Ministria e Bujqësisë e Malit të Zi kërkoi nga Drejtoria Veterinare pranë këtij institucioni tërheqjen nga tregu të qumështit nga gjashtë prodhues nga Serbia dhe Bosnja, ku pas analizave, është zbuluar përqëndrim i lartë i aflatoksinës.

Agjensia e lajmeve "MIA" njofton se Drejtorisë Veterinare i është kërkuar edhe kontrolli rigoroz i prodhuesve malazezë të qumështit. Sipas kësaj ministrie,  nivel të lartë të aflatoksinës ka në qumështin e markave "Nishka Mlekara", "Implek-Beograd", "Implek-Kozarska Dubica", "Konceren Farmakom", "M.B Shabac- Mlekara Shabac", "Megle Kragujevac" dhe "Milkop-Rashka".

Përkohësisht, në Malin e Zi është ndërprerë edhe importi nga prodhuesit, qumështi i të cilëve është i kontaminuar.

Nga ana tjetër, Maqedonia  merr masa të menjëhershme për të ulur panikun, duke njoftuar se "tek qumështi i importuar nga Serbia, kontestues është vetëm një sasi e caktuar e prodhimit "MOJA KRAVICA 2,8%MM", me afat përdorimi deri më 14 gusht të vitit 2013 nga prodhuesi "IMLEK Beograd".

Këtë e kumtoi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Maqedonisë, inspektorë të së cilës nisën menjëherë kontrollin në terren, pas njoftimit zyrtar të marrë nga Drejtoria serbe e Veterinarisë për të tërhequr nga dyqanet në Serbi, disa lloje qumështi, tek të cilët është konfirmuar prezenca e lartë e aflatoksinës M1.

Sipas Agjencisë, e gjithë sasia e importuar ndodhet në depot e importuesit, që do të thotë se produkti i kontestuar nuk është nxjerrë në shitje.
"Inspektorët nga Agjencia morën kampione nga produkti i theksuar, me qëllim konfirmimin e rezultatit dhe në vazhdim do të veprohet në varësi të raportit laboratorik", thanë nga Agjencia për ushqim dhe veterinari.

Për qytetarët e shqetësuar, tashmë është publikuar edhe lista e produkteve ku është konfirmuar prania e lartë e aflatoksinës.

Pas analizave laboratorike të qumështit dhe produkteve të tij që po importohen në Republikën e Maqedonisë, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari,  informoi se ka konfirmuar prani të lartë të aflatoksinës M1 në edhe një produkt me prejardhje nga Kroacia.

"Bëhet fjalë për produktin qumështin " Dukat UHT 2,8%MM +7 vitamina 1L", me afat përdorimi deri më 19 prill 2013. E gjithë sasia nga ky produkt (rreth 2.000 litra), ndodhet në depon e importuesit, nuk është lëshuar në shitje dhe në pajtim me procedurën ligjore, do të shkatërrohet. Të tjerat produkte nga dërgesa e theksuar (gjithsej 35) janë në rregull dhe do të lëshohen lirshëm në shitje", thanë autoritetet kompetente.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Republikës së Maqedonisë vazhdon me vëmendje t'i ndjekë ngjarjet që lidhen me pjesën e qumështit dhe të ndërmarrë masa të menjëhershme për mbrojtjen e konsumatorëve.