjalistikë, jo nga ajo që siç e keni parë nga shirat është shuar në vitet e fundit, por një sinjalistikë që nuk i kthehemi çdo muaj, sa herë që bie shi.
 
Ndërhyrjet më emergjente kanë qenë në Njësinë Administrative Nr. 1 veçanërisht në zonën e Ali Demit dhe Shkozës, ku siç e dini nuk ishte vënë dorë prej vitesh e vitesh. Ndërkohë që është përmirësuar ndjeshëm situata e ndriçimit në qytetin tonë, ku nga 560 km rrugë të pajisura me infrastrukturë ndriçimi që ka Tirana në maj 2016 ishin të ndriçuara 410 km ose 74%, krahasuar me 48% në qershor 2015. Përveç çerdheve e kopshteve që në një pjesë të madhe janë rikonstruktuar me donacione nga sipërmarrje, pa asnjë taksë nga qytetarët apo Bashkia e Tiranës, kemi ndërhyrë në objekte shkollore që prisnin dorën e bashkisë prej vitesh. Po ndërtojmë nga e para shkollën e mesme “Hasan Tahsim”, ndërkohë që i janë nënshtruar rikonstruksionit shkollat Qemal Stafa, bashkë me shtesën e palestrës dhe katet e mësimdhënies, Jordan Misja, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, 4 Dëshmorët, dhe Sinan Tafaj ku është instaluar edhe sistemi i ngrohjes dhe për herë të parë këta nxënës nuk do të kenë më një dimër të ftohtë.
 
Ky është vetëm fillimi. Edhe shtesat në buxhet që kemi sot kanë të bëjnë me shkollat e tjera, do të ndërtohet këtë vit shkolla 'Kosova', një shkollë e djegur për t'u bërë pallat do t'ia u kthejmë qytetarëve, po shpronësojmë pronarët, ndërkohë që kemi marrë fondin, i cili do të shtohet në këtë buxhet me këtë vendim për shkollën Kosova. Ndërkohë që, shkolla e Kombinatit ju njoftojmë që pas shumë vitesh sapo ka filluar ndërtimin, ndërkohë që pjesë e shtesës në buxhet është edhe rikonstruksioni total i shkollës koreografike, është quajtur shkolla e Baletit. Ka edhe një risi në buxhetin e vitit 2016 që reflekton frymën me të cilën ne kemi punuar të gjithë bashkë në këtë Këshilli Bashkiak. Për herë të parë kemi një buxhet me pjesëmarrje të komunitetit. Jo se është një detyrim ligjor, por një dëshirë e mirë e jona për të përfshirë komunitetin në një vendimmarrje kaq të rëndësishme, për të vendosur bashkë rrugët, lulishtet, këndet e lodrave, kopshtet, shkollat, çerdhet, ujësjellësat ku kanë kërkuar ndërhyrje në komunitet dhe për ta bërë buxhetin të dobishëm për ata që vetë i paguajnë taksat, për të parë vetë investimet e përkthyera nga këto taksa.
 
Si kurrë më parë, kemi investuar për fuqizimin e komuniteteve. Ne besojmë se një qytet i mirë ndërtohet mbi komunitete të forta. Po punojmë që ta ndërtojmë frymën e komunitetit dhe të vendosim një raport sa më të fortë me qytetarët, jo vetëm kur kemi konsultime të mëdha siç është Plani Urbanistik i ri Tiranës apo buxheti por edhe në përditshmëri. Për shembull, aplikacioni “Tirana Ime” u jep qytetarëve për herë të parë mundësinë të ndikojnë drejtpërdrejtë në punën e bashkisë dhe të zgjidhin problemet e tyre. Zgjedhja e ndërlidhësve të komunitetit e ka forcuar edhe më tej lidhjen mes bashkisë dhe qytetarëve, ndonjëherë në dukje banale, por që shkaktojnë stres dhe ndikojnë cilësinë e jetesës në komunitet. Zgjedhja e ndërlidhësave të komunitetit apo kryepleqve në fshat ka forcuar edhe më tej lidhjen mes bashkisë dhe qytetarëve. Ndërkohë që vendimi që kaluam vetëm pak javë më parë për ngritjen e Task Forcës për bashkëpronësinë, pra për vendosjen e administratorëve të pallateve, do ta transformojë totalisht peizazhin komunitar të Tiranës dhe do të na mundësojë një kontroll shumë më të mirë të territorit që t’u gjendemi qytetarëve akoma edhe më shpejt dhe në mënyrë shumë më efikase sesa deri më sot. Një ekip i Bashkisë së Tiranës do të asistojë procesin e zgjedhjes së administratorëve në të 5000 pallatet e Tiranës për të ngritur fillimisht Asambletë dhe Kryesitë e Bashkëpronësisë dhe në fund fare për të zgjedhur administratorët që do të përgjigjen dhe do të trajnohen në këtë profesion, për t’u shërbyer qytetarëve të Tiranës.
 
