Kanë përzgjedhur një tjetër libër, por në listën e teksteve të miratuara, me të cilin do të bëjnë mësim për vitin shkollor 2012-2013, figuron një tjetër libër. Kjo ngjarje ka ndodhur në qytetin e Beratit, megjithëse fakti i ndërhyrjes dhe presionit ndaj mësuesve u bë publik dy ditë më parë edhe në gazetën "Shqiptarja.com".

Precedenti
"Lufta" që bëri komisioni i historisë i mësuesve të Beratit për të zgjedhur tekstin që ata preferojnë duket se ka shkuar dëm. Megjithëse fillimisht u duk sikur ata e fituan betejën, që nxënësit të mësojnë me librin që atyre iu duket më i përshtatshëm, në të vërtetë ka rezultuar krejt e kundërta. Dy ditë më parë, kur janë afishuar edhe librat me të cilat ata do të bëjnë mësim, kanë vënë re se në listë nuk figuronte teksti i historisë që ata kishin zgjedhur, por i një tjetër shtëpie botuese. Denoncimi është bërë nga Enriketa Zeqo, njëra prej mësueseve të Beratit, që ka qenë anëtare e komision të përzgjedhjes së këtij teksti të librit shkollor. "Dje janë afishuar nëpër shkolla shtëpitë botuese që kanë fituar në bazë të votimit, e megjithëse shtëpia botuese Morava u hodh poshtë (4 me 1) ajo prapë është fituese. Ky është paradoks. Ju lutem bëni diçka në emër të arsimit. Vazhdoj të kërcënohem, madje s'kanë as turp që mundohet shefi i burimeve njerëzore pranë kësaj drejtorie të përgënjeshtrojë lajmin. Mjeranët ku po zhyten. Bashkohuni me mua për fëmijët tuaj. Në këtë betejë nuk kam asgjë personale. Mendoni për fatin e fëmijëve tuaj", - i shkruan deputetes socialiste Ledi Shamku, në faqen e saj në "facebook", Enriketa Zeqo, mësuesja që denoncoi edhe para disa ditësh presionin e madh që iu bëhej për të përzgjedhur librin që dëshironte drejtori dhe jo mësuesit. Ndërkohë që deputetja e PS-së, duke iu referuar edhe shkrimit të botuar me datë 3 korrik në "Shqiptarja.com", shpjegon se çfarë ka ndodhur në qytetin e Beratit me përzgjedhjen e teksteve shkollore. Ajo deklaron se njëjta histori manipulimesh me përzgjedhjen teksteve po ndodh në të gjithë vendin. "Me të drejtë komentuesit e këtij lajmi kërkonin më shumë saktësime rreth manipulimit me altertekstin. Po i jap si më poshtë: Drejtori i drejtorisë arsimore të Beratit quhet Beqir Baçi (është po e njëjta drejtori që u bë objekt i Fiksit vjet po për të njëjtat histori). Tani, megjithëse 4 mësueset votuan kundër urdhrit të Drejtorit për t'i zgjedhur tekstet sipas urdhrit të tij korruptiv, në shkollë prapëseprapë erdhën të miratuara ato tekste që kërkonte Beqir Baçi. Ishte votuar Histori VI me shtëpi botuese "Albas" dhe ndërkohë është miratuar shtëpia botuese "Morava". Të njëjtën histori kemi në gjithë Shqipërinë. Do vijojmë me fakte te reja. I përgëzoj me zemër mësueset e Beratit!", - shkruan deputetja socialiste, Ledi Shamku, në faqen e saj në "Facebook", faqe të cilin me sa duket mësuesit e shikojnë si një dritare ku mund të tregojnë se çfarë po ndodh me të vërtetë me procesin e përzgjedhjes së librave shkollorë për arsimin parauniversitar. Vetëm dy ditë më parë, Shqiptarja.com publikoi një lajm ku mësuesit deklaronin presionet që iu bëheshin nga drejtuesit e arsimit, madje edhe kërcënimet për largime nga puna, vetëm e vetëm për të përzgjedhur librin që donin ata dhe jo librin që duan mësuesit.

(ek/shqiptarja.com)