Taksa fikse për llojin e karburantit tani do të jetë shifra 12.5 për naftën dhe shifra 10 për benzinën. Më parë, këto shifra ishin 25 dhe 20.
Ndërkohë, koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit shënohet në një tabelë, sipas së cilës mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse dhe fillon me 0.18 për vitin e katërt që nga viti i prodhimit të mjetit.
Koeficienti shtohet me 0.01 për çdo vit deri në vitin e dhjetë të vjetërsisë së makinës. Pas vitit të dhjetë, koeficienti 0.24 shtohet me 0.04 për çdo vit tjetër të vjetërsisë.
Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. Duke filluar nga dje, ka hyrë në fuqi ligji për përgjysmimin e taksës së makinave. Skema e re e propozuar nga Ministria e Financave ul ndjeshëm detyrimin që duhet të paguhet.
Në ligj përcaktohet formula e re e llogaritjes së taksave vjetore, afatet e pagesës për përdoruesit e mjeteve, si dhe penalitetet për vonesat.
Për pagesat e prapambetura, ligji i ri përcakton se ato do të mund të paguhen në bazë të formulës së re për vitet e shkuara, pra me gjysmën e vlerës së dikurshme, madje pa asnjë penalitet në rast se një veprim i tillë kryhet para fundit të qershorit.
"Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjithë pronarët e mjeteve, që nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura, paguajnë sipas këtij ligji. Në rast se pagesa bëhet brenda datës 30 qershor 2013, ata përjashtohen edhe nga penalitetet për vonesë në pagesën e taksave.
Aplikimi i penalitetit për vonesë në pagesën e taksave, për të gjitha mjetet që u ka kaluar afati i vlefshmërisë së taksave, pavarësisht kur e kanë kryer pagesën e taksave, fillon nga data 1 janar 2014", përcakton ligji i ri mbi taksat e mjeteve.
Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit.
Ligji parashikon edhe faljen e të gjitha detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara me vendim të formës së prerë të gjykatës, të cilat i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për qëllime përdorimi apo rishitjeje.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)