Magjia e Dardhës

Magjia e Dardhës

Foto bardh e zi e publikuar nga Ben Blushi në Dardhë

Dardha ka të gjitha cilësitë për ta quajtur një fshat magjik.

Ka ujë, ka ajër, ka lartësi, ka pyll, ka ngjyra, ka shumë borë, ka pak njerëz dhe shumë pak zhurmë.

Nëse ecën nëpër fshat nuk ka asnjëri që nuk të fton në shtëpi. Ata që nuk e kuptojnë më këtë zakon, duhet të imagjinojnë për një çast sikur janë duke ecur nëpër rrugët e Tiranës apo të Durrësit dhe çdo njeri që të del përballë të thotë hajde nga shtëpia pimë një raki. Nëse kjo do na ndodhte në Shkodër apo në Vlorë, shumica prej nesh do frikësoheshim, duke menduar se ai që po na fton ka ndonjë qëllim të keq.

Në Dardhë kjo nuk ndodh. Askush nuk ka frikë të të ftojë dhe të ftohet në shtëpi. Kur kjo vizitë e paplanifikuar mbaron dhe mendja jote përkundet lehtë nga avujt e rakisë së kumbullës, ti futesh në një gjendje konstante paqeje dhe nostalgjije për ditët që kanë ikur.

Dardha nuk është një fshat i vjetër por është një fshat i plakur.

Prandaj ka pak histori dhe shumë kujtime.

Dardha është krijuar si një ngulim të krishterësh të cilët i ikën turqve në vitet 1700. Disa familje që nuk pranuan të konvertoheshin në muslimanë, apo që ndoshta kishin bërë ndonjë krim dhe prandaj kishin ndonjë hasmëri, ikën nga Himara ose edhe nga Kruja dhe u vendosën në një shpat mali në kurriz me Korcën, nga maja e të cilit mund të shohësh reflekset e liqenit të Kosturit në Lindje.

Fshati është 1400 metra mbi nivelin e detit. Sa herë mendoj pse të parët u vendosën në këtë lartësi, ku bora të bllokon rrugën për tre muaj, kam vetëm një përgjigje. Ata që erdhën përveç turqve i ikën erës duke kërkuar ujë. Sepse vinin nga kishat nuk donin turqit, sepse nëse vinin nga Kruja nuk donin erën dhe nëse vinin nga Himara donin ujin.

Dardha nuk ka erë në dimër dhe ka shumë ujë në verë.

Një gojëdhënë thotë se dardharët, nga vitet 1800, ruanin ende lidhje me himarjotët poshtë në jug dhe një korrier i famshëm çonte dhe merrte lajme me kushërinjtë e tyre ne bregdet. Në atë kohë korrierët nuk sillnin letra të rëndomta, si je, si shkon apo kush ka vdekur, por ku janë turqit, kur mund të na sulmojnë dhe si mund ti sulmojmë edhe ne ata. Ky korrier lufte, që spiunonte armikun, ishte aq i shpejtë dhe aq i fortë saqë, megjithëse turqit e ndiqnin pa pushim nëpër pyje, ishte e pamundur ta kapnin dhe prandaj e konsideronin më shumë një legjendë se një njeri.

Në fakt ai u kthye në legjendë dhe njerëzit e Ali Pashë Tepelenës që e kapën pas shumë peripecish u habitën dhe e konsideruan një kafshë. Korrieri që ishte një qenje e shkurtër, e thatë, e zezë, me sy të shndritshëm dhe mjekër të ashpër, që mezi artikulonte dy tre fjalë, më shumë duke hungërirë sesa duke folur, në të vërtetë ishte gjysëm kafshë dhe gjysëm njeri. Ai kishte një bisht. Kur e zbuluan, rojet e Ali Pashës u tmerruan nga pamja e tij prej majmuni dhe ia prenë bishtin para se ta vrisnin.

Që nga ajo kohë, Dardha është i vetmi vend ku shprehja që parlajmëron dinakërinë dhe fshehtësinë në veprim, dardha e ka bishtin prapa, pothuajse nuk përdoret, pavarësisht se dardharët vetë, janë njerëz me shumë sekrete dhe zakonisht kanë më shumë se një plan.

Pasi arriti ti mbijetojë turqve dhe islamizimit, duke u fshehur për 200 vjet, Dardha iu hap botës në fillim të shekullit të shkuar. Burrat e saj emigruan masivisht në Amerikë dhe është e vështirë të gjesh një familje që nuk ka patur gjyshin apo babain në New Jork, Filadelfia apo Boston. Në një kuptim, emigrantët e kthyen Dardhën në një fshat të kulturuar, me muzikë dhe pa baltë.

Shumë afër Dardhës, duke zbritur në lindje, devollinjtë dhe poetët e tyre fushorë, i kanë kënduar gjithmonë baltës ndërsa në Dardhë ndoshta në 100 vitet e fundit nuk ka një rrugicë të pashtruar me kalldrën. Dardha ka patur urrejtje për baltën dhe prandaj burrat harxhuan shumë para për kalldrëme, ndërsa gratë shumë kohë nga rinia e tyre për ti pastruar në dimër dhe verë.

Emigrantët investuan për shkollën, ndërtuan shtëpi të reja dhe ngritën kisha të bukura. Me kursimet e burrave në Amerikë, u shtrua me kalldrëm edhe rruga prej 20 kilometrash që lidh Dardhën me Korçën. Fotografitë e viteve 1930 janë plot me makina që ngjiten nga Korça në Dardhë, me burra të veshur si në Paris dhe me gra të lyera e me kapele alla frënga.

