TIRANË -  Policia e Tiranë zbarkon në Burrel dhe në Bulqizë për hetimet për zbardhjen e vrasjes së ndodhur pranë rrugës "Mihal Grameno", mbrëmjen e djeshme ( e premte 17 janar 2014) në Tiranë. 

Hasan Talja, 42-vjeçari nga Bulqiza, u qëlluar disa herë me breshëri kallashnikovi përpara shtëpisë së tij rreth orës 20: 50 minuta. Talja banonte në rrugicën “Bajram Allaraj”, afër rrugës “Mihal Grameno”, pranë Qytetit Studenti, në Tiranë.

Janë shoqëruar 10 persona të gjithë banorë nga zona e viktimës 42-vjeçarit Hasan Talja. Policia tha se 42-vjeçari u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi të mbijetonte për shkak se plumbat i kishin prekur organet jetësore.

ORA 10: 00 VRASJA MUND TE KETE LIDHJE ME EKZEKUTIMIN  E 20 PRILLIT 2013
Gazetari i A1 Report, Gerti Xhaja informon se policia dyshon se vrasja e ndodhur në Tiranë ka lidhje me ekzekutimin e 20 prillit të 2013 në Bulqizë, ku mbeti i vrarë Shefqet Shehu dhe u plagos vëllai i tij, Vehabi. Sipas të njëjtit burim ngjarjet lidhjen me larjen e hesapeve mes grupeve që menaxhojnë minierët e kromit në Bulqizë. Vetë familjarët të pyetur nga policia mësohet se nuk kanë dhënë detaje apo pretendime për kërcënime apo përplasje të mundshme të Taljas, që mund të ishin dyshime për motivin dhe autorët e ngjarjes.

Mbrëmjen e djeshme Talja është konfliktuar fillimisht pranë Tregut Elektrik në, dhe më pas është ndjekur dhe është qëlluar rrugës për në banesë. 

VIKTIMA KISHTE NE PRONESI DHE GALERI MINIERE
Paraprakisht mësohet se viktima kishte në pronësi disa biznese në vendlindjen e tij, në Bulqizë, mes tyre dhe disa galeri miniere. Vëllai i tij, Sabah Talja është arrestuar nga policia në qershor të vitit 2012, pasi iu gjetën në makinë rreth 300 kg tritol, që dyshohet se do të përdorej për shpërthimet në zonën D të minierës së Bulqizës. Talja u arrestua kur po e transportonte dinamitin pa leje dhe pa fletë shoqërimi, me makinën tip Benz me targa të Tiranës 4304 S. Policia po kryen verifikimet dhe hetimet përkatëse për ngjarjen e rëndë.


hasan tarja me logo
(Në foto: Viktima Hasan Talja dhe vendi ku ndodhi vrasja)

"FAR WESTI" I KROMIT
“Ferri” i kromit ka pak vjet që po “shpaloset” në realitetin e ashpër e gjysmëmesjetar, larg në Bulqizën e vuajteve. Përplasjet mes bandave rivale, me stilin Far-West, kanë sjellë të paktën 6 të vdekur, këto 3 vitet e fundit, mbi 5 të plagosur dhe rreth 70 punëtorë që kanë humbur jetën në galeritë e kromit. Policia evidenton plagosjen e D. Tançit si pikënisje të disa sherreve, ndërsa nga përleshja mes grupit të I.Jangullit, D.Gjetës dhe atij të I.Duriçit është ekzekutuar një person i pafajshëm.

Mes raporteve të policisë citohen galeritë 60,48, 63, etj, si më të rrezikshmet, ashtu si galeria “B” apo “D”. Bosë si E dhe B.Çupit kontrollojnë disa linja bashkë me E.Ketën apo L.Tërnovën. Në ilegalitet, punëtorët futen në galeri, gjatë turnit të dytë, pra jashtë orarit  të punës. Jangulli dhe Gjeta janë persona të implikuar në disa përplasje, ndërsa si një prej më të rëndësishmëve atje është U.Tançi, bashkë me bosin tjetër, A.Shehun.

LUFTA E PANDERPRERE
Atje, në vendin e braktisur, ku gazetarët e huaj, në reportazhet e shumta e cilësojnë si “prona e zotërve të kromit që shfrytëzojnë skllevërit e Mesjetës”, gjithçka nisi afër fundit të 2006-ës, kur DARFO u largua dhe ia shiti koncesionin një grupi, ruso-austriak te quajtur ACR. Deri në fund të 2012-ës, qeveria e asaj kohe kishte dhënë rreth 106 licenca shfrytëzimi për burimet e kromit, ndërsa prodhimi aktual është rreth 200 mijë tonë në vit. Ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti kërkonte ngritjen e Task-Forcës.

Ish-kryepolici i Dibrës Ahmet Premçi dha dorëheqjen dhe përmendi mafien e kromit, kurse ministri aktual i Ekonomisë, Gjiknuri, i kërkoi policisë një raport të 3-vjeçarit të fundit, për ngjarjet kriminale atje. Muajt e fundit Policia e Shtetit bllokoi me dhjetra kamionë me krom pa fatura, që nga Bulqiza “derdheshin” drejt portit të Durrësit.
 
vrasja ne mihal grameno
(Në foto: Automjeti i grupit hetimor të policisë në vendngjarje, pranë banesës së viktimës)

Lajmi fillimisht u publikua në orën 21:00 të 17 janarit 2014, dhe u perditesua në vazhdim sot më 18 janar 2014

Redaksia Online
(sg/mm/mag/a.ç/shqiptarja.com)