Një nga transformimet më të mëdha që kemi sjellë së bashku ka të bëjë me pastrimin e qytetit. Tirana është sot një qytet shumë herë më i pastër se ç’e gjetëm. Këtë e pranon çdo i huaj që rikthehet ose çdo shqiptar në emigracion që kthehet pas një viti në Tiranë. Por unë prapë insistoj se duhet bërë më shumë tek pastrimi. Ky ishte mendimi i të gjithëve dhe arsyeja përse të gjithë së bashku vendosëm të ristrukturojmë shërbimin e pastrimit të Tiranës duke krijuar shoqërinë EcoTirana në partneritet me Bashkinë e Veronës, ku Bashkia e Tiranës ka paketën aksionere 51 % dhe Verona 49 %, e cila do të ofrojë shërbimin e pastrimit, mbledhjes dhe menaxhimit të mbetjeve me një standard të ri e më cilësor që jo vetëm do të garantojnë një qytet më të pastër e me të përgjegjshëm ndaj mjedisit, por edhe do të gjenerojnë të ardhura për Bashkinë Tiranë kur ne i ofrojmë shërbim palëve të treta apo edhe qyteteve të tjera, nëse duan të punësojnë kompaninë bashkiake të qytetit të Tiranës. Ky është padyshim një tjetër shërbim që ky Këshill i ka bërë qytetit të Tiranës dhe që do të zgjidhë përfundimisht një nga problemet më të mprehta prej të cilit kanë vuajtur qytetarët prej vitesh.
 
Unë jam krenar për punën që kemi bërë të gjithë bashkë, ne kemi ndarë një parim shumë fisnik: një qytet i mirë është një qytet solidar. Shumë prej jush u angazhuan fuqimisht në nismat ‘adopto një çerdhe’ dhe ‘adopto një kopësht’. Vetë puna e madhe që ju bëni këtu është dëshmi e solidaritetit tuaj me bashkëqytetarët që ju kanë zgjedhur sepse jam i vetëdijshëm që angazhimi juaj këtu nuk është vetëm një produkt politik por është mbi të gjitha produkt i përgjegjësisë tuaj civile. Prandaj dua t’ju falenderoj që të gjithë së bashku sepse ia kemi dalë të bëjmë diçka edhe për ata qytetarë që sot e kanë jetën më të vështirë dhe që janë më të pamundurit mes nesh. Sot në Tiranë ka filluar të funksionojë një rrjet mensash sociale që asnjë qytetar në nevojë të mos e kalojë ditën pa të paktën një vakt të ngrohtë! Falë edhe iniciativës tuaj sot ka në Tiranë një mori projektesh që po realizohen pa nxjerrë fonde nga arka e Bashkisë por me donacione individësh e sipërmarrjesh që duan t’i japin diçka mbrapsht komunitetit tonë.
 
Unë jam krenar që ne ia dolëm së bashku të mbajmë një nga zotimet kryesore të fushatës sonë: të shpërndajmë banesat sociale brenda vitit të parë të mandatit tonë. Vetëm pak javë më parë ne shpërndamë 177 banesat e fundit në zonën e Shkozës duke i dhënë fund një kalvari disa vjeçar bllokimesh, abuzimesh e vonesash me banesat sociale. Vetëm për këto banesa kishte plot 695 familje që aplikuan. Nga 279 familjet që e kishin dokumentacionin e rregullt, kemi sot edhe 102 janë sot në listën e pritjes. Ky është një problem i mprehtë që kërkon ndërhyrje energjike. Por Roma nuk u ndërtua në një ditë dhe as ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e akumuluara ndër vite brenda një viti. Por di t’u them që jemi në rrugë të mbarë.
 
Me të njëjtën frymë kemi punuar për të përmirësuar kushtet e jetesës edhe për një nga komunitetet më të margjinalizuara ndaj dhe iu falenderoj që e përfshitë sot në rendin e ditës, një ndërhyrje emergjence që duhet të bëjmë për komunitetin rom dhe egjiptian. Janë 2 projekte të mëdha që përveç se do të krijojnë kushte shumë më të mira jetese dhe mundësi më të mira për një numër të madh familjesh, do të shërbejnë edhe si modele që ne kemi edhe për bashkitë e tjera, për zgjidhjen e kësaj problematike në planin afatgjatë. Bashkë me PNUD po menaxhojmë projektin ESERE i cili ka për qëllim të fuqizojë e të pajisë me aftësitë të arsimit profesional, të duhura për tregun e punës, të rinjtë romë e egjiptianë. Ndërkohë që falë një projekti me Italinë, do të krijojmë një qytezë të vogël në Shkozë për t’u siguruar që familjet transferohen nga baraka apo jetë me qiellin mbi kokë, në banesa shumë më dinjitoze në po në të njëjtin territor nga ku do të fillojmë punën që këtë verë.
 