Në kohën që flasim, mes dy luftërave botërore, Dardha ishte si Dhërmiu sot. Një sfilatë fustanesh, zhartjerash, kopsash, gjerdanësh, vathësh, kapelesh, beretash, stofrash, papijonesh dhe makinash. Parkingu i fshatit gjatë weekendeve të gushtit, duhet të ishte më i pasuri në Shqipëri dhë ndërkohë që pronarët me gratë e tyre bënin piknik apo hanin drekë, shoferët pinin pak raki kumbulle fshehurazi.

Aristokracia e Shqipërisë vinte për pushime verore në Dardhë bashkë me artistët e kohës nga Lasgush Poradeci që kuronte shpinën e vet të sëmurë në shoqërinë e motrave piktore Zengo, tek Vangjush Mio që ka me dhjetëra piktura më ngjyra vjeshte, pa folur për fotografin perfekt Kristaq Sotiri që fotografonte borgjezet e veshura me kostum dardhar.

Kësaj mode nuk mund ti iknin as motrat e llastuara të Ahmet Zogut që vinin rregullisht ne Dardhë me automobilat e tyre me bori të zhurmshme. Në këtë periudhë, fshati kishte më shumë se 400 shtëpi dhe afro 1500 banorë.

Fama e një fshati modern dhe eleganca e burrave dhe grave e shpëtoi Dardhën edhe nga gjermanët që ndaluan këtu rrugës për të shkuar në Greqi në vitin 1943. Madje thonë se gjermanët u ndjenë aq mirë saqë në disa raste merrnin pjesë si të ftuar në mbrëmjet e vallëzimit që Dardha i organizonte rregullisht. Gratë e Dardhës kërcenin me gjermanët dhe burrat flisnin gjuhët që kishin mësuar në perëndim. Kështu arritën ta shpëtojnë fshatin nga djegia.

Nuk besoj se mërzis njeri po të them se Dardha i shpëtoi luftës duke kërcyer.

Megjithëse i priti gjermanët me diplomaci, Dardha jetoi mirë edhe në kohën e komunizmit. Fshati u kthye në kooperativë dhe shumë shtëpi të mëdha u shtetëzuan për tu kthyer në shtëpi pushimi. Nami i një fshati ku bëhet qejf vazhdoi dhe njerëz nga gjithë Shqipëria vinin në dimër dhe verë për të marrë pjesë në partyt që organizoheshin në hotelet e Dardhës, më i famshmi prej të cilëve, ishte ndërtuar nga një emigrant i kthyer nga Amerika, me mbiemrin Batelli.

Në këto kohë kam ardhur për herë të parë në këtë fshat, me prindërit e mi dhe e kam si të mjegullt një nga këto netë të freskëta vere, kur babai im bashkë me Teodor Lacon duke pirë raki kumbulle krijuan dhe këngën e Dardhës që thotë: çatitë e hirta, nën gurin e vjeshtës, të gjithë këndojnë, në Dardhën e re.

Këto vargje kanë një farë optimizmi dhe unë e kuptoj babain tim dhe miqtë e tij, që 50 vite më parë vinin në fshatin e tyre te origjinës dhe stërviteshin me poezi për të shkruar romane dhe filma. Ishte një periudhë optimizmi dhe Shqipëria që çonte energji elektrike, shkolla dhe qendra shëndetësore në çdo fshat, dukej sikur po shëronte prapambetjen, përmes kolektivizmit dhe artit të realizmit socialist.

Sot Dardha nuk është më e re, por nuk është dhe e vjetër, megjithëse është e plakur.

Nga 400 shtëpi që ishin një shekull më parë, ndoshta gjysma janë ende në këmbë. Gjysma e këtyre, banohen shumicën e vitit dhe gjysma tjetër janë shtëpi të korçarëve apo tiranasve që kthehen sa herë bije borë, sa herë është shumë vapë, apo sa herë vjeshta shkëlqen me ngjyrat e veta të mahnitshme.

Nuk e di kur ka lindur fëmija i fundit në këtë fshat, por di që shkolla nuk punon prej më shumë se 30 vitesh. Dasma e fundit mund të jetë bërë përpara 20 vitesh dhe rakija më e mirë në fshat mund të ketë një qind vjet e mbyllur në një damixhan prej qelqi.

Megjithëse është zvogëluar dhe është plakur, Dardha i shërben me aq respekt dhe shije turistëve të saj, saqë çuditesh kur shikon pleq duke pastruar rrugët dhe fëmijë që luajnë me gjethet e vjeshtës.

Meqë dardha e ka bishtin prapa, Dardha e di se sa më shumë asfalt dhe beton ka në qytet aq më shumë nevojë kanë njerëzit për malin, ajrin, ujin dhe natyrën.

Dardha është një krijesë që jeton në pyll, prandaj di të përshtatet, di të ndryshojë ngjyrat e lëkurës sipas stinëve dhe të kamuflohet për të mos rënë në sy. Kështu ka vepruar kur e përndiqnin turqit, kështu është sjellë kur e pushtuan gjermanët, kështu reagoi kur e kërcënuan komunistët dhe kështu po bën dhe sot kur e konkurron betoni.

Ajo shkrihet me natyrën dhe pret derisa të ndryshojë moda.

Aftësia për të pritur është magjia e saj.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja