Modernizimi i doganave dhe lehtësimi i procedurave për biznesin janë kyçe për integrimin europian të Shqipërisë. Kështu u shpreh ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një vizite në pikën doganore të Hanit të Hotit.
I shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ai u njoh nga afër me punën në terren, përpunimin e deklaratave doganore dhe masat për përshpejtimin e kontrolleve dhe rritjen e transparencës.
Gjatë takimit me stafin, u diskutuan problematikat që lidhen me fluksin e lartë të transportit ndërkombëtar, kohën e pritjes dhe nevojën për koordinim më të mirë me autoritetet e Malit të Zi, si dhe investimet në infrastrukturë dhe digjitalizim.
"Përafrimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian po materializohet edhe përmes digjitalizimit dhe modernizimit të administratës doganore. Pika doganore e Hanit të Hotit përfaqëson një shembull konkret të zbatimit të këtyre reformave në terren.Investimet në teknologji, përmirësimi i procedurave të kontrollit dhe përpunimit, si dhe rritja e kapaciteteve operacionale, kontribuojnë drejtpërdrejt në shkurtimin e kohës së zhdoganimit, rritjen e transparencës dhe lehtësimin e aktivitetit për biznesin dhe transportuesit. Ky proces nuk është vetëm pjesë e reformës administrative, por edhe një element konkret i rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ku digjitalizimi, standardizimi dhe besueshmëria institucionale mbeten thelbësore për integrimin e plotë të vendit" shkruajti Malaj nw postimin e tij nw rrjete sociale.
Aktualisht, Shqipëria po zbaton një model europian që synon dogana më të shpejta, transparente dhe të besueshme, përmes përdorimit të teknologjisë dhe analizës së të dhënave.
Një nga objektivat kryesorë mbetet rritja e eksporteve shqiptare dhe përshpejtimi i furnizimit me importe, duke forcuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
Ministria e Financave parashikon të vijojë investimet në infrastrukturë, digjitalizim dhe bashkëpunim ndërkufitar për të ulur kostot për biznesin dhe për të përshpejtuar procedurat.
Pika doganore e Hanit të Hotit mbetet një nga më të rëndësishmet në vend, me rol kyç për tregtinë në veri. Të dhënat tregojnë rritje të të ardhurave në vitin 2025 dhe ulje të kohës së zhdoganimit, si rezultat i përmirësimit të këtyre proceseve.
Komente










