Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të martën në Paris me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emmanuel Macron.
Takimi u bë në margjinat e Forumit për Paqe që po i zhvillon punimet në kryeqytetin e Francës.
Thaçi pas takimit tha për Europe e Lirë se: Në kuadër të organizimeve të Forumit të Paqes këtu në Paris, presidenti i Francës, Macron ka marrë iniciativën sot që të zhvillojë një takim trilateral mes meje si president i shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë Vuçiq në një nga ambientet e organizuara nga presidenti Macron.
Qëllimi i takimit ishte afirmimi i nevojës së dialogut Kosovë-Serbi, ristartimi i këtij procesi dhe mundësia eventuale e arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, me mundësi potenciale për Kosovën që të jetë pjesë edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Unë vlerësoj lartë përkushtimin, zotimin dhe vendosmërinë e presidentit Macron që të lehtësojë këtë proces, si një prej udhëheqësve të fuqishëm të Bashkimit Evropian dhe botëror.
Prandaj, mendoj që ishte një mesazh për paqen, për bashkëpunimin ndërfqinjësor dhe të ardhmen euroatlantike për Kosovën, por edhe të ardhmen evropiane në tërësi të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Besoj se presidenti Macron, së bashku me akterë të tjerë globalë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe akterë të tjerë evropianë, duke përfshirë edhe NATO-n do të mund të lehtësojë procese të ardhshme të tilla për arritjen e marrëveshjes përfundimtare paqësore Kosovë-Serbi si kusht për paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor.
Thaçi tha gjithashtu se "Është një vendosmëri e plotë e presidentit Macron që të shtyjë përpara këtë proces si nevojë evropiane dhe si kusht e kriter evropian sepse tek e fundit edhe Franca e Gjermania kanë qenë në konflikt të ashpër, me viktima të shumta, por shembulli i Francës dhe Gjermanisë mund të jetë edhe shembulli më i mirë për Kosovën dhe Serbinë që të përmbyllen konfliktet me paqe, pastaj zhvillim, ndërtim dhe jetë më të mirë për njerëz".
Një natë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi se presidentit Macron i ka konfirmuar që "Kosova është e vullnetshme dhe e gatshme për marrëveshje paqësore me Serbinë, e cila duhet të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Marrëveshja e Paqes garanton më shumë mundësi për zhvillim dhe për jetë më të mirë, si dhe më shumë prosperitet për të gjithë qytetarët tanë".
Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se nuk ka asgjë të re në deklarimet e presidentit të Kosovës.
Procesi i bisedimeve është pezulluar tash e një vit që kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.
Fraca do te miren e Serbise jo te Kosoves. Kjo dihet.
PërgjigjuPo si vajti ky Hashimi sikur keto nuk takojne me Vucic se nuk ka njohur Kosoven!!!!!!!!!
Përgjigju