TIRANE- Pas një super edicioni të zhvilluar me ekipin e Tiranës, ku arriti që ta shpëtonte nga rënia, madje ta ngrinte në mesin e renditjes në përfundim të kampionatit, trajneri Gugash Magani mund të mos drejtojë bardheblutë për edicionin tjetër nëse nuk do të ketë një plan konkret nga drejtuesit e klubit. Edhe pse dëshira e trajnerit është e madhe që të vazhdojë projektin e nisur me Tiranën, një gjë e tillë është e pamundur nëse nuk do të ketë një plan të qartë.

“Kontrata ime me ekipin e Tiranës mbaron  më 31 Maj. Kam biseduar për kontratën e re me donatorë, por nëse nuk ka plan të qartë rrezikojmë shumë, unë rri tek Tirana për titull dhe jo për mbijetesë. Zhvilluam një super edicion, falë mbështetjes së tifozëve, por edhe të donatorëve duke shpëtuar ekipin nga rënia.  Megjithatë për të ardhmen jam skeptik” deklaroi ai. Trajneri Gugash Magani pas paraqitjes mjaft të mirë me ekipin e Tiranës edicionin që sapo lamë pas ka marrë edhe një ofertë për të drejtuar një ekip në Arabinë Saudite. Një gjë të tillë e konfirmon edhe vetë tekniku, por shprehet se qëllimi i tij është që të fitojë titullin e 25-të kampion me Tiranën.

“Është e vërtetë për ofertën. Është vlerësim dhe diçka e mirë. Në Shqipëri ka trajnerë të mirë që mund të drejtojnë fare mirë edhe jashtë vendit. Ofertën e dëgjova me kënaqësi por kemi një projekt ambicioz tek Tirana. Kam dëshirë që 24 trofetë e fituar t’i bëjmë 25 dhe të jem unë trajneri i këtij ekipi” përfundoi ai. Pas përfundimit të kampionatit futbollistët e Tiranës janë në udhëkryq përsa i përket të ardhmes, pasi kontrata iu ka përfunduar dhe akoma nuk ka asnjë reagim nga drejtuesit e klubit se çfarë do të bëhet.

Tirana është në të njëjtën gjendje si një edicion më parë ku u ndërhy vetëm në ditën e fundit të merkatos duke afruar disa futbollistë të cilët rezultuan se nuk ishin në gjendje që të shpëtonin ekipin, nëse në dimër nuk do të ishin afruar lojtarë cilësorë duke nxjerrë 24-herë kampionët nga kriza dhe vendi i fundit.

Shkrimi u botua sot në "Shqiptarja.com" (print) 23 maj 2014

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)