Franca dhe Italia do të zhvillojnë më 25 qershor samitin e tyre të parë ndërqeveritar të nivelit të lartë, një takim që vjen në kuadër të Traktatit të Kuirinales, marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy vendeve e nënshkruar gjashtë vite më parë.
Lajmi është bërë i ditur nga Pallati Elize, i cili njoftoi se samiti do të mbahet në Antibes, në Rivierën Franceze. Takimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet mes Parisit dhe Romës dhe do të funksionojë si një lloj mbledhjeje e përbashkët e qeverive të dy vendeve.
Data dhe vendi i zhvillimit të samitit janë ndryshuar disa herë gjatë muajve të fundit. Fillimisht ishte parashikuar të mbahej në Tuluzë, më pas u zhvendos në Kanë, ndërsa tashmë është konfirmuar Antibes si destinacioni përfundimtar.
Sipas mediave italiane, këto ndryshime janë interpretuar edhe si pasqyrim i marrëdhënieve jo gjithmonë të qeta mes Pallatit Elize dhe qeverisë së Giorgia Melonit gjatë muajve të fundit. Në qendër të diskutimeve pritet të jetë bashkëpunimi strategjik mes Francës dhe Italisë në disa sektorë kyç.
Në një deklaratë zyrtare, Elize bëri të ditur se samiti do të shërbejë për të thelluar bashkëpunimin franko-italian në fusha si mbrojtja, industria e hapësirës, energjia dhe infrastruktura.
“Ky samit do të ofrojë mundësinë për të thelluar bashkëpunimin franko-italian në disa sektorë strategjikë, veçanërisht në mbrojtje, hapësirë, energji dhe infrastrukturë”, thuhet në deklaratën e presidencës franceze.
Sipas Elizesë, presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministrja Giorgia Meloni do të diskutojnë gjithashtu çështjet kryesore evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe mënyrat për të forcuar lidhjet mes shoqërive civile të dy vendeve, veçanërisht përmes të rinjve dhe kulturës.
Një nga temat më të rëndësishme të samitit pritet të jetë projekti i njohur si “Bromo”.
Bëhet fjalë për një sipërmarrje të përbashkët strategjike mes kompanisë italiane Leonardo, Airbus dhe kompanisë franceze Thales, e krijuar për të bashkuar aktivitetet e tyre në sektorin hapësinor dhe për të ndërtuar një gjigant evropian të aftë të konkurrojë në tregun global.
Projekti konsiderohet një nga iniciativat më ambicioze të bashkëpunimit industrial mes Francës dhe Italisë në vitet e fundit.
Në samit do të marrin pjesë edhe nëntë ministra italianë, duke i dhënë takimit një peshë të veçantë politike dhe ekonomike. Para nisjes së punimeve zyrtare, Giorgia Meloni pritet të vizitojë edhe Muzeun Picasso në Antibes.
Komente





