Aksidenti i rëndë që ndodhi mesditën e së mërkurës në Korçë është kthyer në tragjedi pak orë më vonë, pasi 45-vjeçari i plagosur nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Bëhet fjalë për Krenar Çekiçin, i cili sipas informacioneve humbi jetën në ambientet e spitalit të Korçës, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, në aksin Korçë–Maliq, pranë fshatit Lumalas, ku dy makina u përplasën fort me njëra-tjetrën, ndërsa në aksident u përfshi edhe një mjet i tretë që pësoi vetëm gërvishtje.
Përplasja ishte e fortë, me mjete të dëmtuara rëndë dhe xhama të shpërndarë në rrugë. 45-vjeçari, që drejtonte njërin prej automjeteve, u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetojë.
Ai mësohet se ishte punonjës i policisë së burgjeve, pranë IEVP Drenovë.
Policia rrugore vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.
Njoftimi i plotë i policisë
"Më datë 18.03.2026, rreth orës 13:30, në aksin rrugor "Korçë-Maliq", pranë fshatit Lumalas, Korçë, automjeti me drejtues shtetasin K. G., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. Ç., i cili për pasojë, është lënduar dhe u dërgua për mjekim në spitalin e Korçës. Me drejtuesin tjetër, shtetasin K. G., po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit."
Pamjet e siguruara nga Report TV nga vendi i aksidentit në aksin Korçë–Maliq hedhin dritë mbi dinamikën e përplasjes së fortë që i mori jetën 45-vjeçarit Krenar Çekiçi.
Sipas videos, në aksident janë përfshirë tre makina që po lëviznin në të njëjtin drejtim. Në një moment, makina e viktimës, një mjet i zi, duke lëvizur me shpejtësi, përplaset fort me një automjet gri përpara saj.
Goditja ka qenë aq e fortë sa makina gri shtyhet dhe përplaset me një tjetër mjet, gjithashtu të zi, që ndodhej përpara. Pas përplasjes zinxhir, makina e viktimës del nga kontrolli dhe përfundon pranë një furgoni të parkuar në anë të rrugës.
Nga aksidenti mbeti i plagosur rëndë drejtuesi i mjetit të parë, Krenar Çekiçi, i cili u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë. Çekiçi ishte punonjës i policisë së burgjeve, pranë IEVP Drenovë.
Komente









