Në rast se në nëntor për një siguracion të detyrueshëm duhej të paguaje edhe 16.000 lekë të reja, aktualisht në disa agjenci mund ta blesh policën njëvjeçara për vetëm 4.500 ose 5.500 lekë. Kjo situatë, ndërkohë që këto kompani përjetojnë rritje të pagesës për dëmet, ka alarmuar sërish Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF), që ka thirrur një mbledhje urgjente të drejtuesve të tyre për të kërkuar shpjegime.
Tregu i sigurimit të automjeteve mbetet gjithnjë një treg me luhatje të çuditshme dhe, njëkohësisht, me luhatje që bëhen nga të gjithë operatorët në të njejtën kohë, si në ulje, ashtu edhe në rritje të çmimit.
Rritja
Të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregun e MTPL-së së brendëshme (sigurimi i detyrueshëm i automjeteve), duke filluar nga data 1 shkurt 2012 deri në datë 16 shkurt, kanë rritur në të njëjtën masë primin e sigurimit për të gjitha klasat e produktit MTPL e brendëshme, gjë që, sipas ligjit "Për mbrojtjen e konkurrencës", përbënte një marrëveshje të ndaluar. Rritja ka qenë e menjëhershme, në masën 40 për qind nga të gjitha kompanitë për mjetet me kapacitet motorrik më pak se 1.600 centimetra kub. Kështu, në treg shifra e policës shkoi në nivelet 14.000-14.500 lekë.
Situata vijoi deri në shtator 2012, kur shoqëritë e sigurimeve rritën çmimin e sigurimit të detyrueshëm motorrik për herë të dytë brenda atij viti. Arsyeja e rritjes, sipas kompanive të sigurimit, ishte shtimi i numrit të aksidenteve dhe veçanërisht rritja e numrit të të dëmtuarve në to. Çmimi për sigurimin e automjeteve me kapacitet motorrik deri në 1.600 centimetra kub arriti në 15.000 lekë, ndërsa për mjetet me motorr mbi 1.600 kubikë çmimi i ri u fiksua në 15.600 lekë.
Statistikat zyrtare për gjashtë muajt e parë të vitit tregonin se numri i aksidenteve në fakt ka qënë më i ulët krahasuar me vitin e kaluar, me 825 aksidente me të dëmtuar, nga 879 që ishin një vit më parë. Kështu, raporti mes dëmeve dhe primeve në kategorinë e sigurimit të detyrueshëm motorrik është ulur në 39%, nga 43% që ishte një vit më parë. Pra, mbulimi i dëmeve me prime ka qënë më i lartë, falë rritjes së tarifave që u aplikua në muajin shkurt. Sipas këtyre të dhënave, rritja e mëtejshme e çmimit të sigurimit TPL nuk u duk të ishte e justifikuar as nga rritja e numrit të aksidenteve dhe as nga rirtja e peshës së dëmeve në raport me primet.
Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com(print), 20 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)