Maks Jota: Në Shqipëri realizova
rolin më të vështirë Alfredon

Maks Jota: Në Shqipëri realizova<br />rolin më të vështirë Alfredon
TIRANË - Dashuritë dhe intrigat e Violetës dhe Alfredos në operën “Traviata”, që shënoi suksesin me shfaqjen e natës së parë të martën në Tiranë, ishin një sfidë e pazakontë edhe për tenorin brazilian Maks Jota. Ai tha dje në një intervistë për “Shqiptarja.com” se “kam pasur shumë, role shumë përvoja, por asnjëherë nuk kam luajtur një rol më të vështirë se Alfredo”.

Maks Jota vjen për herë të parë në Shqipëri dhe ndihet i surprizuar. Pasi ka qëndruar pak ditë në Tiranë, nuk mund të rrijë pa bërë një paralelizëm mes vendit të tij dhe Shqipërisë. Sipas tij ka mjaft ngjashmëri por edhe ndryshime. Këtu kultura është në rrugën e duhur, thotë ai duke iu referuar eksperiencës së pak ditëve në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë me “Traviatën” e Verdit. Është ndjerë si në shtëpinë e tij gjatë punës me artistët shqiptarë.

foto

Ai ka gjetur gjuhën e duhur me solistët e TKOB-it që i adhuron dhe sidomos në bashkëpunimin me artistët italianë. Max Jota që luajti për herë të parë rolin e Alfredos e quan një përfitim edhe për veten e tij, jo vetëm për artistët shqiptarë. “Traviatën” e kësaj here në TKOB, që vjen falë bashkëpunimit me artistët italianë, e kanë marrë në dorë dirigjenti Giancarlo De Lorenzo dhe Primo Petris që ka ndërtuar regjinë, skenografinë dhe kostumet. Natyrisht suksesit të natës së parë i dhanë shumë shkëlqim edhe solistët e shquar shqiptarë si Etleva Golemi, Ylber Gjini, Ramona Tullumani, Vikena Kamenica, Armando Likaj, etj, por edhe kori dhe orkestra e TKOB-it. Të gjithë këta tenori brazilian Maks Jota i quan të shkëlqyer. Ndërsa opera “Traviata” do të ngjitet në skenë edhe 2 net: më 24 shtator dhe më 26 shtator, tenori brazilian rrëfen mbresat nga Shqipëria dhe emocionet me rolin.
 
 
 
Mendoj se ardhja juaj në Shqipëri, ju ka përballur me një kulturë të ndryshme nga ajo e vendit tuaj, Brazilit. Çfarë ju bëri përshtypje në vendin tonë?
-Realisht për mua është një surprizë e madhe, sepse u gjenda si të isha në shtëpinë time. Sepse populli shqiptar është shumë i ngjashëm me popullin brazilian. Edhe vendi juaj është në fazën e  zhvillimit, po kalon në të njëjtin proces tranzicioni, siç po kalon edhe vendi ynë. Njerëzit janë veçanërisht të dashur këtu. Janë shumë të edukuar, e veçanërisht të gjendur me mua. Duke bërë edhe një krahasim me vende të tjera ku kamë qenë unë, gjendem shumë mirë këtu. Është një tokë magjike.
 
Po kontaktin me kulturën muzikore tonën si mund ta komentoni?
-Pikësëpari doja t’u bëja shumë komplimente. Keni vërtetë artistë shumë të mirë. Këtu, këngëtarët janë të mëdhenj dhe unë ndihem shumë mirë, si mes kolegësh. Jam ndjerë mirë duke me dhënë ata kurajo, mbështetje. Në drejtimin kulturor shoh se shqiptarët janë vërtetë në rrugën e duhur. Sigurisht, Shqipëria është një vend që zhvillimin e teatrit të operës dhe baletit nuk ka një traditë aq të gjatë, siç është Franca dhe Italia, por mendoj se është në rrugën e duhur në këtë drejtim. Tashmë ajo ka nisur bashkëpunimet me këto teatro të nivelit të lartë dhe këto bashkëpunime, siç është edhe ai i kësaj radhe me artistët italianë, dirigjentin Giancarlo De Lorenzo dhe regjisorin Primo Petris, janë shumë të vlefshme si për shqiptarët ashtu edhe për mua.
 
Pati shumë emocione, shumë duartrokitje edhe për ju në natën e premierës, cila ishte mbresa juaj kur u gjendët para publikut shqiptar?
-Dua të them që unë jam përballuar me shumë role në karrierën time si tenor. Po asnjëherë nuk jam përballuar me një rol kaq të vështirë si Alfredo. Është një opera shumë e vështirë “Traviata”, sepse Verdi shkruante në një mënyrë të tillë që duhet ta luash gjithçka të përsosur, të bukur, ndryshe nuk mund të bëhet. Edhe Violeta, personazhi kryesor i kësaj opere, është shumë rol i vështirë, por unë dua të theksoj se asnjëherë nuk jam përballuar me një rol kaq të vështirë si Alfredo. Dhe ndihem entuziast që shfaqja në natën e parë shkoi shumë mirë. Publiku ishte i kënaqur, entuziast, i ngrohtë. Në fund kuptova se së bashku kemi bërë punë të mirë. Orkestra ishte perfekte, kori vibrant. Pra pamë nga pritja e publikut se bëmë një shfaqje të bukur. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com versioni (print) 24 shtator 2014
 
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Drejtori i policisë Rrugore të Tiranës qwllon me shpullw njw qytetarw

Drejtori i policisë Rrugore të Tiranës qwllon me shpullw njw qytetarw