VLORË- Në një betejë tri ditore, zjarri në Malin e Çikës është duke rrezikuar sipërfaqe të tëra toke. Flakët të cilat nisën përpara tre ditësh 'përpinë' rreth 13 hektarë në total.

Ndërhyrja në malin e Çikës vijon të jetë mjaft problematike. Pasditen e sotme, flakët kanë zbritur edhe më poshtë duke ju afruar fshatit të Dhërmiut. Nga tymi që ka përfshirë këtë zonë, ka larguar dhe pushuesit nga plazhi, pasi era që fryn nga jugu tymin e ka drejtuar në plazh ku ka pas dhe shumë pushues të cilët janë larguar nga kjo re tymi si dhe kanë anuluar prenotimet.  

Ndërkohë, në orët e para të ditës dhe në vijim, zjarrfikësit e Himarës janë vënë në dispozicion nga zona e fshatit Dhërmi për ta mbajtur nën kontroll ndërkohë që punonjësit e ADZM janë përqendruar në fshatin e Palasës.

Nga dita e djeshme dhe deri tani në malin e Cikës janë djegur disa ha me shkurre dhe pemë ( trungje) të thata  ne një vijë prej 3 kilometrash. Mësohet se ditën e nesërme në orët e para do te ndërhyhet me ushtarë të FA, ku sipas prefekturës së Vlorës, parashikohet do të jenë 60 ushtarë.

Pse zjarri në Malin e Çikës është ende aktiv:

Situata në Malin e Çikës është kthyer në problematike pasi ndërhyrja në vatrën e zjarrit është mjaft e vështirë. Largësia e vatrës mbi nivelin e detit prej 800-900 metra është një tjetër problematikë që pengon shuarjen e zjarrit.

Zjarri në Malin e Çikës ka djegur në ditën e tij të parë 2 hektarë tokë, në ditën e tij të dytë 4 hektarë ndërsa ditën e sotme janë djegur 7 hektarë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:17
Meta për zjarrin e Malit të Çikës: Qeveria shpenzon mijëra euro për inceneratorët, të merret me shuarjen e flakëve

Presidenti Ilir Meta ka reguar sa i përket zjarrit në Malin e Çikës i cili ka 3 ditë në betejë me flakëet. Meta ka shkruar i ka bërë thirrje qeverisë të ndalojë pagesat e inceneratorëve dhe të hedh një cent për fondin e mbrojtjes së zjarrit.

'TË NDËRPRITEN URGJENTISHT PAGESAT FIKTIVE PËR INCENERATORËT DHE TË SHTOHET FONDI PËR MBROJTJEN NGA ZJARRET!

Për tre ditë me radhë vatrat e zjarrit në Malin e Çikës në Vlorë po shkatërrojnë hektarë pyje, pasuri publike.

Siç dëshmon dhe kjo foto e fundit, flakët po përparojnë me shpejtësi drejt fshatit turistik të Dhërmiut, të tejmbushur me turistë, duke kërcënuar gjithashtu Kondraqin dhe Borshin.

Për fat të keq, Qeveria që paguan çdo ditë mijëra euro për mafien e inceneratorëve, vijon të mos shpenzojë as 1 cent për të shtuar fondin për mbrojtjen nga zjarret.

Lënia në mëshirë të fatit të pasurisë natyrore dhe moskokëçarja përballë kërcënimit serioz të shëndetit, jetës dhe pronës së qytetarëve është tronditëse!

I bëj thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse qendrore dhe vendore, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Mbrojtjes Civile të ngrihen në këmbë, të marrin në dorë situatën dhe të reagojnë me urgjencë!

E konsideroj kriminale mosnxjerrjen e mësimeve nga e kaluara dhe mosveprimin në kohë në lidhje me zjarret!'- shkruan Meta.

Ora 20:10
FOTO/ Përkeqësohet situata nga zjarri i Malit të Çikës në Vlorë, afrohet në plazhin e Dhërmiut! Largohen pushuesit

 

Është përkeqësuar situata nga zjarri në Malin e Çiëks në Vlorë.

Sipas burimeve të siguruara nga Report tv, zjarri i është afruar plazhit të Dhërmiut dhe Palasës. Si pasojë, janë larguar pushuesit në zonë.