Presidenti malazez, Filip Vujanoviç ka përsëritur se nuk do të nënshkruajë dekretin për shkëmbimin e ambasadorëve me Prishtinën, gjithnjë derisa qeveria e Kosovës nuk ua njeh malazezëve statusin e komunitetit kombëtar pakicë. 

Qeveria e Malit të Zi të enjten e kaluar mori vendimin për hapjen e ambasadës në Kosovë, duke vlerësuar se në këtë mënyrë do të krijohen kushtet për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat. 
Vujanoviç u ka thënë gazetarëve se vendimi i qeverisë malazeze për hapjen e ambasadës në Prishtinë është i mirë dhe i duhur, por mbetet pranë qëndrimit të mëhershëm se nuk ka shkëmbim të ambasadorëve derisa nuk zgjidhet statusi i malazezëve në Kosovë. Presidenti malazez ka thënë se ka marrë premtime të forta nga Presidentja e Kosovës Atifete Jajhaga se kjo do ndodhë shumë shpejt.

Mali i Zi e ka njohur Kosovën më 9 tetor të vitit 2008 ndërsa marrëdhëniet diplomatike janë vendosur më 15 janar të vitit 2010. 
/rg/shqiptarja.com/