Kompania MABCO, e drejtuar nga Behgjet Pacolli, ka kundërshtuar zgjidhjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin e Vlorës, duke akuzuar institucionet shtetërore shqiptare për përjashtim të paligjshëm nga investimi dhe ushtrim presionesh ndaj saj.
Në një deklaratë për mediat, avokati i kompanisë, Arlind Ahmetaj, tha se MABCO, e cila sipas tij zotëron 98% të investimit, është mbajtur jashtë kantierit për një vit, pavarësisht dokumentacionit zyrtar që, sipas tij, e provon këtë situatë.
Ahmetaj deklaroi se më 3 prill 2025 është bërë një tentativë për blerjen e kuotave të investimit, ndërsa shtoi se qeveria është në dijeni të zhvillimeve që, sipas tij, nisën në gusht të vitit 2025. Ai pretendoi gjithashtu se përfaqësuesit e MABCO janë penguar fizikisht të hyjnë në aeroport.
Sipas avokatit, në mars të vitit 2026 kompania kishte ftuar kryeministrin Edi Rama për një vizitë në terminal, por në vend të tij morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilët, sipas tij, refuzuan të kryenin inspektimin dhe vizituan vetëm zyrat e kompanisë 2A Group. Ahmetaj u shpreh se pas rikthimit të normalitetit në VIA, më 26 maj 2026, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ushtroi presione, intimidime dhe ultimatume ndaj kompanisë. Ai shtoi se MABCO ka depozituar 10 kallëzime penale, të cilat, sipas tij, nuk janë shqyrtuar nga organet kompetente.
Avokati theksoi se kompania nuk e konsideron nenin 15.4 si bazë ligjore për anulimin e projektit dhe kërkoi shpjegime për arsyet e mosfinalizimit të punimeve.
Në përfundim, Ahmetaj deklaroi se MABCO do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, përfshirë arbitrazhin ndërkombëtar, për të mbrojtur të drejtat e saj, duke theksuar se kompania nuk e pranon zgjidhjen e kontratës së koncesionit.
“Autoritetet na kanë përjashtuar në mënyrë të paligjshme nga investimi. Nuk i pranojmë pretendimet e autoritetit kontraktor. Për një vit, MABCO, e cila zotëron 98% të investimit, është mbajtur jashtë kantierit nga institucionet. Këtë e vërtetojnë 90 shkresa zyrtare. Më 3 prill 2025 u bë një tentativë për blerjen e kuotave të investimit. U krijua artificialisht një debat. Qeveria e di se çfarë ndodhi në gusht të vitit 2025, kur nisi skenari për këtë investim. MABCO është penguar fizikisht të hyjë në aeroport. Është penguar nga një grup i strukturuar kriminal.
Në mars të vitit 2026 e ftuam kryeministrin Rama për një vizitë në terminal, por në vend të tij erdhën përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilët refuzuan të kryenin inspektimin dhe u futën vetëm në zyrat e 2A Group. Më 26 maj 2026 u rikthye normaliteti në VIA. Menjëherë pas kësaj fitoreje, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u angazhua në ushtrimin e presioneve, intimidimeve dhe ultimatumit ndaj nesh.
Janë 10 kallëzime penale të bëra nga MABCO që nuk janë shqyrtuar fare. MABCO ka duruar për një vit padrejtësi. Ky është një skenar i ndërtuar me një rezultat të paracaktuar. Neni 15.4 nuk është licencë për të anuluar projektin. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hesht për arsyet pse puna nuk ka përfunduar. MABCO do të ushtrojë të gjitha të drejtat ligjore në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Nuk e pranojmë zgjidhjen e kontratës së koncesionit”, tha mes të tjerash Arlind Ahmetaj, avokat i MABCO.
Ndërkohë Agon Pacolli ka deklaruar se në Aeroportin e Vlorës janë kryer 95% e punimeve. Pacolli ka thënë se puna në aeroport ishte planifikuar të përfundonte brenda 3 javëve.
Po ashtu, Pacolli ka bërë të ditur edhe faturat që sipas tij kompania MACBO ka paguar për vënien në punë të Aeroportit të Vlorës.







