TIRANË - Ish-kryeministri Pandeli Majko, i njohur si pritësi i valës së refugjatëve të Kosovës gjatë luftës në vitin 1999, ka përkujtuar në faqen e tij në Facebook, se nesër është përvjetori i ardhjes së Tony Blair në Shqipëri. Mbushen 14 vjet, që kur Tony Blair vizioi refugjatët kosovarë në Shqipëri.

NESËR, 14 VJET PREJ VIZITËS SË TONY BLAIR

“Nesër në datën 18 maj është përvjetori i vizitës së parë të kryeministrit të Britanisë së Madhe në Shqipëri të zhvilluar në vitin 1999-të. Kryeministri Toni Bler do të ishte britaniku që do të ndërhynte në momentin më delikat të historisë europiane për fatin e shqiptarëve në Ballkan gjatë Luftës së Kosovës.


TONY BLAIR NDËRROI RROBAT, U VESH KUQEZI

Majko kujton se Blair ishte i qeshur dhe pa formalitete. Pas pritjes zyrtare kryeministri Bler ndryshoi veshjen duke hequr kostumin. U vesh sportiv, me bluzë të kuqe dhe pantallona “xhins” të zeza, dhe duke respektuar në detaje edhe në paraqitje, simbolin kuq e zi të shqiptarëve.

Mako komenton foton që ka dalë bashkë me Blair, duke shkruar se “në fotografi jemi në konferencën e shtypit pas vizitës në kampin më të madh të refugjatëve ne Shqipëri (me 10 000 vetë) në Elbasan, të ndërtuar nga qeveria mike turke.

BRITANIKËT, DASHURI PA FJALË ME SHQIPTARËT

Majko vëren se britanikët nuk e shprehin dashurinë me fjalë. Sipas tij, ajo është rrjedhojë e fakteve. Fjala është një komoditet, që britanikët nuk e kanë përdorur për kombin shqiptar. Ata, habitshëm, janë shfaqur në ditë të vështira në krah të shqiptarëve, pa dyshim të ftohtë në veprim dhe qëllim si prodhuesit e mëdhenj të historisë njerëzore. Pastaj, janë larguar në mjegullën tipike, e cila i karakterizon për të mos ua parë përmasat...pa kërkuar asgjë si shpërblim. Britanikët janë një kuptim i ri i fjalës “mik” për shqiptarët. Toni Bler është pjesa më e dallueshme e saj. Sigurisht”.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)