Në Tamarë të Malësisë së Madhe u përkujtua 81 vjetori i kryengritjes së Prek Calit dhe malësorëve të tjerë kundër regjimit komunist që përfundoi me vrasjen e tij dhe 8 të tjerëve dhe dënimin e 25 personave. Unioni Mbarëkombëtar i ish të përndjekurve politik ka marrë përsipër një nismë për realizimin e një busti për Prekë Calin në Vermosh ndërsa i bën thirrje diasporës dhe kujtdo tjetër që të kontribuojnë.
‘Vermoshi do birin e tij. Kontribuo në kthimin e këtij burri që nuk ia ktheu shpinën atdheut. Misioni ynë është të nderojmë ata që përballuan diktaturën dhe të përjetësojë figurat e ndritura që mbrojtën këtë komb. Jemi të vetmit që nuk kemi dënuar krimet e komunizmit” tha Besim Ndregjoni, President i Unionit të Ish të Përndjekurve.
Historiani Romeo Gurakuqi vlerësoi kryengritjen e Kelmendit dhe figurën e Prekë Calit dhe tha se Shqipëria nuk mund të integrohet në Europë pa dënuar krimet e komunizmit…
“Rezistenca e malsorëve të Kelmendit dhe Prek Calit ka qenë historike. Ende Shqipëria nuk ka njohur dhe dënuar krimet e komunizmit. Pa kërkuar falje dhe pa dënuar krimet, është e pamundur që një vend i cili kërkon të hyjë në Europë të mund të jetë i vërtetë sikurse e kërkojnë standarded europiane’ tha ai.
Deputeti i PD-së Ramadan Lika tha se një pagë e tij do të shkojë kontribut për ndërtimin e bustit të Prekë Calit që është menduar të vendoset në oborrin e kishës së Vermoshit
“Unë do të kontribuoj si deputet me rrogën time për ngritjen e lapidarit për njeriun më të rëndësishëm të historisë së Malësisë së Madhe, Prek Calit” tha ai.

Prek Cali dhe malsorët e tij
Prekë Cali luftoi dhe mbrojti trojet e Malësisë së Madhe prej pushtuesve serbo malazez por pavarësisht kontributit të tij për kombin, u ekzekutua prej komunistëve më 25 mars 1945, që në ditët e para të regjimit të diktaturës pas rezistencës që bënë malësorët.
Komente










