Makarona të mbushura në furrë 

Përbërësit:  

350 gr makarona guackë ose tub

Salca:

1 qepë e vogël

vaj ulliri

600 gr pure domate

kripë dhe piper i zi

Mbushja:

Vaj ulliri

1 thelpi hudhër

350 gr mish I grirë miks

½ gotë verë

kripë dhe piper I zi

350 gr rikota

30 gr parmixhan I grirë

1 vezë

250 gr mozzarella

Përgatitja:

Fillimisht përgatisim salcën.  Në një tigan salce vendosim 2-3 lugë gjelle vaj ulliri, qepën të grirë hollë dhe e kaurdisim në temperaturë mesatare derisa të zbutet.

Shtojmë purenë e domates, kripë piper, ulim temperaturën dhe e lëmë të ziejë për 20 minuta. Ndërkohë vendosim një tenxhere me ujë në sobë për të zierë makaronat.

Në një tigan tjetër përgatisim mbushjen. Ngrohim 2 lugë gjelle vaj ulliri, 1 thelpi hudhër, mishin e grirë, e trazojmë vazhdimisht derisa mishi të ndërrojë ngjyrë. Largojmë hudhrën dhe shuajmë mishin me verë të kuqe. Shtojmë kripë dhe piper të zi.

Shtojmë makaronat guackë për të zierë 2 minuta më pak se minutazhi I shkruar në etiketë. Kullojmë makaronat, I spërkasim me pak vaj dhe I transferojmë në pjatancë që të ftohen.

Në një tas vendosim rikotat dhe mishin e skuqur, 2 lugë gjelle parmixhan të grirë, 1 vezë, kripë dhe piper të zi, mozzarellën të prerë në kubikë të vegjël, e përziejmë dhe e vendosim mbushjen në një xhep pasticerie.

Në një tepsi shtrojmë si bazë ½ e salcës. Mbushim makaronat dhe I vendosim njëra pas tjetrës në tepsinë ku kemi shtruar salcën. Pasi të mbushet tepsia, spërkasim makaronat me salcën e mbetur. Përsëri mbi salcë vendosim copëza me djathë mozzarella. Pudrosim me parmixhan, piper të zi dhe më pas vendosim tavën në furrë në temperaturë 220 gradë Celsius, për 10-15 minuta.