PRISHTINE - Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka zhvilluar një sërë takimesh në Kosovë. Majko ka vizituar Prekazin, vendin ku vdiq komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Majko u takua me Haradinajn, Thaçin, Ramiz Lladrofçi e të tjerë miq.

Majko deklaroi nga Kosova se "nga 1 janari 2018 do të nisë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë", duke hequr kështu çdo barrierë mes dy vendeve. Të njëjtin qëndrim mësohet se ka ndarë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është shprehur se nga janari i vitit të ardhshëm pala e Kosovës do jetë gati për implementimin e marrëveshjes me Tiranën.


Ministri i Diasporës, Pandeli Majko gjatë vizitës në Kosovë

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku ka postuar një foto në Facebook nga takimi i Majkos me Thaçin dhe të tjerë politikanë kosovarë. Majko shfaqet i buzëqeshur, ndërsa Lushtaku e shoqëron foton me dixhiturën:

“Një takim për qejfi me miqtë e mi presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeministrin dhe ministrin aktual të Shqipërisë Pandeli Majko, zv. kryeminsitrin e Kosovës Dardan Gashi, kryetarin e Drenasit Ramiz Lladrofci dhe miq të tjerë. Çdoherë kënaqësi bashkëbisedimi me ta për të evokuar kujtime nga e kaluara por edhe për të vazhduar përpara rrugën e zhvillimit të shteteve tona! SL."

Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skënderajt

Mesazhet e përcjellja nga ministri Pandeli Majko dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë sjellë reagimin e Beogradit zyrtar. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç është shprehur se nuk do ketë Shqipëri të Madhe, pasi sipas tij i vetmi kufi që ekziston është ai mes Serbisë dhe Shqipërisë, duke injoruar ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës. 

Pas kësaj deklarate të Gjuriç, reaplikoi ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko i cili i kujtoi ministrit serb se Jugosllavia nuk ekziston më dhe se Kosova si shtet më vete, është një realitet i pakthyeshëm. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:53
Lëvizja e lirë Kosovë-Shqipëri/ Majko replikon me Gjuriç: Dikush t'i thotë se Jugosllavia nuk ekziston më!

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka replikuar përmes një postimi në rrjetet me shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, lidhur me heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri. Majko sqaron se kryeministri Haradinaj i ka konfirmuar atij lajmin për fillimin e lëvizjes së lirë mes dy vendeve nga data 1 janar 2019. 

Kjo solli reagimin e menjëhershëm të Beogradit zyrtar, përmes shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, i cili deklaroi se Enver Hoxha ka vdekur dhe bashkë me të edhe ëndrra për Shqipërinë e Madhe. 

Gjuriç tha gjithashtu se kufiri i vetëm ekzistues është ai mes Serbisë dhe Shqipërisë, duke mohuar kështu ekzistencën e shtetit të Kosovës. Përkundër deklaratës së Gjuriç, Majko shprehet se "ministri serb duhet ta dijë që Jugosllavia nuk ekziston më dhe ëndrrat me dryshime kufijsh kanë mbaruar", duke shtuar se Kosova e pavarur është një realitet i pandryshueshëm.

Postimi i Pandeli Majkos
Dje, në një vizitë zyrtare në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj më konfirmoi lajmin i cili është diskutuar prej kohësh midis Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës. Ai është fillimi i lëvizjes së lirë së njerzve dhe mallrave midis dy vendeve tona duke filluar nga 1 janari 2019.

Kujtoj se në takimin e parë zyrtar të dy kryeministrave, të Shqipërisë dhe Kosovës, si afat u vendos që ky proces të fillonte në 1 janar 2018. Për arsye të mirëkuptueshme, Qeveria e Kosovës kërkoi kohën e nevojshme për të marrë vendimin.

Dje, Kryeministri Haradinaj më kërkoi që në festimet ku ishim të ftuar bashkë me Presidentin Hashim Thaci dhe zëvendëskryeministrat Pacolli dhe Gashi në Komunën Skënderaj, nën hijen e bustit të Bacës Adem Jashari, të isha unë që do të jepja lajmin se Kosova e ka marrë vendimin përfundimtar për lëvizjen e lirë midis kufijve shtetërorë të dy vendeve tona.

Lexova që sot, Gjuric, Drejtori i zyrës për Kosovën në Shtetin Serb ka deklaruar se “Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kufij, ekziston vetëm kufiri ndërmjet Serbisë e Shqipërisë me gjatësi 111 kilometra”… Uroj që dikush ti thotë se Jugosllavia nuk ekziston më… Ëndrrat me ndryshim kufijsh kanë mbaruar përfundimisht. Kosova është shtet i pavarur dhe kjo është arsyeja pse edhe ai është sot drejtor…Natyrisht.

Ora 15:53
Gjuriç reagon pas deklarateve të Majkos: Enver Hoxha ka vdekur, bashkë me të dhe Shqipëria e Madhe

Ministri i Diasporës, Pandeli Majo, ka zhvilluar një sërë takimesh në Kosovë ku edhe ka vizituar Prekazin, vendin ku vdiq komandanti  legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Nga Kosova, Majko deklaroi se nga 1 janari 2018 do të nisë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kësaj deklarate i është përgjigjur edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriç, i cili i ka cilësuar deklaratat e Majkos si të bezdisshme.

Enver Hoxha është i vdekur, ndërsa nga Shqipëria e madhe nuk ka dhe nuk do të ketë. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë asnjë kufi, por është kufiri mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe ky me një gjatësi prej 111 kilometrash.

Siç thuhet edhe në rezolutën 1244 ne kemi të drejtë të përdorim pikat kufitare pasi kemi edhe stafin tonë atje.

Askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk shqetësohet për deklarata të tilla të bezdisshme që vijnë nga përfaqësues të ndryshëm shqiptarë çdo ditë. Kjo gjë po sjell shkatërrimin e përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet në rajon.

Marko Gjuriç