Makina ‘made in Albania’ për transportin e nxënësve! Prindërit: Furgoni kushton shumë, gjyshërit çojnë fëmijët në shkollë

E kanë të vështirë të koordinojnë oraret e punës me ato të shkollës së fëmijëve. Për t’i çuar e për t’i marrë nga mësimi, prindërit janë detyruar të gjejnë në rrugë private furgon transporti. I duhet të bisedojnë mes prindërish e të bëjnë bashkë të paktën 12 nxënës të së njëjtës shkollë, që furgoni të marrë përsipër rrugën. 

“Është ndihmë e madhe kjo se është zgjidhje për familjet, për prindërit se e ka të sigurtë me furgonin”,- është shprehur një prind.

Por sa i kushton një familje shqiptare, transporti i fëmijëve në shkollë? Report Tv kontaktoi një nga linjat që ofron transport me fugon për nxënësit. Pagesa mujore është e ndryshme, bazuar në distancën që fëmija ka nga shkolla në shtëpi.

“Varet nga zona ku është, ka me 50 mijë lekë (te vjetra), ka me 60 mijë lekë, ka me 40 mijë lekë, por edhe me 35 mijë lekë, varet nga largësia. Më pak nuk ka. Fugonat marrin nga 15 deri në 25 nxënës”,- është shprehur një operator i cili transporton nxënësit nga shkolla në shtëpi dhe anasjelltas.

“Në shkollë vij me furgon, shtëpin e kam në Yzberisht duhet të jetë 20 minuta largë shkollës”,- tha një fëmijë.

“Paguaj 40 mijë lekë në muaj”,- shtoi një tjetër.

Pagesa mujore nga 3 mije e 500 lekë deri në 6 mijë lekë, për shumë konsiderohet kosto e papërballueshme. Jo rastësisht në ambientet e shkollave gjejmë gjyshërit.

“Kemi nipër dhe mbesa që i çojmë në shkollë. Ata vijnë në mëngjes të shtunën dhe të dielën tek unë, të hënën i çoj unë në shkollë. Njëra është 12 vjeçe, tjetra 8 vjeçe. Ka raste që shkojnë me makinën e të atit, ka raste që i çojmë në këmbë për dore. Me fugon nuk i çojmë, ka shumë fëmijë dhe me këtë virusin”,- është shprehur gjyshi një fëmije.

“Shyqyr Zotit janë me dy turne. Një e kam te shkolla  “Kushtrimi i Lirisë” që është turn i parë, dhe një këtu turn të dytë. Nuk bëhet fjalë për fugon me ato rroga që janë këtu për të marrë autobusë.  Vetëm një person do 60 mijë lekë  në muaj për 25 ditë”,-tha një tjetër.

Në shumë raste, fëmija kërkon angazhimin e të dy prindërve, njëri ta çojë e tjetri ta marrë, e janë me fat e të rrallë rastet kur oraret përshtaten dhe nuk cënojnë angazhimet në punë të të rriturve.

“Po, shpesh herë dy herë në ditë. Është shumë e vështirë, kombinohemi edhe me bashkëshortin tim që i’a dalim se përndryshe është pothuajse e pamundur”,- tha një prind.

Në këtë pasqyrë të vështirësive me të cilat po hasen prindërit për të siguruar transportin e fëmijëve në shkolla, shfaqet iniciativa për prodhimin e makinave “Made in Albania”.

Kryeministri Rama lajmëroi së fundi se shpejt do të krijohet një shoqëri aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit që do të mbulojë edhe një mision tjetër shumë të rëndësishëm të transportit të mësuesve dhe të fëmijëve që pritet të ulë kostot e prindërve.

“Nuk kemi parë për transport me fugon, sepse kushton shumë”,- deklaroi një prind.

Në këtë projekt që synon të prodhojë makina për të mbuluar nevojat e shtetit, në të ardhmen edhe për eksport – siç kreu i qeverisë u shpreh – është marrë ekspertiza e Arjeta Pucës, sipërmarrëses shqiptare që prodhon dhe shet automjete.

K.M/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?