Gjatë këtij viti kemi miratuar disa nisma të rëndësishme që do t’i vijnë në ndihmë jo vetëm sipërmarrjes, por edhe fuqizimit të komunitetit duke dhënë stimuj e mbështetje për ata qytetarë që dëshirojnë të fillojnë një biznes. Një nga projektet siç jeni informuar dhe nga nënkryetarja, Bruna, është ai i bashkëpunimit me UN Ëomen, që synon fuqizimin dhe nxitjen e grave në sipërmarrje. Është një projekt që ofron inkurajim dhe mbështetje financiare për të promovuar sipërmarrjen dhe vetëpunimin tek gratë e qytetit tonë. Projekti është i ndarë në 3 faza, ku gjatë fazës së parë, gratë do të aplikojnë me një ide bazë për një biznes. Gjatë fazës së dytë gratë do të marrin ndihmën financiare dhe pastaj ndjekjen e nevojshme. Ishte falë vendimit të këtij Këshilli që kemi mundësi ta ofrojmë këtë ndihmë për gjithë zonjat në sipërmarrje.
 
Natyrisht, nxitja dhe mbështetja e sipërmarrjes nuk është kufizuar vetëm te ky projekt. Unë doja të veçoja edhe dy nisma të tjera. Së pari, kemi miratuar së bashku ndryshimet në paketën fiskale të 2016 që u vjen në ndihmë të gjithë sipërmarrjeve të reja duke bërë realitet premtimin tonë për t’u ofruar mbështetje maksimale start-up-eve, sipërmarrjeve të të rinjve apo çdo individi tjetër që vendos të hapë një biznes në Tiranë. Më konkretisht, miratuam përjashtimin nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore të çdo biznesi të sapo krijuar në 100 ditë e pas regjistrimit. Në këtë mënyrë, ne nuk i rëndojmë bizneset me taksa në momentin që po testojnë tregun nëse janë të sukseshëm. Së dyti, Bashkia e Tiranës së bashku me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, fondin norvegjez dhe Crimson Capital si aksionerë me nga 25% të aksioneve, kanë themeluar Crimson Finance Fund Albania, ku kanë filluar mikrokreditë e para për të gjithë ata që duan të fillojnë një biznes në qytetin e Tiranës duke përdorur këtë instrument mikrokredie inovative.
 
Të gjitha këto vendime që i kemi marrë së bashku, po japin kontributin e tyre për ta kthyer Tiranën në një qytet të qeverisur më mirë, me standarde më të mira jetese, më të shëndetshëm, më njerëzor. Por natyrisht, impaktin më të madh e më të dukshëm në transformimin e qytetit e kanë projektet e mëdha që kemi ndërmarrë së bashku. Janë këto projekte që po i japin formë Tiranës së të ardhmes.
Kemi një projekt të madh, fazën e parë do ta mbyllim në shtator, për rikualifikimin e Pazarit të Ri te sheshi “Avni Rustemi”. Është tashmë në një fazë të avancuar me ndërhyrjen tek markata e mishit dhe peshkut dhe ka për ta kthyer këtë zonë në një nga zonat më të frekuentuara e tërheqëse të Tiranës, me një hapësirë turistike por sigurisht edhe për t’i shtuar vlerën gjithë pronës që gjendet në atë që quhet pjesa e vjetër ose tradicionale e qytetit të Tiranës.
 
Projekti i Bulevardit të Ri dhe i Lumit të Tiranës janë po ashtu dy projekte që kanë njohur një ecuri të jashtëzakonishme gjatë vetëm një viti ku së bashku ia kemi dalë të adresojmë ngërçe që i kishin stopuar për disa vjet dhe kishin bërë që të ecnin me hapa breshke. Mjafton të kujtoj që kur erdhëm në krye të Bashkisë së Tiranës gjetëm vetëm 2% të projektit të Bulevardit të ri të realizuar, praktikisht vetëm hapjen e kantierit në fillim, sa për të parkuar mjetet, ndërkohë që sot kemi avancuar në 1/3 e tij. Kemi hapur dhe çliruar 1 km të bulevardit, kemi edhe 600 metra para se ky projekt të takohet me një projekt tjetër, projektin e Lumit të Tiranës, ku kemi ecur akoma edhe shpejt dhe kemi realizuar 75% të projektit të Lumit të Tiranës. Krejt papritur 2 zona, aspak të lakmueshme të Tiranës, që kanë qenë Bulevardi i Ri dhe Bregu i Lumit do të kthehen në zona më atraktive të Tiranës. Mjaft të përmend që parku qendror do të jetë 6 herë sa parku “Rinia”. I preka edhe më lart dy Unazat e Tiranës, të Voglën dhe të Madhen të cilat tashmë janë shumë pranë përfundimit. Shpresoj se së shpejti do të kemi mundësinë të nisim punimet edhe për Terminalet Perëndimorë dhe Lindorë të cilat do të sistemojnë trafikun që hyn në Tiranë nga rrethet. Vetëm me sistemimet provizore që kemi bërë, rreth 8000 mjete, furgonë dhe autobuzë që hynin në mënyrë ditore në Tiranë, sot ndalojnë në periferi të Tiranës pranë Doganës dhe Qytetit Studenti dhe duke e bërë ndjeshëm më të lirë trafikun në qytetin e Tiranës. Imagjinoni sa më mirë do të jetë kur të kalojmë nga zgjedhje provizore në zgjidhje definitive.
 
Lajmi i mirë është se brenda muajit gusht do të këtë nisur puna edhe për sheshin “Skënderbej”, një projekt i ndërprerë për arsye që s’kanë pasur të bëjnë me qytetin e qytetarët për plot 5 vjet me radhë, por që sot më në fund do të nisë realizimi. Ne kemi zhvilluar shumë konsultime publike në të 24 njësitë e qytetit tonë për këtë projekt dhe jam i bindur që në formën që është tani, me gjelbërimin e shtuar dhe me infrastrukturën e duhur, me parkingun nëntokësor do të ketë edhe sheshe më të shtuara me hapësira pranë godinave historike për më shumë aktivitete kulturore e artistike. Besoj që sot kemi realisht projektin ideal të sheshit “Skënderbej” dhe në kohë rekord besoj që do të kemi jo vetëm një hapësirë nga më të bukurat në rajon por dhe hapësirën më të madhe pedonale në gjithë Europën Lindore.
 
Unë nuk mund të listoj çdo punë që kemi bërë së bashku sepse do të duhet të rrinim për shumë e shumë orë këtu. Por dua ta mbyll me një projekt madhor e shumë të rëndësishëm sepse do të përcaktojë të ardhmen e Tiranës. E kam fjalën për Planin e Përgjithshëm Vendor të qytetit. Pavarësisht se jemi bashkia më e madhe, më e koklavitur dhe më e debatuar nga ana tjetër jemi edhe bashkia që kemi ecur më shpejt me Planin Urbanistik, Planin e Përgjithshëm Vendor. Vetë për faktin që janë shtuar 13 njësi nga komunat, ku kemi pasur edhe një kohezion goxha të mirë në vitin e fundit që besoj do të shtohet falë këtij plani dhe punës në 3 vitet e ardhshme, sot jemi në një fazë shumë më të avancuar se gjithë bashkitë e tjera të republikës. Për gjithë këtë bonsens dhe bashkëpunim fantastik do të doja që t’u falenderoja.
 
Për herë të parë Tirana do të ketë një dokument që nuk merret me njolla e koeficientë ndërtimi duke planifikuar lejet, as synon ta shndërrojë në truall ndërtimi çdo hapësirë publike, siç bënte plani që kishim, por që fokusohet tek zhvillimi i qytetit, mobiliteti, infrastruktura, modeli ekonomik dhe financiar që do të përdorë bashkia, më shumë fokus te natyra, bujqësia, te përdorimi i burimeve të ujit që kemi, më shumë fokus te turizmi dhe kultura, siç e kemi pasur të mbushur me aktivitete këtë vit në këto dy fusha, tek modeli ekonomik i Bashkisë së Tiranës dhe përcaktimi se ku do të jenë zonat industriale, ato rezidenciale dhe ato shlodhëse. Besoj se të gjitha këto detaje do ta bëjnë një qytet më të jetueshëm me implementimin e këtij plani.
 
Kemi zhvilluar tashmë një seri dëgjesash publike, nuk kemi mbaruar ende, për të prezantuar e diskutuar me komunitetin përfundimet dhe rekomandimet kryesore të këtij plani. Këto dëgjesa do të vazhdojnë edhe në javët që vijnë derisa të arrihet në një dokument final që do të jetë kushtetuta e zhvillimit të qytetit të Tiranës. Por doja ta mbyllja me këtë projekt kaq të rëndësishëm që e kemi miratuar së bashku sepse besoj se ai shërben si metaforë e punës që ky këshill ka zhvilluar me administratën e Bashkisë. Ka qenë një bashkëpunim tejet efikas dhe konstruktiv për faktin e thjeshtë sepse kemi punuar të gjithë së bashku për të respektuar sa më mirë votën e qytetarëve të Tiranës të cilët na mandatuan jo vetëm për të zgjidhur emergjencat të cilat përballeshim në vitin e parë, por edhe për të menduar e punuar jo për zgjedhjet e ardhshme por për gjeneratën e ardhshme të qytetit të Tiranës.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë