Makashi: Në Budva do të
këndoj për Pavarësinë

Makashi: Në Budva do të <br />këndoj për Pavarësinë
TIRANE- Redon Makashi është një nga kantautorët që do të jetë jashtë Shqipërisë më 28 nëntor. Të paktën mbrëmjen e Pavarësisë do ta festojë larg Tiranës, në Budva, sërish i rrethuar mes qindra shqiptarësh, mes atyre që kanë vendosur të festojnë jashtë vendit 28 nëntorin. Por kantautori i njohur është i bindur që do të përjetojë një emocion ndryshe dhe do të shuajë kureshtjen e një feste që bëhet nga shqiptarët jashtë atdheut. Me një thjeshtësi që rrallë e ndesh ndër emra të njohur të muzikës, Redon Makashi rrëfen në intervistën e tij, se cfarë mendon ai për ditët e festave dhe si i duket atmosfera e këtyre ditëve kuqezi… Këngëtarët gjithmonë janë pjesë e festave.

Besoj edhe ju si kolegët tuaj jeni përfshirë në festa e sidomos në këto të nëntorit.Ju do të jeni më 28 nëntor në Budva, në një koncert festiv për Pavarësinë.

Jo vetëm festat e nëntorit por unë kam vite e vite që nuk festoj. Unë e kam ditë pune kur njerëzit argëtohen. Ndoshta për çdo artist është dita jonë e punës, si për festat e nëntorit dhe Krishtlindjet festa e Vitit të Ri, çdo lloj feste tjetër. Ne jemi ata që jemi pranë njerëzve me artin tonë. Është kënaqësi të jesh pranë tyre me muzikë, sepse në njëfarë mënyre ndihemi si një familje atë ditë. Unë i konceptoj njerëzit si brenda shtëpisë sonë, në botën e muzikës ku i fusim, në botën e Redonit konkretisht ku do të futen për natën e 28 nëntorit. Ky është rasti i parë në Budva për në koncert, është hera e parë që unë jam në këtë ambjent. Gjithmonë kur shkon për herë të parë në një vend, që nuk e njeh dhe emocioni i parë është sesi do të jetë ai qytet. Me sa mora vesh ka shumë publik nga Tirana dhe Shkodra përveç vendalive të Malit të Zi. Aty ka pasur edhe artistë të tjerë gjatë vitit, por ky është një event specifik dhe për mua është një datë e shënuar që ka një përmasë tjetër.

Cfarë keni zjedhur për atë natë?
Për atë natë kam zgjedhur Redonin. (qesh) Do të jetë vetëm Redoni. Kur bëj muzikë në ambjente të ndryshme vjen dikush dhe më thotë:"A e kap një cikë këtë… filan këngë"… pa mbaruar fjalën unë e ndërpres dhe i them që të dëgjojë Redonin. Thjesht unë kam programin tim, kam repertorin tim kryesisht shqip, dhe mendoj se përveç këngëve të mia do të jenë edhe cd-të e mia, albumi im i fundit që mori çmimin e albumit të vitit.
Kohët e fundit gjithçka artistike po prodhohet nën hijen e Pavarësisë. Nuk keni marrë mundimin të bëni diçka për këtë mbrëmje?
Do të mbuloj tastierën me flamur dhe mikrofonin.. (qesh) Cdo njeri atë ditë e ka festën brenda vetes ashtu si dhe gëzimin e lumturinë. Kemi patur rastin të kapim ndërrimin e viteve 2000 dhe tani 100- vjetorin. Jemi një brez që kemi kapur ngjarje të mëdha. Edhe eklipsin e kami kapur. Shpresojnë të mos flasim për përmbysjen e botës (qesh)

I kujtoni ato ditë përvjetoresh… psh eklipsi?
Mbaj mend qe kemi qenë në një lokal, unë dhe Sandri (Gjoka)dhe ca miq të mi. U futëm brenda dhe po prisnim se cfarë do të ndodhte. Doli Gjergj Jorgaqi për të parë jashtë se çfarë ishte duke ndodhur ndërsa ne i thoshim që të mos dilte. Në fakt ishte bërë thjesht si pasdite. Asgjë më shumë.

Po vitin 2000?

Ishte një festë e madhe. Atë ditë isha duke kënduar dhe qielli u skuq nga fishekzjarret që zgjatën aq shumë sa mendova se do të vazhdonin një orë.

Për Pavarësinë çfarë prisni?

Është një emocion i caktuar që edhe pres edhe nuk pres... Thjesht do të shoh çfarë do të ndodhë. E di që do të skuqet gjithçka nga flamurët, E kam fare të qartë dhe do të jetë një kujtim i bukur për mua.

Ju vjen keq që nuk do jeni në Tiranë?
Në fakt do të jem paradite në koncertin e bashkisë së Tiranës, por në mbrëmje jo. Në fakt më pëlqen të shoh çfarë do të bëjnë shqiptarët jashtë sepse këtu dihet që do të kalohet bukur. Ndaj thashë që është një emocion i caktuar sepse nuk jam as në Kosovë dhe as në Maqedoni, por në Mal të Zi. Atje nuk kam qenë asnjëherë dhe jam kurioz të shoh se çfarë po ndodh aty dhe përmasat që mund të ketë festa e shqiptarëve atje. Për mua është një ndjesi e veçantë që do të jem në një ambjebt tjetër jashtë Shqipërisë por përsëris mbetet një ditë pune, si të gjitha ditët e festave. Sidoqoftë do të jetë një ngjarje e rrallë, sepse është 100 vjetor.

E keni blerë flamurin?
Kam një flamur në shtëpi. Ne e kemi pasur në gjak që kur kemi lindur kështu që e kemi pasur prej kohësh. Në fakt kam dëgjuar për një flamur të deformuar dhe nuk e kam shumë të qartë.

Jeni tunduar të blini souvenir?
Jo, pashë një ditë një makinë që kishte venë një shqiponjë dhe më pëlqeu dhe në moment më rrëmbeu, por më pas ndërrova mendjen. Kur del e sheh në çdo cep shqiponja e flamuj, të rrëmben ai momenti që është i magjishëm kur ndodhesh mes një ambienti ku sundon e kuqja. Jam i lumtur që brezi ynë kapi këtë 100 vjetor, që do ta prekim vetë dhe do ta ngulisim në kokën tonë.

Si ju duket kjo ndjenjë patriotizmi që shihet këto ditë?
Është një ngjarje historike që nuk e di çfarë do të ndodhë të nesërmen kur të mbarojë. Është një festë dhe do të jetë emocion. Kur e mendoj tani ndoshta jam i ftohtë por atë ditë do të futem në vorbullën e atdhetarizmit. Dihet që shqiptarët e shqipërisë, nuk e kanë të zhvilluar aq shumë këtë ndjenjë sa ata të Kosovës. Edhe kur bëhet një ndeshje e Kombëtares, vijnë të gjithë nga Kosova. Ne kemi qenë gjithmonë të rritur me një qetësi, kemi qenë të pacënuar. Kurse për këtë festë besoj se të gjithë janë të mendimi që do të jetë e një përmase të madhe. Është magji dhe do apo nuk do, do të jesh i përfshirë në atë moment.

Të punuarit në një ditë feste? Si arrini qetesoheni në një ditë të tillë?
Muzika në brendësi të saj është një kënaqësi më vete, është një profesion i bukur dhe paksa i vështirë,. Mendoj se jeta jonë i përket muzikës. Kam vite e vite që nuk festoj por kam një kënaqësi tjetër kur marr duartrokitjet e publikut, kur këndon dhe bëhemi si një familje. Ndaj thashë që nuk i shoh më si njerëz të huaj dhe që kanë ardhur për të dëgjuar, pro duket sikur jemi bashkë.

Si sillen njerëzit në koncerte?

Muzika është e magjishme dhe përfshin këdo. Unë shkoj atje për të bërë një kncert dhe nuk marr kërkesa por thjesht këndon Redoni. Unë nuk jam këngëtar klubesh, ose si të them që të jetoj me këtë punë. Ka qenë dikur një pjesë e imja, madje ne kemi qenë brezi i parë që kemi filluar të këndojnë në klabe. Tani nuk e preferoj më këtë gjë. Më pëlqen të jap koncerte me programin tim, repertorin, gjithçka tjetër bashkë me cd e albumit.

Thuhet shpesh këngëtarët fitojnë shumë koncerteve…

Ah sikur të fitonim nga e drejta e autorit, ajo do të ishte më e mira. Unë nuk do jem gjithmonë ky Redon, pasi mosha bën të vetën, vitet do të ikin, dhe do të dalë një brez tjetër ashtu sikundër ndodh edhe në botë. Të gjithë artistët jetojnë me të drejtën e autorit dhe është një pikë shumë e rëndësishme, një nga kushtet për të hyrë në Europë. Ne artistëve po na marrin nëpër këmbë. Nuk e di kur do vijë koha që të ndryshojë. Zyra e të drejtës së autorit nuk po na ruan fare. Kur ishte gjallë Neshat Tozaj filloi të lëvizte diçka ndërsa tani jo.Nuk jetojmë dot gjithë kohën me koncerte aq më tepër në këtë kohën e sotme në këtë treg kaq të vështirë. Koha e dikurshme ishte më e lehtë dikur dilje këndoje një këngë dhe vije emër , kurse tani është një konkurrencë e paparë. Duhet të mbijetosh fort, duhet të dish të menaxhosh veten dhe unë jam i lumtur që jam aktiv në koncerte. Ndërsa e ardhmja është e drejta e autorit.

(Shkrimi u publikua ne suplementin FUNDJAVA, 23 nentor 2012, të gazetës Shqiptarja.com)
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi